E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Asamble, Blushi: Në kuvend, para 6 Marsit

I përgjigjet Rama: Ata që flasin në emër të lirisë, të venë më parë tek ata që i kanë zgjedhur dhe ti pyesin se çmendojnë për këtë çështje

TIRANË- Letra kërcënuese e kryeparlamentares Jozefina Topalli ka dhënë efektin e vet.

Një pjesë e vogël e deputetëve socialistë, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë dakord me vendimin e PS-së për të qëndruar jashtë institucionit ligjvënës përsa kohë nuk hapen kutitë, ka paralajmëruar dje Asamblenë Kombëtare se nuk do të lënë që tu digjet mandati i tyre, por do të futen në Kuvend të enjten e parë të muajit mars kur edhe përfundon afati kushtetuese.

Por përpara se të shpallnin këtë vendim, ata janë përpjekur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare që të bindin PS-në që të rishohë qëndrimin e saj karshi institucionit të Kuvendit.

Mbledhja

Që në çelje të punimeve të Asamblesë Kombëtare, deputeti Ben Blushi, i njohur si një nga drejtuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe (LMN) në PS, ka kërkuar nga drejtuesi i mbledhjes Gramoz Ruçi që në rendin e ditës përveç përmbytjeve në veriperëndim të vendit të diskutohej edhe për rishikimin e vendimit për të kushtëzuar marrëdhëniet me legjislativin.

Propozim ky që nuk është hedhur poshtë, por është marrë për shqyrtim vetëm në pjesën e dytë të mbledhjes së këtij forumi pa praninë e medias.

Burime pranë kësaj mbledhje bëjnë të ditur se fillimisht debatin e ka hapur Blushi i cili duke argumentuar se bojkoti ishte një rrugë që kishte dështuar, ka kërkuar nga Asambleja që në mungesë të mbledhjes së forumeve të tjera, të rishihej vendimi për të qëndruar jashtë institucioneve, duke bërë të ditur njëkohësisht se në mungesë të një reagimi për këtë kërkesë ai vet do të thyente këtë vendim të strukturave të PS-së dhe do të futej në Kuvend. "Partia Socialiste ka qenë partie e njerëzve të lirë dhe e demokracisë.

Ndaj edhe unë jam i lirë dhe duke qenë i bindur se ky aksion politik dështoi po ju them sot se në emër të kësaj lirie dhe kësaj demokracie javën e parë të marsit unë do të hyj në parlament", -mësohet të jetë shprehur Blushi, duke bërë publik propozimin e tij për të riparë vendimin e bojkotit.

Ai është mbështetur në qëndrimin e tij ndaj rrugës që po ndjek PS-ja edhe nga disa përfaqësues të tjerë të LMN-së, Arben Malaj dhe Ylli Manjani, të cilët kanë evidentuar faktin se PS-ja nuk ka një strategji për mënyrën sesi do të ecet më tej dhe sesi grupi parlamentar i saj do të rikthehet në parlament. "Mendoj se në një situatë të tillë gjithkush nga ne kërkon të dijë se cila është strategjia sesi do të lëvizim më tej.

Por jam I sigurt se askush përveç kryetarit këtu nuk e di se çfarë do të bëjmë më tej. Kjo natyrisht nuk është normale",- mësohet se ka thënë Malaj. Ndërsa anëtari i Asamblesë Ilir Zela në fjalën e tij ka paralajmëruar se ky qëndrim refuzues ndaj institucioneve po çon drejt përçarjes së grupit parlamentar, pasi një grup deputetësh ka vendosur të mos e respektojë më bojkotin.

Rama

Në debat ka ndërhyrë edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili ka nga ana e tij ka propozuar që një temë e tillë të diskutohet në një mbledhje të posaçme të Asamblesë Kombëtare.

"Duke qenë të bindur në drejtësinë e vendimit që kemi marrë më parë, propozoj që ti përmbahemi çështjes për të cilën është thirrur kjo mbledhje dhe përsa i përket propozimit të bërë propozoj që ky debat të zhvillohet në një mbledhje tjetër e cila ti kushtohet tërësisht qëndrimit dhe aksionit tonë politike", -mësohet të jetë shprehur kryesocialisti.

Ai nuk ka lënë pa i dhënë dhe një përgjigje edhe të gjithë atyre zërave kritikë, por kryesisht Blushit përsa i përket shqetësimit që ai ngriti për mungesën e lirisë dhe demokracisë në parti. "Ju ftoj që të bëjmë një debat intelektual dhe demokratik në këtë mbledhje të ardhshme.

Ata që flasin në emër të lirisë dhe demokracisë mos të na vijnë këtu dhe të na bëjnë anarshi, por të venë më parë tek ata që i kanë zgjedhur dhe ti pyesin se çmendojnë për këtë çështje", - mësohet të jetë shprehur Rama. Më pas, Asambleja ka mbyllur punimet duke miratuar dhe një rezolutë të posaçme për situatën në Shkodër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›