E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizime dritash në sezon turistik

Turizmi Vonesat në ndërtimin e linjës Elbasan-Podgoricë shkaktojnë probleme për turizmin

Shqipëria e Mesme dhe Jugu i vendit pritet të përballen me kufizime në furnizimin me drita për më shumë se një javë, si pasojë e punimeve në linjat e tensionit të lartë, që synojnë të lidhin Shqipërinë me Malin e Zi. Operatori i Sistemit të Transmetimit, një kompani nën pronësi publike që menaxhon linjat e tensionit të lartë, njoftoi dje se kufizimet janë të detyrueshme për shkak të punimeve.

Drejtori i Përgjithshëm i OST sh.a, Ymer Balla, në një konferencë për mediat, bëri të ditur: “Sipas programit të punës dhe realizimit të projekteve të mëdha që OST, po kryhen në sistemin e transmetimit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, bën të ditur se do të kryejë punime të planifikuara në nënstacionin e ri 400/220/110 kV Tirana 2 si dhe në linjën 400 kV Elbasan - Tiranë – Podgoricë.”
Si pasojë e këtyre punimeve, OST do të stakojë nga rrjeti linjat Tiranë-Vau i Dejës dhe Tiranë-Fierzë nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 7:00 të mbrëmjes.

“Ky proces do të shoqërohet me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, kryesisht gjatë orëve të ditës, deri në masën 20 për qind të konsumit të përgjithshëm për të mbajtur në parametra të pranueshëm Sistemin Elektroenergjetik Shqiptar, i cili gjatë kësaj periudhe do të jetë në kushte jo të sigurta pune”, njoftoi OST.

Linja e interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë, 400 KV, është një projekt i vitit 2002 dhe që pritej të mbaronte që në mars të këtij viti, pasi është shtyrë disa herë më parë. Kontraktorët e punimeve për ndërtimin e linjës kanë shënuar vonesa të vazhdueshme dhe vetëm tani, linja pritet të vihet në punë. Punimet për integrimin e saj në rrjetin kombëtar pritet të acarojnë operatorët turistikë në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut tani që sezoni turistik sapo ka filluar. Vonesat në ndërtimin e linjës kanë sjellë edhe kosto shtesë për financat publike, pasi ajo është financuar me një kredi të Bankës Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe çdo ditë mospërdorimi e linjës, kushton interesa.

Linja Elbasan-Podgoricë pritet të krijojë një unazë energjetike në Europën Juglindore, gjë që do të lehtësojë tregtinë e energjisë në rajon.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›