E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinjitet për Markot

Familja Marko e ka pasur të vështirë të gjithë këtë situatë, publikimin e fatit të keq që është ulur këmbëkryq në shtëpinë ku jetoi e krijoi Petroja me Safon. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që me të drejtë u takon: të jetojnë me dinjitet

“Mos mbettë njeriu pa njerinë”. Këtë shprehje të gjyshes së vet Arianita Marko, vajza e Petro dhe Safo Markos e kujton shpesh në gjendjen në të cilën ndodhet sot familja e saj. E ka pasur të vështirë të gjithë këtë situatë, publikimin e fatit të keq që është ulur këmbëkryq në shtëpinë ku jetoi e krijoi Petroja me Safon. Nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që me të drejtë u takon. U bënë kohë që ajo e vetme përballej me këtë situatë, por tashmë nuk mundet më. është e pafuqishme të shkojë më tej e vetme. E kupton këtë edhe sikur të qëndrosh për pak minuta në shtëpinë e tyre, të përjetosh nga afër çdo kërkesë dhe nevojë që kanë. Ndodhen në gjendje të dëshpëruar. E vetme, me nënën dhe vëllanë e sëmurë, Arianita ka hequr dorë nga vetja për t’iu kushtuar të dyve. Nuk punon më, as nuk krijon edhe pse është një piktore e zonja po aq sa e ëma. Të tre, mbijetojnë me pensionin e Safo Markos. Ajo dhe i vëllai nuk kanë asgjë. Mbijetojnë vetëm me pensionin e Safos prej 330 mijë lekësh me të cilin janë munduar të bëjnë gjithçka: të paguajnë dritat, ujin, ilaçet e të dyve, ushqimet e veçanta për secilin, për shkak të sëmundjeve që kanë... Problemet janë shumë të rënda dhe është e vështirë të shprehen me fjalë apo të listohen. Gjendja është kjo: Safoja dhe Jamarbëri janë të dy drejt fundit. Të paktën kërkojnë pak dinjitet në këtë fund të pritshëm. Arianita e vetme nuk ka asnjë lloj mundësie tjetër, nuk di më se çfarë të bëjë. Ndonëse e kanë të vështirë gjithë këtë sa ndodh, përballja me shtypin, me njerëzit, me opinionin e gjerë, mjafton një takim për të kuptuar se çfarë i nevojitet, se çfarë ndihme mund t’u jepet. E vetme me dy njerëz të sëmurë, ka nevojë për njerëz që ta asistojnë. Një familje e mbytur në halle nuk mund të përcaktojë dot se çfarë i duhet më parë. Nëse do të kishte mundësi të paguante, do të kishte gjetur një infermiere apo një kujdestare që të përkujdesej për të dy. Duhen po para për të blerë ilaçet, sasia e të cilave ndryshon nga dita në ditë në varësi të gjendjes së njërit apo tjetrit. Për sa u takon ndihmave të deritanishme në para, të derdhura në numrin e llogarisë të vënë në dispozicion të familjes Marko, ka pasur ndihma, por kryesisht nga miq të Arianitës apo të familjes, shoqe të fakultetit, apo njerëz të thjeshtë që kanë dashur t’i bashkohen sensibilitetit me aq sa kanë mundur. Nga Galeria Kombëtare e Arteve është ofruar të blihet një pikturë e Safo Markos dhe paratë e përftuara prej së cilës do të ndihmojnë disi Markot. Po ashtu janë blerë edhe disa piktura nga njerëz të ndryshëm. Sot, për familjen Marko nuk ka rëndësi se nga vjen ndihma. Ndoshta do të jenë të shumtë lexuesit që do të mendojnë se ka plot familje të tjera në Shqipëri me të njëjtën nevojë si e familjes Marko. Por duhet kuptuar që ata janë një familje që i ka dhënë shumë këtij vendi dhe shoqërisë shqiptare. Ndihmat që ofrojnë individët për këtë familje janë një zgjidhje e përkohshme për aq kohë sa Safo dhe i biri do të kenë vazhdimisht nevojë për ilaçe e përkujdesje. E rëndësishme në këtë rast është një reagim institucional, që më së shumti do t’i drejtohej një njeriu dhe familjes së tij që as sot nuk përfitojnë nga krijimtaria e tyre. Lajmi për gjendjen e rëndë të familjes së Petro Markos u bë i ditur përmes një letre të hapur nga artistet Eleni Laperi e Suzana Varvarica në muajin prill, përmes së cilës ato bënin thirrje për t’i ardhur në ndihmë familjes së shkrimtarit Petro Marko, në këtë moment të vështirë që ajo po kalon. Ndërkohë që prej disa ditësh gazeta “Shqip” në faqet e saj ka nisur një fushatë sensibilizuese dhe një apel solidariteti për këtë familje.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›