E Diel, 1 Nëntor 2026

Debatet në grupin e PS-së, Fino propozon Blushin

Opozita Deputetët socialistë emërojnë Namik Doklen për nënkryetar Kuvendi. Braçe konfirmohet në postin që ka pasur

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë një drejtim kolegjial. Katër nënkryetarë dhe një sekretar janë konstituuar dje në mbledhjen e trupës së deputetëve, duke sjellë me vete një rikompozim paraprak të ekipit drejtues politik në selinë rozë. Po kështu, deputetët socialistë kanë rënë dakord edhe për emrat që do të plotësojnë vendet e mbetura bosh për gati 1 vit në komisionet e përhershme parlamentare përpos Namik Dokles, që është zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Duke marrë në konsideratë faktin se këto vendime nënvizojnë braktisjen e bojkotit, në vetvete ato japin një ide edhe për raportet e brendshme të selisë rozë, që aktualisht ndodhet në proces zgjedhor. Për këtë arsye, edhe mbledhja e djeshme nuk ka kaluar pa debate dhe propozime alternative nga votimi final, i cili duhet thënë se ka lënë jashtë instancave drejtuese të grupit disa nga emrat e njohur të PS-së. Kështu, bëhet e ditur se deputeti Arben Malaj ka refuzuar detyrën e nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, për ta lënë këtë vend për kolegen Mimi Kodheli. Më interesant ka qenë diskutimi për postin e nënkryetarit të Kuvendit, i cili ka nxjerrë në sipërfaqe një rivalitet mes deputeteve Arta Dade dhe Valentina Leskaj, që duket se është zgjidhur përmes votimit të Namik Dokles. Ndërkohë, burime nga mbledhja bëjnë të ditur se një ndër emrat për këtë detyrë ka qenë edhe ai i Ben Blushit, i cili është propozuar nga Bashkim Fino. Sugjerimi është rrëzuar nga kryetari socialist, Edi Rama, i cili ka bërë një replikë të zbutur me argumentin se “emrat janë bërë të njohur tashmë”. Thënë ndryshe, anëtarët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe janë skualifikuar nga drejtimi i aksionit parlamentar, një parantezë kjo e sigurt e asaj që pritet të ndodhë me forumet e tjera të Partisë Socialiste. Ndërkohë, në frymën e rinovimit qëndron edhe plotësimi i detyrës së kryetarit të trupës parlamentare që mbahet nga Gramoz Ruçi me katër nënkryetarë, ku bëjnë pjesë Erjon Braçe, Vasilika Hysi, Eduart Shalsi dhe Saimir Tahiri. Sekretar është zgjedhur Taulant Balla, që vjen në këtë detyrë drejtuese për herë të parë. Në sektorin e komisioneve parlamentare plotësimi është bërë i plotë dhe ka listuar emra të tillë si: Fatmir Xhafa, Ilir Gjoni, Ermelinda Meksi, Ilir Beqaj dhe Et’hem Rukaj. Në 13 funksione të plotësuara dje nga PS bie në sy se 5 prej tyre janë femra, çka respekton përfaqësimin gjinor të adaptuar si detyrim nga kjo forcë politike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›