E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi përmbush misionin numër 1

de biaziPas më shumë se një viti e gjysmë në drejtimin e kuqezinjve, De Biazi është pranë arritjes së një prej objektivave të vendosur, përmirësimin e renditjes së kombëtares në klasifikimin e FIFA-s

Nuk ka kufij për kuqezinjtë. Pas vendit në 48-të në FIFA, që pritet të konfirmohet sot, renditja e re pritet të zhvendosë kuqezinjtë në një vazo më lart për sa i përket shortit për evropianin 2016, duke qenë se jemi aktualisht të parët në vazon e pestë dhe pak pikë larg Finlandës së vendit të fundit në vazon e 4.

Ëndrra ka nisur që pas fitores në Norvegji, por realiteti është akoma më i bukur, pasi kjo skuadër me këta djem të rinj po na dhurojnë atë të cilën kemi vite që e ndjekim, një klasifikim më i mirë në renditjen e FIFA-s dhe ngjitjen në vazon e katërt.

Pas më shumë se një viti e gjysmë në drejtimin e kuqezinjve, De Biazi është pranë arritjes së një prej objektivave të vendosur, përmirësimin e renditjes së kombëtares në klasifikimin e FIFA-s. Por misioni i pamundur konsiston në faktin që me një skuadër në revolucion e sipër, Shqipëria është pranë rekordit historik.

Skuadra shqiptare që prej nëntorit të 2011-ës ka në drejtim Xhani De Biazin, ka thyer tabu pas tabuje. Në fillim ishte tabuja e thyer e një revolucioni rrënjësor në ekip, ku ikën disa veteranë dhe mbetën një pjesë e vogël e lojtarëve të mirë në ekip. Por kjo u bë ditë pas dite. Kështu në 500 ditët e tij kuqezi italiani ka marrë një skuadër 43 futbollistë.

Bëhet fjalë për lojtarë që kanë qenë në ekipin kombëtar apo që për herë të parë janë pjesë e saj. Me një ekip rrënojë ku fanellën e kishin dorëzuar disa veteranë, italiani vendosi që të fuste në fushë Çanin e disa lojtarë të tjerë. Shumica të marrë nga kampionati shqiptar dhe më pas të huaj. Gjithsesi Gjeorgjia ishte fillimi.

Pas Çanit për herë të parë veshën fanellën edhe Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Renato Arapi, Alban Meha, Burim Kukeli, Bruno Telushi, Migjen Basha, Valdet Rama, Hair Zeqiri, Mërgim Brahimi, Armando Vajushi, Bekim Bala, e Armando Sadiku.

Të gjithë këta janë futur në fushë për herë të parë nga italiani duke treguar edhe një herë se ai mbetet mbreti i lojtarëve të rinj. Më pas erdhën fitoret në miqësore dhe eliminatore dhe më pas dy triumfe të njëpasnjëshme që erdhën në mars. Një renditje e jashtëzakonshme e kuqezinjve që asnjëherë në historinë e tyre nuk janë ngjitur në një shkallë të tillë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›