Arvizu: Të drejtat e LGBT janë të drejtat e njeriut

Është zhvilluar në Tiranë konferenca rajonale për të drejtat e grupimit LGBT. Seminari është përshëndetur nga sekretarja e shtetit Hilari Klinton nëpërmjet një video-konference videokonference ku kërkoi angazhim të qeverive në mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të tyre.
Në fjalën e tij, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu theksoi se dhuna ndaj kësaj kategorie nuk ka mbaruar dhe ata diskriminohen ndërsa ka përsëritur apelin e Clinton se SHBA do qëndrojnë të palëkundur në apelin ndaj qeverive për të mbështetur të drejtat e njeriut pavarësisht orientimit seksual.
“Sulmet vazhdojnë sot edhe në SHBA dhe në vendet tjera dhe ka vende ku ato nxiten nga qeveria. Sipas raportit të vitit 2012, 78 vende të botës kanë ende në legjislacionin e tyre kriminalitetin ndaj personave gay. SHBA do të vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundur që të mbështesin të drejtat e komunitetit LGBT pasi të drejtat e tyre janë të drejtat e njeriut” shtoi Arvizu.
Ambasadori Arvizu ka bërë thirrjepër të hequr dorë nga paragjykimet, ndryshe nga ajo çka u bë më herët nga disa zyrtarë.
“Media raportoi se në Tiranë do të mbahej një paradë Gay. Në fakt nuk ishte e tillë. Disa zyrtarë në mënyrë të turpshme kërkuan që aktiviteti të ndalohej dhe të dënoheshin edhe aktivistët. Kjo nuk duhet të ndodhë më”, tha ambasadori Arvizu.
I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i cili ka kujtuar se në mbrojtje dhe respekt të lirive dhe të drejtave, qeveria ka miratuar ligjin kundër diskriminimit. “Në bashki kemi hapur zyrën kundër diskriminimit dhe bashkëpunojmë me Avokatin e Popullit dhe Ministrinë e Punës. Besoj se toleranca nuk është koncept, por si një virtyt i provuar i shqiptarëve përmes shekujve të errët të historisë do të vazhdojë të jetë vlerë dhe një nxitës në rrugën evropiane” theksoi Basha.
Në këtë konferencë marrin pjesë 17 vende nga rajoni dhe më gjerë, qëllimi i saj është gjenerimi i ideve të reja për tu përballuar me sfidat që ka ky komunitet jo vetëm ne vendin tonë, por edhe në rajon.