E Diel, 1 Nëntor 2026

Institucioni që do të licencojë farmacistët dhe farmacitë, mungon!

Nga Nga Arian Jaupllari*

Projekti përfundimtar i ndryshimeve të ligjit 9323, datë 25.11.2004, “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” është dërguar në Kuvendin e Shqipërisë, pasi ka marrë dhe miratimin nga Komisioni parlamentar i Shëndetësisë. Ky projekt kaq shumë i kundërshtuar nga aktorët e shërbimit farmaceutik ka pësuar disa ndryshime të vogla nga projekti i miratuar në qeveri vetëm për sa i përket barit, duke bërë që të sigurohet njëfarë garancie për barin dhe rrugën e qarkullimit të tij nga prodhuesi deri te përdoruesi. Shërbimi Farmaceutik, nëpërmjet këtij projekti ndryshimesh, çon drejt degradimit të drejtimit profesional. Licencimi i farmacistëve dhe farmacive nga një institucion vendor joprofesional përbën për këtë shërbim modelin më të keq që ka pasur ndonjëherë shërbimi farmaceutik, kaq i rëndësishëm për shëndetin e njeriut.

Në këtë projekt-ndryshim propozohet një përkufizim me këtë përmbajtje: “Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal” është autoriteti që koordinon, drejton dhe kontrollon gjithë shërbimin shëndetësor në nivel vendor”. Pse ky ndryshim nuk duhet të jetë kështu: Së pari, ky institucion sot nuk ekziston. Janë të ngritura me ligj vetëm DSHP që funksionojnë në çdo rreth. Së dyti, sanksionimi i këtij neni në ligjin e barnave përbën një mospajtim, pasi ky nuk është ligji i Kujdesit Shëndetësor dhe bën fjalë për krijimin e institucioneve shëndetësore. Madje, po t’i referohemi projektit të ligjit “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i cili është përfunduar dhe pret rrugën ligjore të miratimit, vërehet se në nenin 3 të këtij projekti, me titull “Përkufizime”, nuk ekziston përkufizimi i këtij institucioni, DSHP. Në nenin 15 me titull “Shëndeti Publik”, pika 2 e projektit, ku flitet për shëndetin publik, shprehimisht thuhet: “Organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e shërbimit të shëndetit publik rregullohen me ligj të veçantë për Shëndetin Publik.”

Del e qartë që ligji i barnave nuk është ligji i shëndetit publik që përcakton DSHP rajonale.

Kurse në nenin 16 me titull “Sektori Farmaceutik”, pika 2 të po këtij projekti, shprehimisht thuhet: “Rregullat e organizimit dhe funksionimit të sektorit farmaceutik përcaktohen me ligjin Nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat“, i ndryshuar”.

Fatmirësisht, ligji 9323, datë 25.11.2004, “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” është në fuqi dhe është shprehur qartë në nenin 12 se kush është autoriteti kontrollues në shërbimin farmaceutik, shprehimisht citohet: Neni 12, “Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKKB) është institucion i specializuar për analizën, regjistrimin, kontrollin e barnave dhe inspektimin veprimtarive në fushën farmaceutike.” Pra, vendosja e këtij përkufizimi për DSHP nxjerr si autoritet kontrolli një strukturë jo të specializuar dhe përjashton funksionin e autoritetit të specializuar, ndërkohë që fatkeqësisht ky autoritet nuk ekziston. Pra, mbetet Ministria e Shëndetësisë autoriteti përgjegjës për shërbimet shëndetësore në tërësi dhe strukturat e specializuara, Drejtoria Farmaceutike dhe QKKB për barnat dhe shërbimin farmaceutik. Këtu doja të theksoja faktin se propozimi jonë për rishikimin në tërësi të këtij ligji është se duhet të ndahet me ligje të veçanta bari nga shërbimi farmaceutik. Barnat duhet të jenë nën autoritetin e Agjencisë Kombëtare të Barnave, e cila duhet të ketë varësi direkte nga Kuvendi i Shqipërisë. Shërbimi farmaceutik të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtorisë Farmaceutike dhe Urdhrit të Farmacistëve.

Cilat janë pasojat e këtij ndryshimi?

