E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Kuvend për çmimet e karburanteve

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, teksa në fokus ishte çështja e çmimeve të karburanteve.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ngriti shqetësime për funksionimin e tregut të karburanteve në Shqipëri, duke deklaruar se tregtarët e naftës mund të kenë abuzuar me çmimet në të kaluarën.

Gjatë fjalës së tij, Braçe iu referua ndryshimeve të fundit të reflektuara nga Bordi i Transparencës, duke e cilësuar si pozitiv faktin që ky mekanizëm po reflekton më në kohë reale luhatjet e çmimeve në treg.

Sipas tij, dinamika e re e çmimeve nxjerr në pah problematika të mëparshme në treg, ku çmimet e hidrokarbureve kanë qëndruar të pandryshuara për periudha të gjata, pavarësisht lëvizjeve në bursat ndërkombëtare.

Braçe kërkoi rritjen e transparencës nga bordi, duke theksuar nevojën për publikimin e çmimit të naftës pa taksa që hyn në Shqipëri, si dhe analizimin e të dhënave për eksportet drejt Kosovës, në mënyrë që të kuptohet më qartë ecuria e tregut gjatë periudhës së fundit.

Më pas kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi qeverinë dhe mazhorancën nga foltorja e Kuvendit  për shmangie të përgjegjësive dhe përpjekje për të mbrojtur interesat e tyre.

Gjatë fjalës së tij, Shehaj u shpreh se tregu i karburanteve kontrollohet nga një subjekt i vetëm.

Ai u shpreh se qytetarët janë lënë të pambrojtur duke sjellë shembuj nga reduktimi i flotës së autobusëve të transportit urban si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës.

Shehaj pati edhe një debat me deputetin Braçe me akuza të ndërsjella.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kundërshtoi pretendimin e Agron Shehajt se tregu i karburanteve kontrollohet nga një subjekt i vetëm, duke theksuar se sipas të dhënave publike të Ministrisë së Financave, bëhet fjalë për një treg të diversifikuar me disa operatorë kryesorë dhe dhjetëra të tjerë më të vegjël.

Balla gjithashtu e akuzoi deputetin e opozitës për keqpërdorim të të dhënave të Partisë Demokratike.

Në fund të fjalës, Balla ndaloi edhe te marrëdhëniet me SHBA, duke vlerësuar emërimin e ambasadorit të ri si një tregues të partneritetit të fortë mes dy vendeve.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›