Rama: S'marrim pjesë në Kuvend. Protestat s'do ndalen

Kryetari i opozitës, Edi Rama, tha se Shkodra nuk u përmbyt nga dora e zotit por e shtetit
"I them Topit se Gërdeci nuk mund të harrohet, Kalimashi nuk mund të anashkalohet dhe Fierza nuk mund të tolerohet"
TIRANË- Përmbytjet në veri-perëndim të vendit si rezultat i papërgjegjshmërisë së qeverisë janë një arsye më shumë për opozitën për të ngulmuar në largimin e qeverisë përmes protestave. Nuk ka mëdyshje, për këtë qëndrim të paralajmëruar që në fillim të fjalës së djeshme nga kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare. "Janë grabitur zgjedhjet. Është ndaluar forcërisht verifikimi i kutive të votimit.
Prokuroria është zmbrapsur tërësisht nga rritja e presionit qeveritar. Gjykatat janë strukur nën sqetullën e frikës a në xhepin e korrupsionit. Liria e medias është kushtëzuar kërcënueshëm nga kërbaçi ose kulaçi i qeverisë. Liria ekonomike është bërë peng i klientelave të oborrit familjar të Sali Berishës. Opozita është shpallur aleancë punisto-mafioze.
Dhe Shkodra është përmbytur nga llumi i korrupsionit në shtet e i paaftësisë në pushtet...Çfarë duhet të presim akoma për të dalë në rrugën e protestës qytetare, pa kthim mbrapsht në shtëpi, që rruga e lirisë, demokracisë, drejtësisë, të mos bëhet shteg i mbyllur për shqiptarët që as janë në pushtet dhe as kanë ndonjë lidhje kushërillëku apo tarafllëku me pushtetin?", - tha Rama. Kryetari i PS-së shtoi se Shkodrën nuk e përmbyti dora e Zotit, "po marrëzia e robit të pushtetit e të parasë".
"Dhe këtë krim shtetëror duhet ta ndëshkojë me forcë jo vetëm Shkodra, po e tërë Shqipëria", - shtoi ai. Kryetari i opozitës ka theksuar gjatë mbledhjes së Asamblesë se tre fatkeqësi kolosale janë shkaktuar nga dora e pushtetit; Gërdeci, Kalimashi dhe Fierza. Për këtë arsye, Rama shtoi se beteja për kutitë e 28 qershorit nuk është përpjekja për pushtet, por për të ndryshuar vendin.
Seanca e jashtëzakonshme
Kryetari i opozitës ka sqaruar një herë e mirë qëndrimin e PS-së, sa i përket zhurmës së madhe të krijuar nga mazhoranca lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën.
"Kreu i kësaj qeverie fajtore, në vend se ta kërkonte seancën e jashtëzakonshme të parlamentit kur i kishte fluturuar Prifti jashtë orbite dhe digat kishin mbetur pa njeri mbi kokë, apo kur i fluturoi edhe spikerja Jozefina jashtë radhe për qokat e saj të kushtueshme turistike, arrin ta përdorë edhe krimin e qeverisë së tij edhe fatkeqësinë e Shkodrës, për të bërë një diversion të shëmtuar ndaj opozitës duke i vënë emrin, "e jashtëzakonshme", një seance që zhvillohet konform Kushtetutës çdo të hënë të tretë të janarit.
Ku ne nuk kemi asnjë arsye të shkojmë, sepse emergjenca për të përballuar dallgën shkatërruese të krimit qeveritar ka kaluar dhe ka filluar faza kur duhet të përballohen shkatërrimet e bëra",- tha ai. Rama shtoi se opozita do të kontribuojë jo duke marrë pjesë në një farsë parlamentare, por duke e bërë këtë çështje pjesë të pandashme të protestave.
"Fatkeqësia e pafalshme e Shkodrës nuk është një motiv i ri për të futur opozitën në sallën e parlamentit të kutive të mbyllura, po një arsye më shumë për të nxjerrë nga godina e qeverisë pushtetin e votave të vjedhura",- tha ai, duke shtuar se edhe qëndrimi për djegien e mandateve është një përrallë për të larguar vëmendjen nga zullumet e qeverisë. Ndaj kryetari i opozitës apelon. "Gërdeci, Kalimashi, Fierza...
Tre humbje katastrofike për shqiptarë të pafajshëm, për mijëra familje të varfra, për një popull të tërë. Tre pikëpyetje të frikshme për Prokuroren e Përgjithshme, për Gjykatën e Lartë të vendit, për vetë Presidentin e Republikës. Të cilit dëshiroj t'i them sot se Gërdeci nuk mund të harrohet, Kalimashi nuk mund të anashkalohet dhe Fierza nuk mund të tolerohet", - tha ai, duke shtuar se protestat janë rruga e vetme.