E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të nisë verifikimi i dëmeve

MBLEDHJA/ Kreu i qeverisë u shpreh se këtë javë do të miratohen parimet mbi bazën e të cilave do të bëhet kompensimi

Shumë prej familjeve, përveç dëmeve brenda banesës, kanë humbur edhe pasuri të tjera, si grurë, misër

SHKODËR - Kryeministri i vendit ka drejtuar dje mbledhjen e shtabit të emergjencës pranë prefekturës së qarkut të Shkodrës ku ka folur lidhur me situatën e paspërmbytjes.

Berisha u shpreh se këtë javë qeveria do të miratojë parimet mbi bazën e të cilave do të bëhet kompensimi i dëmeve, teksa i kërkoi komisionit ndërministror e vendorëve që të nisnin vlerësimin e dëmeve, i cili duhet të ishte sa më objektiv. "

Shteti i ka të gjitha mundësitë për të dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit dëmet",- u shpreh kreu i qeverisë, teksa u bëri thirrje vendorëve që inventarizimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja ta bënin me ndershmëri e objektivitet. Duke folur po për dëmet, Berisha theksoi se shumë familje kanë dëme të mëdha.

Ato që kanë pësuar më tepër dëme janë sidomos katet e para të banesave, ndërsa jo pak familje kanë humbur edhe pasuri të tjera, si gruri i mbjellë, misri i depozituar, ushqimi për blegtorinë etj.

Lidhur me masat që duhet të merren për mospërsëritjen e një situate të tillë, kreu i shtetit theksoi se do të blihen pamjet satelitore të përmbytjes që nga dita e parë e deri më sot, në mënyrë që me anë të tyre të arrihet të bëhen projekte të cilat do të shmangin fatkeqësi të tillë.

Mes këtyre projekteve u ricitua edhe bajpasi i qytetit të Shkodrës, rishikimi i të cilit pritet që ta rrisë koston e tij 2 apo 3 herë. Kjo për faktin që bajpasi do të shërbejë edhe si argjinaturë për qytetin.

Gjithashtu, u bë e ditur se do të ndërhyhej në thellimin e Bunës dhe disiplinimi i ujërave.
"Ultësira e Nënshkodrës, Dajçi, Bushati, Ana e Malit, Velipoja, Berdica, në këto zona duhet zbatuar një sistem kullimi, tërheqjeje, drenazhimi, digash pasi rrezikohet që me këto ndryshime atmosferike të humbasim tokë. Historia e tyre është kënetë, por ne nuk do të lejojmë që asnjë pëllëmbë tokë të humbasë dhe të kthehet në kënetë",- tha Berisha.

Ai vijoi se në disa vende, për t'i shpëtuar ujit janë bërë çarje të argjinaturave, por një gje e tillë ka qenë e nevojshme. Madje, si rrjedhojë u propozua që në argjinatura të montoheshin porta që do të shërbenin për situata të tilla.

"Ministria e Bujqësisë këtë vit do ta përqendrojë të gjithë potencialin e kullimit në këtë zone",- theksoi Kryeministri. Ndërkohë ai tha se ishte i nevojshëm bashkëpunimi, duke treguar se shumica e kryepleqve të fshatrave të komunës së Dajçit janë anëtarë të PS-së, porse ata i kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj banorëve pa përjashtim dhe me dinjitet.

Sipas kreut të qeverisë, në ditët e ardhshme do të nevojitet shumë punë për shkak se kthimi i njerëzve në banesa do të bëjë që ata të përballen me shumë vështirësi, sidomos në ushqimin për gjënë e gjallë. Lidhur me këtë Berisha thkesoi se duhet të programohet ndihma për ushqimin e blegtorisë dhe të sigurohet sa më shumë bazë ushqimore për gjënë e gjallë.

Ndërkohë, për familjet që u janë përmbytur banesat, Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit sigurimin sa më të shpejtë të librave për fëmijët, teksa nevojitet edhe një kujdes për shëndetin e tyre, pasi situata që kanë kaluar mund t'u ketë shkaktuar edhe traumë psikologjike. "Shërbimi i psikologut të jetë i pranishëm në shkolla e në terren",- përmbylli kreu i qeverisë.

