De Niro: Do të vras Hoffa-n për mikun tim Martin
Robert De Niro, edhe tani që i ka mbushur të 66-at, i heshtur dhe energjik si gjithmonë, po interpreton role të rëndësishme. Tashmë do të shfaqet në skenë në rolin e një personi të ve që vërdalloset nëpër Amerikë në kërkim të tre fëmijëve të humbur prej kohësh, në xhirimin e ri të filmit amerikan "Everybody‘s Fine" të Giuseppse Tornatore-s, drejtuar nga regjisori Kirk Jones. Por kur e takojmë, në sytë e tij pasqyrohet ende furia e Jack La Motta. De Niro duket i vendosur. Jo rastësisht pohon se me bashkëpunëtorin e tij historik, Martin Scorsese, po përpiqet të realizojë një film të ri, i cili titullohet "I Heard You Paind Houses", bazuar në figurën e Frank Sheeram, "The Irishman" (irlandezi), gangsteri i dyshuar për vrasjen e sindikalistit Jimmy Hoffa (interpretuar në vitin 1992 nga Jack Nicholson, në filmin "Hoffa" të Denny De Vitto-s). De Niro do të jetë Sheeran, i akuzuar për më shume se 25 vrasje të lidhura me mafien. "Është një projekt që regjisori Martin Scorsese dhe unë kemi vite që e mendojmë ta realizojmë", tregon De Niro. "Steven Zaillian ("American Gangster" dhe bashkautor i "Gangs of New York") po shkruan skenarin. Shpresojmë që do të arrijmë ta përfundojmë vitin që vjen. Le të shpresojmë".
Filmi bazohet në librin e Charles Brandt, i cili u bë shok me Sheeran pak para vdekjes së tij në vitin 2003. Sipas librit të publikuar në vitin 2004, Sheeran i tregoi për vrasje të ndryshme Brandt-it, përfshi këtu edhe vrasjen e Hoffa-s, me urdhër të bosit Russel Bufalino. Është hera e nëntë që De Niro dhe Scorsese punojnë së bashku, pas filmave "Mean Streets", "Taxi Drivers", "New York, New York", "Raging Bull", "The King of Comedy", "Goodfellas", "Cape Fear" dhe "Casino". Titulli i librit dhe i filmit tregon një vrasje të përgjakshme. Ideja që do të interpretojë irlandezin Sheeran e emocionon, por ajo që e kënaq më shumë është raporti i mrekullueshëm që ka me Scorsese-n. Jo rastësisht De Niro së bashku me Leonardo DiCaprio-n do t‘i dhurojnë regjisorit çmimin "Cecil B. De Mille" të HFPA (Hollywood Foreign Press Association), gjatë mbrëmjes së ndarjes së çmimeve për "Globin e Artë" ("Golden Globe"), që do të zhvillohet më 17 janar.
Çfarë ndodh mes jush dhe Scorsese-s kur punoni së bashku?
Çdo aktor që punon me Martin-n do t‘u thotë të njëjtat fjalë: që është i hapur për gjithçka. Çfarëdolloj gjëje që unë të provoj gjatë xhirimeve, ai e pret me shumë entuziazëm dhe punon për të, duke u përpjekur të të ndihmojë ta realizosh, edhe pse mund të mos funksionojë. Në këtë mënyrë, një aktor krijon besim në vetvete. Të kesh një regjisor që udhëheq filmin tënd në një mënyrë autoritare, por njëkohësisht dëgjon edhe aktorët, është një kombinim i pazakontë. Gjithmonë jam i lumtur kur bëj një film me Martin-n, pavarësisht miqësisë që kemi, për të mos folur pastaj që kam mësuar diçka më shumë për kinemanë falë tij, që është një enciklopedi ambulante.
Ky film është një projekt tepër ambicioz, apo jo?
