Ismaili: Fondi fillestar i programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” 250 milionë euro, aplikimet deri në nëntor 2027

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ka nisur programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një skemë e re mbështetjeje për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, si dhe për fermerët, me synim rritjen e investimeve dhe zhvillimin e sektorëve ekonomikë.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, përmes një video-mesazhi bëri të ditur se programi i qeverisë ofron financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues, për të gjitha fushat e ekonomisë, me përparësi për bujqësinë, agro-përpunimin, prodhimin, teknologjinë, turizmin, tregtinë, logjistikën dhe shëndetësinë private.
Sipas saj, fondi fillestar i programit është 250 milionë euro, i çelur nga Banka e Shqipërisë, ndërsa financimi do të ofrohet me norma interesi preferenciale nga 2 deri në 3%. Nëpërmjet Garancisë Sovrane, shteti mbulon deri në 70% të vlerës së kredisë.
Për të aplikuar, subjektet duhet të kenë një NIPT aktiv, vërtetim tatimor dhe plan biznesi. Për aplikantët që nuk e kanë ende një plan të tillë, institucionet përgjegjëse ofrojnë mbështetje për përgatitjen e tij përmes ekspertëve.
Ismaili bëri të ditur se, aplikimet kryhen pranë bankave partnere të programit dhe do të jenë të hapura deri më 20 nëntor 2027.
Sipas saj, për më shumë informacion mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit, të interesuarit mund të konsultojnë portalin zyrtar dyfisho.ekonomia.gov.al.
/e.xh/j.p/