E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në komisionin e Reformës Zgjedhore, shtyhet seanca dëgjimore me drejtorin e Policisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore kishte sot në rendin e ditës seancë dëgjimore me përfaqësues të Policisë së Shtetit, ku në fokus ishte efikasiteti i masave penale në procesin zgjedhor, sfidat e evidentuara në praktikë dhe propozimet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për garantimin e integritetit të zgjedhjeve.

Në mbledhje ishte i pranishëm zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, ndërsa mungesa e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, solli debate mes anëtares së komisionit nga Partia Demokratike, Albana Vokshi, dhe bashkëkryetarit socialist të komisionit, Damian Gjiknuri.

Vokshi kërkoi që mbledhja të mos zhvillohej pa praninë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke propozuar shtyrjen e seancës për një moment tjetër.

“Unë propozoj që kjo mbledhje të mos zhvillohet me zëvendësdrejtuesit. Mund ta dinim më përpara, sepse ka një komunikim më përpara. Nuk ka më të rëndësishme se Komisioni i Reformës Zgjedhore”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër, Gjiknuri u shpreh se do të ishte më mirë që në komision të ishte i pranishëm drejtuesi i Policisë së Shtetit, por theksoi se edhe përfaqësuesit e tjerë të institucionit mund të japin informacionet e nevojshme.

“E mira do të ishte të ishte prezent drejtuesi i policisë. Mos t’i ngatërrojmë rolet. Nuk kemi rol të bëjmë Komision Hetimor ne, nuk po verifikojmë ngjarje këtu. Patjetër që për të gjitha eksperiencat tuaja negative ne do të flasim këtu, por këtu jemi të marrim një mendim çfarë nuk ka shkuar mirë. Këtë gjë mund ta bëjë edhe nëndrejtori”, u shpreh Gjiknuri.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, i pranishëm në komision, shpjegoi se pjesëmarrja e tij lidhej me rolin që kishte pasur në procesin zgjedhor të vitit 2025.

“Kam qenë përgjegjës për procesin zgjedhor 2025. Kam propozuar ndryshimet e ligjit për Policinë e Shtetit dhe reformën zgjedhore. Drejtori ka qenë përgjegjës në një qark gjatë zgjedhjeve”, deklaroi Bizhga.

Në përfundim të diskutimeve, u vendos që seanca dëgjimore të shtyhet në një datë tjetër, kur në Komisionin e Reformës Zgjedhore të jetë i pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›