Shpërthen bombol gazi pranë çadrës së PS, plagoset kalimtari
Tiranë- Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë, në afërsi të çadrës elektorale të Partisë Socialiste, pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Zhurma e fortë e shpërthimit është dëgjuar rreth orës 21:20 minuta, në momentet kur pranë kësaj çadre ka qenë duke u zhvilluar një koncert. Shpërthimi i ardhur nga një kosh plehrash, pranë bulevardit, ka shkaktuar panik mes simpatizantëve të PS-së, ndërkohë që forca të shumta policie, të mbërritura aty pas ngjarjes, gjetën copëza të një bombole gazi, e cila mendohet se ka shkaktuar shpërthimin. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë “MAPO”-s se tronditja ka qenë e fuqishme dhe se kanë parë flakë pranë koshit të plehrave. Shpërthimi ka shkaktuar gjithashtu plagosjen e një kalimtari të rastësishëm, i cili më pas u identifikua si Armando Dyrmishi, 29 vjeç. “Kemi qenë brenda në çadër, duke pritur që të niste një koncert dhe papritur kemi dëgjuar një shpërthim dhe kemi parë flakë. Shpërthimi ishte shumë i fortë dhe vala e tij na tronditi. Vetëm pak çaste pas shpërthimit, pamë një djalë të gjakosur, i cili po transportohej në krahë nga dy persona. E hipën në një makinë dhe u larguan me shpejtësi në drejtim të spitalit” – tregon njëri prej dëshmitarëve në lidhje me ngjarjen. Forca të shumta policie, të drejtuar nga kreu i Drejtorisë së Tiranës, Sajmir Muçaj dhe drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, mbërritën në vendngjarje dhe bënë të mundur rrethimin e zonës dhe nisjen e grumbullimit të provave. Sipas të dhënave paraprake, mësohet se shpërthimi ka ndodhur në një kosh plehrash që ndodhej vetëm pak metra larg çadrës elektorale të Partisë Socialiste. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia e Tiranës tha se shpërthimi ka ardhur nga një bombël gazi. “Nga shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, i cili ndodhet aktualisht në vendngjarje, në brendësi të kontenierit të plehrave janë gjetur pjesë copash të një bombole gazi. Nga ky shpërthim është dëmtuar lehtë një kalimtar, shtetasi Armando Dyrmishi, 29 vjeç, i cili po merr trajtimin mjekësor në spital”, – thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës. Dyrmishi, i cili është plagosur në këmbë, u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe më pas është marrë në pyetje nga efektivët e Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave paraprake, Dyrmishi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen dhe se ka qenë duke kaluar aty pranë, fare rastësisht. “Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Unë thjesht kam qenë duke kaluar, kur kam dëgjuar shpërthimin dhe jam plagosur në këmbë” – mësohet të ketë thënë i plagosuri, përpara efektivëve të policisë. Burime pranë ekspertëve hetimor bëjnë të ditur se brenda koshit të plehrave është gjetur dhe një fishekzjarr i paplasur, ndërkohë që hetuesit e policisë janë duke analizuar provat, për të zbuluar mekanizmin e shpërthimit të bombolës së gazit, pranë çadrës elektorale të Partisë Socialiste.