Së pari, ato janë të rrezikshme që në mënyrën e konceptimit dhe marrjes së iniciativës. Për fat të keq kjo iniciativë është marrë nga një grup i Task-Forcës me në krye Ministrinë e Ekonomisë, të cilët, të bazuar në kriteret e tregtisë së lirë, të rekomanduara nga OBT, e shtrijnë sferën e veprimit të këtyre kritereve edhe në fushën e shëndetësisë duke e krahasuar importimin e barnave njëlloj si atë të domateve dhe se kontrollin e barnave dhe të shërbimit farmaceutik mund ta bëjë dhe një strukturë e paspecializuar. Ndërkohë që janë të përcaktuara qartë në direktivat e OBSH dhe Komunitetit Evropian rregullat e prodhimit, qarkullimit, kontrollit të barnave dhe të shërbimit farmaceutik. Këputja e një hallke të këtij zinxhiri ka pasoja të pariparueshme për sistemin farmaceutik dhe shëndetin e njeriut. Dhe në rastin konkret cenohet rëndë hallka e shërbimit farmaceutik.

Së dyti, nëse do të mendonim që bëhet në emër të lehtësirave të biznesit, përsëri ka dy probleme kontradiktore më njëri-tjetrin. Së pari, të lehtësosh kontrollin ndaj shërbimit farmaceutik duke ia dhënë në dorë një strukture të paspecializuar që nuk është e aftë të kontrollojë, dëmton shëndetin e popullit me ligj dhe së dyti, nëse pas kontrollit të DSHP për 10 ditë do të shkojë ta miratojë këtë veprimtari dhe QKKB, nuk kemi bërë gjë tjetër vetëm se kemi shtuar një hallke të ndërmjetme si DSHP ndaj biznesit, mendo këtu dhe faktin që ky lloj aktiviteti nuk është thjesht biznes, por një shërbim i domosdoshëm dhe i kontrolluar nga struktura të specializuara, të cilat në fund të fundit garantojnë shëndetin e njeriut.

Në nenin 5 të këtij projekti shprehet se licencimi i farmacistëve dhe farmacive do të bëhet nga DSHP rajonale. Argumentuam më sipër se DSHP rajonale nuk ekziston, praktikisht nuk do ketë as licencim të farmacive. Atëherë do mbetet që këtë detyrë ta bëjnë DSHP ekzistuese. Po të mendonim për një moment që licencimi do bëhet nga DSHP e rretheve, çfarë pasojash ka.

Së pari, këto institucione nuk kanë të përcaktuara politikat rajonale të zhvillimit farmaceutik, pasi në strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë të miratuar nga qeveria shqiptare, për vitet 2007-2013 është përcaktuar saktë se është Drejtoria Farmaceutike ajo që përcakton dhe udhëheq politikat në fushën farmaceutike. Së dyti, nuk ka strukturë të specializuar të përbërë nga specialistë farmacistë pranë DSHP të rretheve dhe ngritja e kësaj strukture do të kërkonte dhe burime njerëzore me farmacistë, por dhe burime financiare të konsiderueshme të panevojshme nisur nga numri i madh i tyre, së treti, ky projekt nuk është shprehur në lidhje me detyrat, organizimin dhe funksionimin e kësaj strukture, së katërti, specialisti farmacist nuk do jetë i motivuar për të punuar për dy arsye; e para, varësia profesionale dhe e dyta, niveli i pagës në këto struktura. Kështu që në vend të inspektorëve farmacistë do punojnë si inspektorë kategori të tjera profesionesh. Këto janë premisat e degjenerimit të kontrollit të këtij shërbimi.

Çfarë propozojmë ne?

Mendimet e Urdhrit të Farmacistëve janë të shprehura në vazhdimësi prej dy vitesh në të gjitha llojet e projekteve që ka paraqitur Ministria e Shëndetësisë për ndryshimin e ligjit “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” duke iu përmbajtur idesë që ligji “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” duhet ri-parë në tërësi, sepse, së pari, janë bërë disa amendime dhe së dyti, OBSH dhe Komuniteti Evropian rekomandojnë rregulla të forta për barnat dhe shërbimin farmaceutik, për shkak se janë shfaqur fenomene të rrezikshme si falsifikimi i barnave dhe gabimet mjekësorë të përdorimit të barnave.