Banorë të zonave të përmbytura tregojnë se tashmë gjithçka u është shkatërruar nga uji, ndërsa presin ndihmë nga shteti

Shkodër, ulja e nivelit të ujit evidenton varfërinë

SHKODËR - Në komunën Gur i Zi, në fshatrat Kuç e Vukatanë uji është larguar thuajse krejtësisht, por problemet me të cilat përballen banorët janë të shumta. Halil Kullolli, banor i fshatit Kuç, shprehet se uji i ka nxjerrë jashtë funksionit gjithçka që kishte në banesën e tij njëkatëshe. "Gjithçka ka mbaruar.

Unë jam i sëmurë, jetoj me një pension timin 11 000 lekë të reja, kam gruan e sëmurë dhe vajzën e vetme 3-vjeçare e kam çuar në spital. Kur ka ardhë uji kemi dalë pa mundur të marrim asgjë, pasi nuk kishim kohë. Kam mbyllur derën dhe kemi ikur nëpër ujë deri tek asfalti, atje na ka marrë policia dhe jemi vendosur tek një shoku im në Shkodër.

Qëndruam disa ditë aty dhe pastaj shkuam në hotelin që na ka caktuar shteti ku qëndruam rreth 6 ditë. Kam ardhur të dielën dhe e gjeta derën e banesës të shpërthyer, por nuk kishin vjedhur gjë se nuk kanë pasë çfarë me marrë.

Ajo pak gjë që kisha, e ka marrë uji. Tani uji është larguar por shtëpia është në lagështirë. Nuk kam as energji elektrike dhe i kërkoj ndihmë shtetit. Nuk kam me çfarë të jetoj. Në hotel na kanë trajtuar mirë, faleminderit, por çfarë do bëhet më pas?

Banesa ime është djegur para disa kohësh dhe askush nuk më ka ndihmuar. Kam marrë lekë borxh për ta ribërë të banueshme dhe kam lënë dy vjet pensionin tim peng për të paguar borxhin. Nuk kam bagëti, vetëm disa pula që janë mbytë në ujë dhe gruaja i ka hedhur në zall të Kirit.

Tokën 40 dynym nuk e kam pasë të mbjellë, por ajo është nën ujë dhe po ta mbjell vështirë të jape prodhim. Kërkoj ndihmë se nuk di çfarë të bëj. Do të rikthehem tek hoteli, por dhe aty një ditë do na nxjerrin dhe unë nuk kam ku shkoj".

Në banesën e Halil Kullollit shihen tela elektrikë të varur në mure, një televizor i rrëzuar në ujë dhe pak orendi ku lagështira nuk është vështirë të duket. Kryefamiljari Kullolli shprehet se përveç faktit që janë strehuar e ushqehen në hotel, askush nuk i ka ofruar asgjë.

Përmirësimi i kushteve atmosferike dhe ndërprerja e shkarkimeve nga hidrocentralet ka sjellë dhe ulje të nivelit të ujit në zonat e përmbytura. Disa prej familjeve të evakuuara dhe të vendosura në vendet e akomodimit të caktuara nga shteti apo tek të afërm të tyre i janë rikthyer banesave së bashku me bagëtinë.

Në komunën e Berdicës të gjithë banorët e larguar janë rikthyer, ndërsa në komunat e Bushatit, Dajçit, Gurit të Zi e Velipojës rikthimi i tyre është i pjesshëm. Kjo pasi në këto komuna, edhe pse niveli i ujit ka pësuar rënie, ai vazhdon të jetë i pranishëm në disa banesa dhe përbën akoma rrezik.

Sipas kryetarit të komunës së Dajçit, Arben Gjuraj, aty ku gjendja është më e rëndë, banorët nuk janë rikthyer dhe kanë qenë vetë strukturat e emergjencës civile dhe pushtetit vendor që u kanë kërkuar të mos rikthehen.

Gjuraj shprehet se është gjithçka gati për evidentimin e dëmeve pasi komuna ka pasur regjistrim të gjësë së gjallë të banorëve më përpara se të ndodhte përmbytja, ndërsa shton se banorët që janë rikthyer, janë porositur të mos konsumojnë ujë nga ujësjellësi, por vetëm ujë të ambalazhuar me të cilin furnizohen çdo ditë. Në komunën e Berdicës janë akoma 400 ha tokë nën ujë, ndërsa të rikthyerit në banesa janë përballuar realisht me dëmet e shkatuara.

