E Diel, 1 Nëntor 2026

Patriotizmi, interesi kombëtar dhe zhurma e politikës

GRID RROJI

Kohët e fundit është hapur një debat mbi rolin e ideologjisë kombëtariste në politikën shqiptare dhe lëvizjet e reja politike në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë që mbështeten në atë ideologji, si Aleanca Kuq e Zi dhe Vetëvendosja. Debati mbi ndikimin e frymës kombëtare në politikë ka të bëjë me qasjen e përgjithshme të politikës shqiptare ndaj interesit kombëtar. Si i tillë, ky është një debat sa i vlefshëm, aq dhe i vonuar për mbarë shoqërinë.
Mirëpo, debati mbi kombëtarizmin dhe interesin kombëtar del vetvetiu nga konturet e interesave të ngushta të klaneve të caktuara, të cilat luftojnë për pushtet në politikën shqiptare sepse ka të bëjë jo vetëm me organizimin e shtetit, por edhe me atë që do ta quaja identitetin e shqiptarëve brenda dhe jashtë territorit aktual të shtetit shqiptar. Kësisoj, për të qenë racionalë në një debat të tillë nuk mjafton përshkrimi i lëvizjeve politike brenda sistemit të tanishëm, por duhet medoemos analizuar organizimi fillestar i sistemit politik, dobia e organizimit të shtetit bazuar në interesat kombëtare, si dhe duhen përcaktuar prioritetet strategjike dhe mënyrat për ti përmbushur këto objektiva.
Në aspektin teorik, debatet potenciale mbi nevojën e frymës kombëtare të shtetit duhet të ishin veçse hapat fillestarë të krijimit të një vizioni strategjik për të ardhmen, i cili do të duhej të ishte i përqafuar nga mbarë klasa politike dhe intelektualët. Ndryshimet mes palëve (pluraliteti) do të duhej të vinin nga metodat e ndryshme për ti arritur këto objektiva. Këto metoda do të duhej të diktoheshin nga botëkuptimi filozofik i palëve. Mirëpo në realitet, në emër të integrimit, dallimet mes palëve bëhen të papërfillshme, sidomos kur vjen puna për të administruar (ndarë) pushtetin, shkatërruar dhe klanizuar strukturat shtetërore, grabitur publikën dhe duke përdorur retorikën e ndasive. Ajo që ndryshon është sofistikimi i njërës apo tjetrës palë në këto procese. Pra, sistemi politik është i ndërtuar në mënyrë që palët të zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet në mënyrë ciklike, duke kockëzuar mbërtheckën që ato kanë ndaj tij. Përtej formulave shterpë për integrim në Europë e festave të kushtueshme sipërfaqësore me imazhe të ndërtuara mediatikisht, politika shqiptare nuk ka ofruar vizion të qartë për të nesërmen e shqiptarëve si komb dhe deri më sot nuk ka ofruar një parti me baza ideologjike që ta shpalosë një vizion të tillë. Përkundrazi, politika në Shqipëri, për hir të interesave të ngushta politike, ka përqafuar vizionin kozmopolit të integrimit në Europë si panacea e problemeve ekonomike-politike të shqiptarëve. Me fjalë të tjera, qëllimi kryesor i shprehur i palëve si në pushtet apo në opozitë, si në politikën e brendshme edhe atë të jashtme, ka qenë dhe mbetet arritja e këtij integrimi. Ka disa arsye të cilat e bëjnë këtë një qasje pa të ardhme dhe ndërtimin e një shteti të konsoliduar, të pavarur nga politika, i cili ka prioritet zhvillimin kombëtar një domosdoshmëri për shqiptarët në shekullin XXI.
Së pari, ashtu siç u shpreh një zyrtar i BE-së së fundi, procesi i integrimit do të zgjasë të paktën deri më 2020-n, dhe kjo në varësi të plotësimit të kushteve të vendosura nga BE-ja, por edhe të vullnetit të BE-së për tu zgjeruar në Europën Juglindore e më specifikisht në Ballkan. Thënë ndryshe, përtej deklarimeve boshe të politikës shqiptare, kjo e fundit nuk ka asnjë kontroll mbi procesin. Kohëzgjatja e tij, përveçse me baza jo objektive (mjafton të kujtojmë rastin e Turqisë),  prodhon në vetvete pasiguri për të ardhmen. Askush nuk shqetësohet ti bëjë vetes pyetjet çfarë përfitojmë nga integrimi? dhe çfarë ndodh nëse nuk integrohemi?. Së dyti, në aspektin ekonomik, adoptimi i modelit integrues ka krijuar detyrimin për tu konformuar me normat e acquis communautaire duke neglizhuar krejtësisht krijimin e një ekonomie kombëtare me fizionomi të qartë dhe efektive. Për shembull, në një vend që synon të promovohet si vend turistik ndërtohen TEC-e me qymyr, ndërsa prodhimi bujqësor është i mbytur nga monopolet e fuqishme, të cilat u mbijetojnë si për mrekulli ndërrimeve të pushteteve në të gjitha nivelet. Së treti, i ashtuquajturi model integrues kufizon ndjeshëm sovranitetin e Shqipërisë duke rrezikuar qenësinë e shtetit shqiptar. Në një mjedis ndërkombëtar ku mbizotëron modeli i shtetit-komb dhe ku të gjithë aktorët janë në luftë të vazhdueshme për mbijetesë, çdo shtet i varur nga të tjerë është detyrimisht i rrezikuar.  