E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë, konkurrimi dhe demokracia

AGIM BAÇI

Demokracia është pasojë e komunikimit, së pari brenda një grupi që predispozohet që është bashkuar vullnetarisht, pra partive. Por, a dëshmojnë sot partitë politike shqiptare këtë tregues, që më pas transferohet në funksionimin e institucioneve?
Pa dyshim që detyra më e vështirë është të ndash medaljet sipas vlerës së gjithësecilit. Ka persona që brenda partive janë të aftë të bëjnë organizime, takime, të tërheqin mbështetës, të jenë bashkëbisedues. Por po këta persona, në momentin që duhet të drejtojnë një institucion, me parimin e ligjit dhe larg emocioneve, mbeten të pazotët ta bëjnë. Mirëpo një njeri i tillë është vështirë të largohet pasi partia e tij fiton pushtetin, pasi në logjikën elementare ai kërkon konvertimin e kontributit. Por a kemi ne sot një mundësi të ndajmë këto njerëz nga shtetarët?
PD tregoi në historinë e saj të afërt, me krijimin e KOP-it, se përveçse tërheqës për elektorat, qytetarët kanë nevojë të shikojnë njerëz të aftë për të drejtuar. Dhe krijimi i një grupi që performoi ide e dha rezultatin me fitoren në 2005-n.
Në logjikën politike, ajo që ndodhi ishte, në fakt, një lloj pranimi i mungesës së karrierës, së komunikimit të hapur brenda partisë. Sepse nëse partia funksionon përmes mekanizmave kualifikues dhe skualifikues, në mbështetje të meritave, atëherë grupe të tilla janë të panevojshme për tu ngritur. Megjithatë, Berisha pati intuitën për të kuptuar se çfarë kërkonin qytetarët për një parti që ta votonin, ndaj dhe bëri ndryshimin, duke u hapur derën si kundërshtarëve të tij të hershëm në parti, ashtu edhe kundërshtarëve nga shoqëria civile. Dhe në politikë hapa të tillë duhen përshëndetur, pasi janë kurajë për korrigjim të gabimeve.
Por, në krahun tjetër, i zgjedhuri në krye të PS-së në vitin 2005, Edi Rama, i theu vetë rregullat që vuri, për ndryshimet në rast të humbjes. E gjitha kjo solli një efekt domino, duke bërë që PS të nisë tkurrjen e saj nga krenaria publike që kishte për debatet e brendshme. Dhe kështu nisi një pushtim i butë i PS-së nga të emëruarit e Ramës, i cili për një kohë të gjatë ngatërroi partinë me Bashkinë. Ai ngatërroi në mënyrë të hapur konkurrencën me konfliktin, duke u angazhuar se do të pastrojë partinë nga të vjetrit, a thua se po ndërtonte një ekip futbolli.
Me shumë të drejtë deputeti Arben Malaj ka mbështetur i pari idenë e kufizimit të mandateve për të zgjedhurit, si dhe shmangien e qëndrimeve brenda partive me thjesht pro apo kundër. (Gazeta Panorama, 18.01.2012). Por unë besoj se kjo do të vlente brenda partive, për tu dhënë mesazhin të gjithëve se mund të jenë aty pasi gjithkush mund ta ketë një shans.
Ndërkohë që nuk ka logjikë kufizimi i mandatit të Kryeministrit, përkundër asaj që kanë ndërmarrë disa persona në emër të shoqërisë civile, pasi do të paragjykonim votën e sovranit, i cili mund të dëshirojë të drejtohet nga një forcë politike, që mund të ketë një kryetar të suksesshëm.
Por sigurinë për një demokraci vlerash mund ta japë dhënia e mundësive, një konkurrim i drejtë, sepse duke pasur parti që dinë të ndërtojnë konkurrimin dhe respektin brenda konceptit vullnetar, mund të besojmë se mund të kemi edhe rregulla në funksionimin e institucioneve, që do të drejtohen nga ata që më parë kanë kaluar këtë kualifikim brenda grupimeve të tyre politike.
Ajo që kërkon Malaj, që përputhet me demokraci të zhvilluara, është pak në luks mendimi për momentin, por e rëndësishme është që të nisë të diskutohet. Përndryshe, breza të tërë mund të ndihen të djegur në karrierë politike vetëm për faktin se nuk ishin studentë në vitin 90, apo kur u themeluan partitë e tjera.
Nëse do ti hapej rruga një konkurrimi të tillë, do të shmangej edhe konkurrimi i njerëzve spontanë për në Kuvend, të cilët më pas janë edhe të mandatuarit për të monitoruar qeverinë dhe institucionet që drejtojnë një vend. Kjo kërkon së pari njerëz që i respektojnë vetë rregullat e që nuk e nisin autoritetin nga përjashtimi, por nga ftesa.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›