E Diel, 1 Nëntor 2026

De Brouer: Vizat, jeni në rrugën e duhur

Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar liberalizimin e vizave. Kështu është shprehur Drejtori për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Europian Zhan Lui De Brouer gjatë një takimi të zhvilluar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm, Ilir Meta. Sipas zyrtarit europian, qeveria shqiptare gjatë muajve të fundit ka bërë progres të dukshëm në rrugën e reformave që duhet të përmbushen për t’u arritur lëvizja e lirë e qytetarëve.
“Qeveria shqiptare në muajt e fundit ka bërë një përparim të dukshem për sa i përket punës së bërë për të përmbushur kërkesat e BE për të bërë të mundur liberalizmin e vizave. Janë përgatitur plane veprimi, janë hartuar ligjet e nevojshme ndërsa konstatoj se po ecet mirë dhe me procesin e prodhimit dhe pajisjes së shtetasve me pasaportat biometrike. Kërkohet të vijohet më tej me këtë ritëm për këtë arsye kërkohet miratimi dhe zbatimi i legjislacionit siç është ligji për konfisktimin e pasurive. "
Optimist për ecurinë e deritanishme, zyrtari komisionit europian thotë se raporti që qeveria shqiptare do të dorëzojë në mesin e nëntorit në Bruksel ku janë të renditura hapat që ka ndjekur deri më tani qeveria për përmbushjen e standarteve të kërkuara duket se do të jetë vendimtar për lëvizjen pa viza drejt vendeve të B.E.
“Procesi është trasparent. Të dyja palët e dijnë kush janë standartet për t’u përmbushur, me plotësimin e tyre do të jemi të gatshëm të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshme si dhe kohën e veprimit”
Në 20–vjetorin e rënies së Murit të Berlinit për zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Meta, liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë do të shënonte një rënie të 2–të të kësaj barriere me Bashkimin Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›