Shembulli më i qartë i brejtjes së sovranitetit që sjell korrupsioni dhe monopolet në ekonomi është deficiti tregtar, i cili, sipas INSTAT-it, në gusht të 2011-s kapi shifrën dy miliardë dollarë. Duhet theksuar se korrupsioni dhe monopolet nuk e brejnë shoqërinë shqiptare vetëm si fenomen i qeverisjes së çdo ngjyre, por retorika antikorrupsion është shndërruar në një mjet të thjeshtë të të bërit opozitë shterpë. Duke qenë e pambështetur në një vizion real të ndryshëm, retorika bën punë vetëm në opozitë dhe zëvendësohet sakaq nga teknika të reja korruptive kur pakica vjen në pushtet.
Së katërti, varësia e shtetit nga prurjet e emigracionit si dhe vazhdimësia e fenomenit të largimit nga Shqipëria, që u vërtetua nga procesi i censusit, tregojnë se ndonëse promovohet mediatikisht nga të gjitha palët si e vetmja rrugë, modeli integrues ka dështuar. Nëse Shqipëria do të ishte zhvilluar aq sa na thonë qeveritë e të gjitha ngjyrave, do të duhej të kishim një kthim masiv të emigrantëve, ndërkohë që censusi provon të kundërtën.
Së pesti, po jo e fundit për nga rëndësia, interesat kombëtare të Shqipërisë nuk mund të konceptohen – siç mëton një klikë analistësh kozmopolitë, të cilët me cektësi e gjykojnë kombëtarizmin si çështje diaspore me vena të rreshkëta – jashtë kontureve të Kosovës dhe të të gjitha trevave etnike shqiptare. Siç theksonte së fundi Tim Judah i The Economist, i cili nuk shquhet për mbështetje ndaj kombëtarizmave, ka të paktën një zonë tregtare shqiptare, e cila është trajtëzuar gjatë këtyre viteve me marrëdhënie ekonomike e tregtare. Më tej, ngjarjet e fundit tregojnë se me gjithë entuziazmin e shumë prej nesh për pavarësinë e Kosovës, çështja jo vetëm që nuk është mbyllur, por po shfaq përditë e më tepër konturet e një paqëndrueshmërie në vazhdim. Kësisoj, duket e paevitueshme që në mungesë të një zgjidhjeje të pranueshme shqiptarët do të rishqyrtojnë dobinë e mënjanimit të aspiratave të tyre për bashkim, edhe pse kjo po duket qartë që nuk u volit elitave politike në Shqipëri e në Kosovë. Mirëpo, historia ka treguar se përpos një vullneti të qartë popullor, elitat politike munden ti vonojnë, por jo ti ndalin këto procese.
Ndaj, rritja e shpejtë e mbështetjes për Aleancën Kuq e Zi apo edhe mbështetja që gëzon Vetëvendosja tregojnë jo vetëm se ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve si etni më vete është tepër e fortë, por edhe se në sferën politike shqiptare ka një boshllëk. Mungesa e një force politike serioze me karakter kombëtarist është një nga boshllëqet vështirësisht të shpjegueshme që ka krijuar tranzicioni dhe që duket se nuk do të vazhdojë edhe shumë gjatë. Tashmë që AKZ-ja ka deklaruar se nuk do të kufizohet në nisma afatshkurtra, por do të krijojë aksion të mirëfilltë politik, duket se synimi i tyre është të mbushin këtë hapësirë. Mbetet për tu parë nëse drejtuesit e AKZ-së do të kenë seriozitetin dhe njohuritë e duhura për të mos e banalizuar mesazhin me thirrje stadiumesh e për ta mos shndërruar në një nga prodhimet e shumta të tranzicionit, i.e. një prodhim të manipulueshëm nga politika aktuale. Mbështetja popullore që merr AKZ-ja në gjykimin tim nuk e ka bazën aq shumë te besueshmëria e individëve, të cilët kanë dalë në krye, sesa te forca e patjetërsueshme dhe historike e mesazhit kombëtar. Mirëpo, mesazhi kombëtar nuk mund të kufizohet në dy-tri parulla popul

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›