E Diel, 1 Nëntor 2026

De-enverizimi i shoqërisë shqiptare

Nga Dreni Rudaku

1. De-enverizimi i shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri

Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është proces i vështirë, i dhimbshëm dhe mjaft i ndërlikuar. Ky proces tani për tani perceptohet me nuanca ngjyrash të llojllojshme nga shtresa e kategori të ndryshme shoqërore. Dekomunistizimi herë mendohet si kthim i drejtësisë në vend; herë si katarsis shpirtëror i një shoqërie postkomuniste; herë si revansh apo hakmarrje ndaj komunistëve; herë si tendencë e klasës politike dhe liderëve institucionalë për t’u larguar nga problemet aktuale reale që ballafaqohen qytetarët shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri; herë si presion nga vendet demokratike, të cilat kaluan në procesin e denazifikimit dhe dekomunistizimit; herë si shtytje nga shoqatat e ish-të dënuarve politikë shqiptarë, si p.sh., Shoqata Mbarëkombëtare e ish-të Dënuarve Politikë në Shqipëri me në krye disidentin Adem Allçin, apo ta zëmë, shembullin që kemi me pikëpamjet e analistit shembullor të Shqipërisë që ishte ish-i burgosur politik rreth 17 vite gjatë regjimit komunist, intelektuali tashmë i njohur për publikun shqiptar, Fatos Lubonja. Pavarësisht këtyre konceptimeve, ideja e dekomunistizimit përfshin denatyrimin e institucioneve partiake, shtetërore, institucionale - komuniste, rigjenerimin e kulturës politike të udhëheqjes dhe menaxhimit shtetëror, minimizimin apo eliminimin e mentalitetit dhe mendësisë komuniste, autoritariste, totalitariste, hapjen e dosjeve për ish-kriminelët e Byrosë së regjimit, si dhe konstituimin dhe konsolidimin e shtyllave të demokracisë, si të drejtat e njeriut, pjesëmarrjen dhe ngritjen e shanseve qytetare për barazi, drejtësi, liri, forcimin muskulor dhe përmbajtësor të shoqërisë civile, pavarësinë e mediave nga politika, mbrojtjen e qytetarit kundrejt monopolit shtetëror etj.