Në zonat e përmbytura vazhdon dërgimi i ushqimeve ujit e batanijeve për banorët e rikthyer. Një autokolonë kamionësh të ushtrisë kanë qenë në zonën e Dajçit ku kanë sjellë batanije për të rikthyerit në banesat e tyre .

Ndërsa në qytetin e Shkodrës, zjarrfikëset e ardhura nga Maqedonia së bashku me ato të Shkodrës kanë vënë në dispozicion 10 pompa thithëse që po përdoren për largimin e ujit aty ku ai vazhdon të jetë i pranishëm.

Nis groposja e kafshëve të ngordhura

Sipas drejtorit të sektorit të zjarrfikëseve në Shkodër, Ilir Kopliku, me fillimin e javës që vjen, do të ndërhyhet dhe në banesa të veçanta që janë më poshtë se niveli i rrugëve apo kanaleve dhe kanë ujë brenda, ndërsa deri tani uji është thithur nëpër rrugë e bodrume.

Me largimin e ujit ka kanë dalë problemet e ujërave të zeza veçanërisht në zonat informale si ajo e livadeve, ku nuk ka kanalizime dhe banorët kanë ndërtuar gropa septike.

Por përmbytja ka bërë që aftësia thithëse e tyre të bjerë dhe ato të mos funksionojnë duke sjellë daljen e ujërave të zeza mbi sipërfaqe.

Nga Ministria e Shëndetësisë mësohet se janë ngritur grupet që po bëjnë higjienizimin e zonave ku mund të ketë probleme me ujërat e zeza, lajmërimin e një pjese të banorëve për të mos përdorur ujë tjetër përveç ujit të ambalazhuar, si dhe evidentimin e konstatimin e kafshëve të ngodhura dhe groposjen e tyre.

Topalli: Do të rishikojmë projektet dhe investimet

SHKODËR - Kryeparlamentarja Topalli inspektoi dje komunën e Dajçit ku në fshatin Shirq, që është dhe zona më e prekur nga përmbytjet, është takuar me banorët. Ajo u shpreh se "më vjen mirë që situata po shkon drejt përmirësimit dhe dua t'ju falënderoj për bashkëpunimin me strukturat e shtetit".

Më tej Topalli u ka premtuar banorëve të Dajçit jo vetëm kompensimin e dëmeve, por dhe rishikimin e projekteve dhe investime të qëndrueshme në këto zona në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës mbrojtëse nga vërshimi i ujërave. "Ministritë e linjës do të rishikojnë projektet dhe investimet dhe zona e përmbytur do të jetë në qendër të vëmendjes për investimet e pritshme", tha Topalli.

Në qytetin e Shkodrës vazhdojnë të vijnë ndihma nga qytete të tjera të vendit, biznese, parti politike e OJF të ndryshme. Në paraditen e së dielës ka qenë dhe shoqata "Çamëria" që kanë sjellë veshje me vlerë 30 mijë euro dhe 5000 dollarë për të përmbyturit.

Baza ushqimore për bagëtitë, problem

Një nga problemet e dala pas uljes së nivelit të ujit është edhe baza ushqimore për bagëtitë. Kjo për faktin se pavarësisht ndihmave që mund të jepen nga shteti, shumë prej banorëve nuk kanë ku t'i mbajnë pasi toka vazhdon të jetë e lagur.

Ndërkohë, shumë prej kafshëve të rikthyera në fshatra kanë rezultuar jashtë kontrollit për shkak të mungesës së ushqimit të mjaftueshëm në kohën që i kanë larguar nga vendi i tyre.

Tashmë pritet që të fillojë edhe blerja e bazës ushqimore për kafshët, pasi banorëve të prekur nga përmbytja gjithçka që kishin ruajtur për dimrin u ka shkuar dëm, duke u kalbur prej ujit.

Asnjë e dhënë zyrtare nga MB për Shkodrën

Prej dy ditësh nuk ka asnjë të dhënë nga Ministria e Brendshme lidhur me situatën në zonën e Shkodrës. Pavarësisht se deklarohet që niveli i ujit vazhdon të ulet, ndryshe nga më parë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me hapësirat e përmbytura, shtëpitë, si dhe lëvizjen e banorëve, por edhe me rrugët që vijojnë të jenë problem në qarkun e Shkodrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›