E Diel, 1 Nëntor 2026

MIE, projektligj për uljen e kostove në ndërtimin dhe zgjerimin e rrjeteve të internetit me shpejtësi të lartë

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Projektligji “Për masat për zvogëlimin e kostove të ndërtimit të rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta – Akti i Infrastrukturës Gigabit”, i hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, është nxjerrë për konsultim publik, me synimin për të përmirësuar dhe zgjeruar rrjetet e internetit dhe komunikimeve elektronike në vend.

Nisma ligjore synon të bëjë më të lehtë dhe më të shpejtë ndërtimin e rrjeteve të internetit me shpejtësi të lartë, duke ulur kostot dhe duke nxitur përdorimin e përbashkët të infrastrukturës ekzistuese, si rrjetet dhe linjat që janë tashmë në përdorim.

Sipas relacionit shoqërues, projektligji është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe synon përafrimin me rregulloren e Bashkimi Evropian për zhvillimin e rrjeteve të internetit me kapacitet të lartë dhe teknologji të reja digjitale.

Me këtë nismë synohet gjithashtu përmirësimi i aksesit në internet të shpejtë për qytetarët dhe bizneset, si dhe thjeshtimi i procedurave për ndërtimin e rrjeteve të reja, duke shmangur vonesat dhe kostot e panevojshme administrative.

Projektligji parashikon rregulla më të qarta për mënyrën se si kompanitë mund të përdorin infrastrukturën ekzistuese, si dhe për koordinimin e punimeve gjatë ndërtimit të rrjeteve të reja, në mënyrë që të shmangen ndërhyrjet e përsëritura në të njëjtat zona.

Ai synon gjithashtu rritjen e transparencës në proceset e ndërtimit dhe planifikimit të punimeve, si dhe lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeve nga institucionet përgjegjëse. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›