Po, kemi njëzet vjet që e mendojmë. Duam të shfaqim dy filma: një lloj reflektimi mbi famën dhe eksperiencat tona. Miku ynë skenarist, Eric Roth, ka pasur idenë për të përdorur materialin që do të xhirojmë për filmin "Paint Houses", dhe për t‘ia bashkangjitur një filmi tjetër ku ne më pas do të reflektojmë mbi ato skena… Projekti nuk është ende i qartë, por po mendohemi. Do të na duhet shumë kohë, megjithatë do të jetë emocionuese.
Pse keni menduar ta vrisni pikërisht Hoffa-n?
Hoffa ka qenë një figurë shumë e rëndësishme në historinë e sindikalistëve amerikanë, para se të vdiste në vitin 1975. Lidhjet me mafien e vunë para përgjegjësisë si me John F. Kennedy, ashtu edhe me Lyndon Johnson, dhe përfundoi ne burg për korrupsion. Sheeran i ngriti një kurth në Detroid, e vrau dhe pastaj u arratis. Trupi i tij u dogj një orë pas vdekjes. Këto janë figura të rëndësishme të historisë sonë.
Ju keni realizuar versionin amerikan të filmit "Everybody‘s Fine" në rolin që luante Marcelo Mastroiani. E keni takuar ndonjëherë?
Po, disa herë, ishte shumë simpatik. Por dua të shtoj se filmi ynë është ndryshe nga ai Tornatore-s, i cili është realizuar në vitin 1990. Me kalimin e viteve gjërat kanë ndryshuar dhe historia e filmit tonë i ka pasqyruar këto ndryshime. Nuk jam përpjekur aspak të imitoj Mastroiani-n. Madje kam bërë sikur filmi jonë nuk ishte shfaqur më parë. I kam bërë ballë çdo mendimi dhe paragjykimi lidhur me këtë çështje. Historia është e njëjta, por duke se është një kohë dhe kulturë tjetër, natyrisht që ndryshon.
Personazhi juaj, Frank, ndihet si i huaj pa gruan dhe fëmijët. Po ju a ndjeni të njëjtën gjë?
Jo, unë nuk jam ndjerë kurrë i vetëm si ai. Nuk jam i paaftë si ai. Di të bëj kafe për veten, madje e bluaj me mulli. Është si një lloj terapie. Ndërsa fëmijët e mi jetojnë të gjithë në Nju Jork, afër meje. Ndihem i lumtur për këtë.
Një njeri me famë siç jeni ju, është i kënaqur me jetën private?
Ajo që më pëlqen të bëj është të qëndroj ulur në kolltuk i rrethuar nga fëmijët e mi. Të lexoj gazetën dhe të jem i informuar mbi lajmet e ditës.
Pas 40 vjetësh karrierë prestigjioze, për çfarë ndiheni më shumë krenar?
Nuk e di. Nuk mendoj kurrë për këtë gjë. Për mua është gjithçka e njëjtë, sepse unë gjithmonë punoj. Mendoj ende se duhet të përmirësohem profesionalisht. Mendoj se e mira ende nuk ka ardhur.
Kjo do të thotë se nuk ju pëlqen ta ktheni kokën pas?
Jo se nuk dua, por nuk kam kohë. Unë mendoj për atë kohë kur takoj ndonjë mik të vjetër ose koleg si Harvey Keityel dhe pastaj fillojmë të kujtojmë kohërat e vjetra, filmat e bërë së bashku, e kështu me radhë.
Çfarë rolesh ju ofrojnë zakonisht dhe si i zgjidhni?
Nuk kam aq forcë për të zgjedhur, por të paktën mund ta kundërshtoj atë që nuk më pëlqen. Nuk mund t‘i marr të gjitha përgjegjësitë e një filmi mbi vete, siç bëja dikur. Njëherë e një kohë Martin Scorsese bënte filmat që dëshironte, duke rrezikuar. Për fat shkoi mirë. Por sot të ardhurat dhe shpenzimet janë shtyllat ku mbështeten të gjitha zgjedhjet.