E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat i ashpër në këshill. Ruçi: Po shkelet rëndë ligji. Halimi: Rritet transparenca

Asnjë konsensus për rregulloren. Në seancë mazhoranca miraton votimin e hapur për dekretet

Mazhoranca shkon e vetme në seancë për të miratuar ndryshimin e ligjit organik të Kuvendit, i cili parashikon votimin e hapur për dekretet e Presidentit të Republikës. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet nuk ra dakord dje për mënyrën e votimit të dekreteve të Presidentit. Do të jetë seanca e ditës së enjte në Kuvend ajo që do të vendosë me shumicë të thjeshtë votash rregulloren e re të Kuvendit për mënyrën e votimit të dekreteve. Socialistët kërkojnë që dekretet të votohen me votim të mbyllur, ndërkohë që mazhoranca synon të kalojë dekretet me votim të hapur. Mazhoranca duket se ka vendosur ndryshimin e nenit 58 për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, duke theksuar se kjo do t’i shërbejë transparencës, ndërkohë që opozita kundërshton. Propozimet e mazhorancës që votimi të kryhet në mënyrë të hapur ka gjetur kundërshtimin e opozitës gjatë mbledhjes së pestë të Këshillit për Rregulloren.

Opozita dhe mazhoranca ndajnë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet ka marrë në diskutim dje projektligjin për shqyrtimin e projektvendimit “për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, e cila do të kalojë në seancën plenare të ditës së enjte, 17 qershor. Në mbledhje është bërë propozimi që votimi të bëhet nominal, por që në të vërtetë ka pasur kundërshtime mes demokratëve e socialistëve dhe i është lënë vend votimit në Kuvend për të treguar distancën PD-PS në lidhje me këto ndryshime. Opozita kundërshton kryerjen e votimit në mënyrë të hapur, ndërkohë që mazhoranca kërkon të ndryshojë nenin 58 të rregullores. Qëndrimi i mazhorancës, duke ndryshuar nenin 58, është që në çdo rast votimi të bëhet përherë i hapur në çështjet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të buxhetit të shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, tha se këto ndryshime janë një instrument që i shërbejnë transparencës dhe që i jep mundësi opozitës të mbikëqyrë e të kontestojë publikisht çdo kandidaturë që mund të zgjidhet për interesa të tjera të ndryshme nga interesat e drejtësisë. Opozita, nga ana tjetër, nëpërmjet kreut të grupit të saj parlamentar, Gramoz Ruçit, i kundërshtojë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Ditën e enjte është përcaktuar në kalendarin e punimeve që ndryshimi i rregullores së Kuvendit të kalojë për miratim në Kuvend dhe për t’u kthyer në ligj ai kërkon për miratim një shumicë të thjeshtë. Deputetët e mazhorancës pohuan se këto ndryshime janë një instrument që i jep mundësi Kuvendit të shprehë përgjegjësinë përpara shqiptarëve. “Ky propozim është në përputhje me vlerësimet që Komisioni i Venecias u ka bërë procedurave të votimit në të gjitha vendet europiane”, tha Halimi. Sipas tij, ky përmirësim i ligjit të Kuvendit forcon transparencën që i kërkon Kushtetuta për një procedurë të tillë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›