Debate në Kuvend për moratoriumin e skafeve

Ka nisur me debate seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë. Shkak është bërë mosfutja në rendin e ditës të nismës së opozitës për moratoriumin e skafeve.
Në fjalën e tij, kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi theksoi se mazhoranca nuk ka kuorumin për të vijuar seancën plenare prandaj ka hequr edhe nismën e opozitës.
“Rendi i ditës kishte të bënte me dy amendime. Ju keni hequr nismën e opozitës pavarësisht se jemi pro të gjitha procedurave. Nëse nisma e deputetëve është kështu siç thoni ju rregullorja duhet të ishte depozituar 24 orë më parë. Nëse kryetari i grupit të maxhorancës kishte kundërshtime duhet ta bënte në seancë. Pra të gjitha këto nuk janë shkaqe. Kjo është një shkelje proceduriale. Nisma e opozitës është hequr për arsye të tjera politike. Sot mazhoanca s`ka kuorumin për të vijuar seancën prandaj dhe është hequr nisma e opozitësDo ju kërkoj siç keni premtuar ditën e parë që keni thënë se do ishin garante dhe avokatja e opozitës, të jeni e tillë.” shtoi Ruçi.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit demokrat Edi Paloka i cili ka theksuar se ka amendamente të tjera për nismën e PS-së për moratoriumin të cilat duhet të kalojnë më parë në komisionin e ligjeve.
“Ne e kemi hedhur poshtë në komisionin e ligjeve këtë nisëm duke dhënë edhe argumentat, por janë paraqitur edhe disa rekomandime nga disa deputetë të cilët kërkojnë një lloj zbutje të moratoriumit prandaj dhe vendosëm që amendamentet të kalojnë tek komisioni i ligjeve përpare se të kalojë në seancë” shtoi Paloka.
Më pas ka reaguar kryeparlamentarja Topalli e cila ka thënë se ajo mbetet avokate e opozitës. "Siç ju kam premtuar ditën e parë, sa të jem kryetare e Parlamentit unë jam avokatja juaj, do ndihesha e fyer nëse do mendonit të kundërtën". Ju e dini këtë po s`doni ta pranoni" tha Topalli.