Presidenti i Popullit
Alban Mësonjësi
Viti 2012, sjell në kalendarin politik një ngjarje të rëndësishme, zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Është filluar të debatohet mbi këtë temë, kryesisht mbi dy aspekte kryesore. Aspekti kryesor, ai politik, lidhet me diskutimet mbi mazhorancën parlamentare, nëse ajo do të kërkojë të zgjedhë një President konsensual apo do të imponojë një President nga radhët e saj. PD së bashku me partitë aleate (dhe ndoshta disa deputetë të partisë socialiste), duket se i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë. Ndërkohë debati lidhet edhe me aspektin tjetër, atë juridiko-kushtetues, që lidhet direkt me zbatimin e Kushtetutës së Repunlikës së Shqipërisë për sa i përket kuorumit të nevojshëm prej 84 deputetësh, në tre seancat e para të votimit.
Për sa i përket aspektit politik, mendoj se është një debat i kotë dhe pa produkt. Lidershipi i PD ka treguar qartë se është i vendosur për të zgjedhur një president nga radhët e veta me profil të lartë politik, dhe nuk do të ofrojë asnjë bashkëpunim real me opozitën për votimin e një presidenti konsensual. Kam bindjen se maxhoranca do të filloj procedurën parlamentare javën e tretë të muajit maj (sikurse e parashikon Kushtetuta fillimin e procedurës palamentare), duke dështuar në tre raundet e para për të zgjedhur presidentin e saj politik. Një president i tillë do të arrihet të zgjidhet vetëm në raundin e katërt me mbi 71 vota, të cilat edhe me ndihmën e ndonjë deputeti ish-socialist, duket lehtësisht e arritshme. Kjo llogjikë është e vlefshme duke vlerësuar se, Partia Socialiste pas refuzimit të ofertës së saj për gjetjen e një emri konsensual, do të refuzojë pjesëmarrjen në zgjedhjen e presidentit të imponuar dhunshëm nga mazhoranca. Pra, diku nga mesi i muajit qershor shqiptarët do të kenë emrin e ri të Presidentit të Republikës, dhe do të jemi edhe njëherë tjetër të gjithë dëshmitarë që përsëri, vullneti i Kryeministrit dhe interesat e pushtetit, do të prevalojnë mbi konsensusin, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin opozitar për një çështje kaq të rëndësishme.
Por, një President i tillë do të jetë një president politik, që sigurisht do të jetë kreu i shtetit sikurse parashikon Kushtetuta, por, shumë larg rolit po kushtetues, që Presidenti i Republikës është shprehja e unitetit të kombit. Në këto kushte debati juridik, ka një rëndësi më të madhe se ai politik, për zgjidhjen e Presidentit të Republikës. Nëse opozita, në mungesë të kandidaturave konsensuale dhe refuzimit të ofertës së saj, nuk hyn në votim në tre raundet e para (nuk ka asnjë arsye ta bëjë një gjë të tillë), dhe këto raunde konsiderohen të vlefshme vetëm me prezencën e deputetëve të mazhorancës (në cdo rast më pak se 84 deputetë), a është presidenti i zgjedhur në raundin e katërt një president i zgjedhur sipas frymës së Kushtetutës? Ky është një debat juridik që vlen të diskutohet më fortë se karakteri politik, pasi shqiptarët duhet të jenë të qartë që presidenti që do të marrë detyrën dhe do të jetë kreu i shtetit për pesë vitet e ardhshmë është legjitim apo thjesht një pushtues i institucionit më të lartë të shtetit.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon në nenin 84 pika e 3, se: Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë apo të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votive të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Pra, për zgjedhjen e presidentit duhen jo më pak se 84 vota pro nga 140 deputetë që ka Kuvendi Popullor. Ajo që është e rëndësishme në këtë moment është se, nga intepretimi korrekt i frymës së Kushtetutës, dalim në përfundimin që numëri i cilësuar prej 84 deputetësh duhet të jetë në sallë edhe në momentin e hapjes së senacës parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në mungesë të një numëri të tillë deputetësh në hapjen e seancave ku kërkohet kuorumi i cilësuar prej 84 deputetësh, séanca parlamentare nuk është e vlefshme dhe votimi nuk mund të kryhet apo të konsiderohet i kryer. Rrjedhimisht, pa u kryer tre raundet e para të votimit, maxhoranca e ka të pamundur nga pikëpamja proceduriale të kalojë në raundin e katërt të votimit ku Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me 71 vota. Çdo vendim i marrë me forcë në raundin e katërt, pra, pa u kryer tre raundet e para të votimit, është tërësisht jashtë frymës së Kushtetutës dhe parashikimit konkret të saj në nenin 84, pika 3. Një President i tillë, nuk është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, dhe nuk mund të marrë detyrën pasi do të ishte ne kundërshtim flagrant me të. Ai sigurisht, do të ishte një President politik për maxhorancën dhe formalisht kreu i shtetit por, kurrsesi nuk do të jetë një President i popullit dhe përfaqësues i unitetit të tij