2. Përvjetori i ditëlindjes së Enver Hoxhës në Prishtinë dhe “çrregullimi i stresit postkomunist”

Shoqëritë postkomuniste dhe kalimi i tyre në sistemin demokratik dhe kapitalist, me bazë pluralizmin politik, pronën private, të drejtat individuale, marrin kohë që të dekomunistizohen edhe përkundër faktit që de jure institucionet vishen me petkun e demokracisë. De facto shoqëria jonë ende ka mbetje “komuniste”, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kjo i ngjan një çrregullimi psikologjik që quhet çrregullim i stresit post-traumatik (ÇSPT), që nënkupton shfaqjen e simptomave traumatike, anksioze, edhe pas kalimit të ngjarjes traumatike, aksidentit, apo fatkeqësive të ndryshme natyrore, apo njerëzore që iu ka ekspozuar apo nënshtruar individi. Pra, edhe kur kalon ajo që ka traumatizuar personin me ÇSPT, ai ka ripërsëritje të vazhdueshme të përjetimeve traumatike. E, kur lidhet çështja me komunizmin, analogjikisht do ta definoja si “Çrregullimi i stresit post komunist” (ÇSPK), individët që edhe pasi kanë përjetuar komunizmin, por që tanimë është zhdukur nga vendi i tyre ky model i organizimit shoqëror dhe ekonomik, përsëri kanë rishfaqje të nostalgjive apo enverofilizmave fiktivë dhe obsesivo-kompulsivë. Kjo vërtetohet edhe me manifestimin e sjelljeve dhe qëndrimeve kundrejt së kaluarës enveriste që është duke u shprehur në forma dhe trajta të ndryshme. Dikujt i shkon mendja atje në Gjirokastër të bëjë parulla si “Enver Hoxha, ti je gjallë”. Në Kosovë organizohet nga klubi politik “Afrim Zhitia”, jubileu me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes së Enver Hoxhës, arkitektit dhe inxhinierit të komunizmit shqiptar, ku ndër të tjera u bë ftesë publike për rishikimin e rolit dhe kontributit të Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës, detyrimi për ta parë pozitivisht fytyrën e Shqipërisë enveriste etj. Para këtyre gjërave ishte edhe intervista gjysmë e strukturuar e Nexhmije Hoxhës nga gazetarja Rudina Xhunga, që ndezi polemika dhe reagime nga opinioni publik, dhe që të gjitha këto së bashku bëjnë që të krijohet nevoja për të debatuar atë që vërtet na mundon si shoqëri, krimet e komunizmit, dhe njëherazi që të kuptojmë se sa jemi duke ndërtuar shoqëri tamam demokratike. Në anën tjetër, kemi shoqatat e ish-të dënuarve politikë gjatë regjimit komunist, të cilët bëjnë thirrje që të largohen nga të gjitha postet publike dhe institucionale të shtetit të gjithë ata që kanë asistuar, iniciuar, planifikuar dhe ekzekutuar (pushkatuar) rreth 6000 viktima njerëzore me pretekstin se ishin të etiketuar si “armiq të popullit”, pastaj afërsisht 17 mijë të burgosur politikë, izolimin nga bota perëndimore për gati 50 vite, monopolin absolut mediatik si për shembull, pamundësia për të pasur antena satelitore për të parë se si të “tjerët” (lexo shoqëritë demokratike-kapitaliste) po gëzonin lirinë dhe të drejtat qytetare etj. Thënë realisht, enverofilizmat në Kosovë dhe gjetiu janë indikatorë të pakënaqësisë qytetare me nivelin e sotëm të zhvillimit të mirëqenies dhe standardit të ulët ekonomik, energjitik dhe shoqëror, ani që jemi me institucione demokratike. Pra, jo që po kemi ri-komunistizimin e shoqërisë shqiptare, por rishikim të politikave tona institucionale që të bëjnë më tepër për kushtet ekonomike, në mënyrë që të kemi një demokraci liberale të qëndrueshme dhe një shtet të së drejtës. Pra, ka një revoltë ndaj dobësimit të demokracisë e jo dobësimit real të kësaj të parës!

3. Sindroma e Stokholmit apo sindroma e Enverit?!

Është e njohur situata socio-psikologjike, kur viktima mund të identifikohet me agresorin, ku ai/ajo që është zënë peng, nuk denoncon pengmarrësin, dhe kjo në literaturën shkencore tani quhet Sindroma e Stokholmit. Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare, nëse nuk denoncon krimet e komunizmit, nuk i hap dosjet, nuk debaton dhe eksploron gjithë atë që ka ndodhur në kohën e Enverit, që mundohet të klikojë “delete” të asaj çfarë ka ndodhur në regjimin autoritarist, mund të themi se vuan nga Sindroma e Stokholmit apo thënë më drejt Sindroma e Enverit. Viktima dashunohet me dhunuesin. Populli kujton dhe ndjen mallëngjim e pikëllim me rastin e përvjetorëve të ish-diktatorit Hoxha, e nuk i bie në mendje të kujtojë viktimat e komunizmit shqiptar-enverist. Jo kujtim për viktimën, por për memorimin e vdekjes së xhelatit! Ka shumë shembuj se si viktima, mbasi lirohet nga dhunuesi, e harxhon tërë energjinë e tij/saj për ta nxjerrë prej burgu, apo për mos ndëshkuar dhunuesin. Pa një ndëshkim kolektiv të krimeve të Partisë së Punës, shoqëria shqiptare nuk do të çlirohet nga ndjenjat e të qenit kriminele. Nëse nuk reflektojmë për krimet e së kaluarës dhe ndjejmë përgjegjësi kolektive-shoqërore për të zbardhur ata që fshihen e jetojnë midis nesh (lexo: komunistët që kanë kryer vepra pushkatimi e internimi), nuk ka katarsis të plotë të gjendjes psikologjike dhe emocionale të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Nëse bëhemi memoristë të shkëlqyer për kontributin dhënë Kosovës nga E. Hoxha, atëherë, a mos po harrojmë edhe “kontributet” që i ka dhënë ky i përmenduri për likuidimin e gjithë atyre qytetarëve shqiptarë të asaj periudhe totalitariste dhe diktatoriale?! Solidarizimi me viktimat nga i “Kuqi Enver’’, ngritja e ndonjë memoriali për viktimat e komunizmit (Kujto: Kongresi amerikan ka miratuar një ligj në vitin 2006 për ndërtimin e një memoriali në Uashington për nder të më shumë se 100 milionë viktimave të komunizmit), integrimi shoqëror dhe institucional i ish-të dënuarve politikë, përkujdesja ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për një shoqëri të lirë dhe të hapur, do të duhej të ishte në axhendat e shtetit të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë qytetarëve.