Është për të ardhur keq që ka munguar fryma e bashkëpunimit dhe debati ndërinstitucional, edhe pse Urdhri i Farmacistëve me ligj duhet të jetë i përfshirë në grupet e punës për hartimin e legjislacionit farmaceutik dhe akteve të tjera të rëndësishme të farmaceutikës shqiptare. Fatkeqësisht, asnjëherë nuk ka qenë pjesëtar i këtyre grupeve të punës të ngritura nga Ministra e Shëndetësisë. Në projektin e ri që propozohet për licencimin e veprimtarive farmaceutike kemi paraqitur një propozim konkret, profesional, me strukturë të mirëpërcaktuar dhe lehtësisht të zbatueshëm, si për inspektoratin e kontrollit dhe për farmacistin e veprimtarinë farmaceutike, por dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Ky projekt sugjerues konsiston në këto drejtime.

Ngritjen e Zyrave Farmaceutike Rajonale me varësi të drejtpërdrejtë nga Drejtoria Farmaceutike e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila përgjigjet për barin dhe shërbimin farmaceutik në nivel vendor. Zyra drejtohet nga një farmacist dhe atashohet pranë DSHP-ve që janë qendër prefekture.

Inspektimi ndaj subjekteve që aplikojnë për ushtrimin e veprimtarive farmaceutike dhe përcjellja e dokumentacionit në Drejtorinë Farmaceutike të jetë detyrë e kësaj zyre.

Të shtohen në draftin e ri dy kritere, njëri për ambientin e ushtrimit të veprimtarisë me shumicë dhe tjetri për farmacinë që përmbushin dy kushte, së pari, të kenë një sipërfaqe të caktuar (mbi 100m2 për veprimtarinë me shumicë dhe mbi 35 m2 për farmacinë) dhe së dyti, të plotësojnë Praktikën e Mirë të Ruajtjes së Barnave.

Kjo zyrë është përgjegjëse edhe për zhdoganimin e barnave në pikat doganore të rajonit që mbulohen prej saj.

Kriteret e tjera të ushtrimit të veprimtarisë farmaceutike bashkë me këto shtesa shprehen në këtë mënyrë vetëm në ligj. Kjo rrugë e vetme ligjore lehtëson këtë shërbim nga shkresa të tjera që rrjedhin nga VKM apo urdhra ministrash. Nevojitet vetëm formatimi i këtyre katër kritereve dhe auto-deklarimi i aplikuesit, të cilat paraqiten në Zyrën Farmaceutike Rajonale dhe kjo e fundit i përcjell në Drejtorinë Farmaceutike për të marrë licencën. Drejtoria Farmaceutike nuk ka nevojë të mbledhë asnjë komision, por të dhënat hidhen në një kompjuter, i cili ka një program, nëpërmjet të cilit printohet licenca vetëm në rast se janë futur të dhëna të sakta. Farmacisti e tërheq licencën pranë Zyrës Farmaceutike Rajonale.

Cilat janë përparësitë e këtij propozimi?

Drejtoria Farmaceutike realizon misionin e saj të përcaktuar nga strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare.

Është strukturë e specializuar për barin dhe shërbimin farmaceutik dhe nuk bie në kundërshtim me legjislacionin farmaceutik ekzistues apo legjislacionin tjetër shëndetësor në fuqi dhe atë që është në miratim e sipër.

Realizohet kontrolli i barnave dhe shërbimit farmaceutik nga struktura të specializuara dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Kontrollohet zhdoganimi i barnave duke lehtësuar biznesin farmaceutik dhe duke ulur shpenzimet për udhëtime e dieta që do të duheshin për inspektorët e QKKB për të shkuar nga Tirana në pikat doganore më të largëta..

Sjell lehtësi të madhe për farmacistin dhe hapjen e veprimtarive të reja farmaceutike.

Eliminon mundësitë e korrupsionit që vijnë nga projekti i paraqitur për miratim.

Garanton kontroll të specializuar për barin dhe shërbimin farmaceutik dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

* President i Urdhrit të Farmacistëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›