4. Recidivizmi komunist- enverist

Autori i famshëm bashkëkohor, Ralf Dahrendorf, në librin e tij “Konflikti shoqëror modern”, kapitulli “Tundimet e totalitarizmit”, citon Herbert Spiron që kishte shkruar: “Hitleri ka vdekur, po kështu edhe Stalini (edhe Enveri shënimi im). Shtrohet pyetja: A mund të ndodhë përsëri ajo që ndodhi? A mund ta vizitojë totalitarizmi dy herë të njëjtin vend? Pasi një regjim totalitar e ka përshkruar rrugën e tij të shkatërrimit, kushtet për shfaqjen e tij zhduken njëherë e përgjithmonë”. (D. Ralf: “Konflikti shoqëror modern”, Shtëpia botuese “Dituria”-Ceu, faqe 106). Nëse kjo shoqëri dhe ky vend është në baza të shëndosha dhe rrugës së palëkundur moderne dhe demokratike, atëherë gjasat janë të vogla, do të përgjigjej Dahrendorf. Duke vazhduar më tej, ai si dhe disa sociologë e analistë të tjerë, totalitarizmin dhe modernitetin i percepton si të ndara, si disonancë dhe diskrepancë. Një lloj demarkacioni, sepse, siç beson edhe sociologu modern, Ralf, “tundimi totalitarist ka në vetvete një damar antimodern, një revoltë kundër modernitetit.” (po aty, faqe 99). Nga kjo kuptojmë që shoqëritë me mbeturina feudale, aristokratike, me kanune fisnore, me një shoqëri civile të dërmuar apo të paqenë fare, me struktura shoqërore para-moderne, tradicionale, do të kishin mundësi më tepër për t’u kthyer në recidivizëm totalitar. “Rruga e modernitetit është rruga nga autoritarizmi në demokraci, ndonëse kjo të çon ndonjëherë përmes purgatorit totalitarist.” (po aty, fq. 107). Edhe kujtimet për Enver Hoxhën, festimet dhe kremtimet për ditëlindjet e diktatorit të Shqipërisë së viteve 1945-1985, vendosja e imazheve dhe ikonave komuniste në muret e zyrave personale të individëve institucionalistë (si ajo nga i pari i parlamentit të Kosovës!) nuk janë metaforë dhe alegori e shëndetshme për intensitetin dhe kualitetin e demokracisë që po ndërtojmë. Në dhomat dhe korridoret institucionale-etatiste të botës demokratike, të vendosësh diçka komuniste është fyerje dhe djallëzi për vetë shtyllat e demokracisë dhe liberalizimit. Mirëpo, ndalimi i individëve për të jetësuar nostalgjitë e tyre enveriste apo titiste, nuk bëhet, nëse përdorim rrugën diktatoriale edhe përkundër faktit që bëhen manifestime për figura komuniste, siç ishte ajo e organizuar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, as që jam për vendosjen e policisë për të stopuar mbledhjet e simpatizantëve të “xhaxhit Enver”, por me një zhvillim permanent dhe konsistent të institucioneve të fjalës së lirë, transparencës, llogaridhënies, reduktimin e korrupsionit, ngritjen e mirëqenies së përgjithshme socio-ekonomike, dhënien e infuzionit për shoqëri civile, krijim i infrastrukturës institucionale për media të lira etj. Gjykoj dhe vlerësoj se ky jubile për ditëlindjen e diktatorit, është kuptimplotë jo për rritjen e komunistëve shqiptarë apo zgjimin e tyre, por më tepër nga një pakënaqësi ndaj klasës politike të shoqërisë shqiptare dhe asaj në Kosovë, nga një situatë e mjerë ekonomike, nga mungesa e kushteve bazike, si reduktimet e rrymës elektrike, ujit të pijshëm, nepotizmit, papunësisë etj.

5. Enveri për shqiptarët në Kosovë

Enverofilët në Kosovë e mbështesin simpatinë dhe dashurinë e tyre ndaj personazhit të Enver Hoxhës në faktin që ai ka kontribuar për çështjen e Kosovës, nuk na ka harruar asnjëherë që jemi pjesë e Shqipërisë Nënë, ka qenë pikë reference në atë kohë për idealet dhe motivet kombëtare etj. Po ashtu, edhe të mos ishte ontologjikisht Enver Hoxha, nuk është personaliteti i tij që i ka yshtur kosovarët ta kenë afër zemrës atë, por vetë fakti se ka qenë në krye të Shqipërisë, qendrës gravitacionale të të gjithë shqiptarëve anekënd Ballkanit dhe më gjerë. Pra, kushdo që do të ishte kryetar, president, udhëheqës, lider i Shqipërisë, shqiptarët në Kosovë do ta donin, o komunist, o demokrat. Kështu mendojnë disa (shkrimi i Baton Haxhiu mëton këtë justifikim të enverofilëve kosovarë, botuar në “TemA”). Dhe jo vetëm kaq! Shqiptarëve në Kosovë, sa ma shumë që iu shtohej presioni, dhuna sistematike nga politika institucionale serbe, aq më tepër rritej edhe idealizimi dhe mitizimi i Shqipërisë dhe bashkëkombësve andej kufirit. Ka shumë shqiptarë të Kosovës që kur shkuan për vizitë personale apo arsye tjera në Shqipëri, arritën të deziluzionohen për moralin politik të E. Hoxhës, dhe sistemin të cilin e zbatonte ai bashkë me vartësit e tij. Ata atje panë filmin horror real.

5. Enveri për shqiptarët në Shqipëri

Regjimi enverist i të kontrolluarit të çdo gjëje, “Big Brother”-it shqiptar institucional, shpallja lehtësisht “armik i popullit”, internimet, pushkatimet e kundërshtarëve apo opozitarëve të paorganizuar në parti, sepse dihet që në sistemin komunist ka vetëm mono-parti etj., kanë bërë që shqiptarët të kërkojnë dhe të veprojnë të dalin nga zgjedha diktatoriale dhe komuniste, të mos mundin më të durojnë totalitarizmin shtetëror dhe dihet sjelljen e demokracisë në Shqipëri e kanë kushtëzuar edhe një sërë ndryshimesh sociale që ndodhën në përgjithësi në Evropën Lindore dhe gjetiu, në mënyrë që të shembnin rrugën e izolimit, diktaturën dhe të konsolidojnë demokracinë. Ata që flasin me plot mall për kohën e “xhaxhi Enverit”, envero-nostalgjikët, mund të jenë kategoria shoqërore e të paintegruarve në rrjedhat shoqërore, institucionale të kohës së demokracisë së sotme; që kanë kryer krimet gjatë komunizmit dhe e dinë ku e kanë vendin; pastaj ata që nuk janë të kënaqur me klasën politike institucionale aktuale, korruptimi, ngjarja e Gërdecit, vrasja e Kosta Trebickës, mungesa e kushteve elementare, si reduktimet e rrymës elektrike, varfëria, papunësia, ekonomia e pazhvilluar etj.; ata që krahasojnë periudhën kur ka sunduar Enver Hoxha si komunist, dhe analogjitë që nxjerrin me kohën e tanishme që udhëheqin demokratët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›