Debati me maska kundër Berishës
Partitë aleate të Partisë Demokratike po përpiqen të gjejnë deputetë aleatë brenda kësaj partie, për të bllokuar miratimin e mundshëm të sistemit të ri elektoral, sipas tendencës së bërë publike nga dy partitë kryesore për një sistem proporcional rajonal me lista të renditura paraprakisht.
Në dy daljet e tyre publike, Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane dhe Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane, janë përpjekur të gjejnë aleatë te grupet e rrezikuara brenda Partisë Demokratike nga ky sistem. Me një gjuhë diversioniste shumë të vjetër për politikën shqiptare, të dy aleatët e përkëdhelur të Sali Berishës u përpoqën ta faturojnë dialogun në Komisionin e Reformës Elektorale si një debat pa leje të Berishës dhe nga ana tjetër po përpiqen të bëjnë diversion, duke e paraqitur atë si një luftë klanesh brenda PD. Sipas logjikës së Mediut dhe Ndokës, meqë Ilir Rusmali është bashkëkryetar i Komisionit për Reformën dhe me “biografi të keqe”, është duke përpunuar një sistem që të eliminojë grupin parlamentar aktual të PD dhe si rrjedhim, të “dëmtojë” rëndë Sali Berishën, i cili nuk ditka ende gjë për këtë komplot të madh që po i shkatërroka partinë. Arsyetimin qesharak të Mediut e ndoqi me të njëjtin banalitet dhe Nard Ndoka. Në gjithë këtë servilosje pa sens të tyre ndaj Berishës nuk ka ndonjë gjë për të komentuar, se po të mos ishte Sali Berisha, njëri do ishte elektroaut dhe tjetri duke bërë shoping gjëkundi. Problemi është se ata nga një anë po përpiqen të hiqen si shumë luajalë ndaj Berishës dhe nga ana tjetër po përpiqen t’i ndërhyjnë atij brenda grupit parlamentar, duke ndërsyer deputetët kundër negociatave për sistemin elektoral. Në deklarimet e tyre shihet qartë se ata po investohen ndaj çdo deputeti të PD që mund të mos konsiderohet si i përshtatshëm për listën preferenciale të vitit 2009. Dhe nuk është se nuk kanë rezultat. Ka disa ditë që debati është rigjallëruar brenda grupit parlamentar të PD dhe po shikohet gati si komplot ideja e një sistemi proporcional që fikson përpara listën e deputetëve që do të hyjnë në Kuvend. Ky problem i injektuar brenda grupit të PD nga aleatët e saj është i vetmi zhvillim serioz, ndaj të cilit PD duhet të mbajë qëndrim ndaj aleatëve. Nëse debati mes aleatëve dhe PD është acaruar deri në këtë shkallë, sa kryetarët e partive aleate të saj të nisin diversionin ndaj PD, atëherë, në rast kundërpërgjigjeje, nuk është e sigurt se me sa deputetë mbetet Mediu në një votim të mundshëm kundër qëndrimit zyrtar të PD.
Listat e hapura apo të mbyllura janë një debat, i cili po shkon drejt listave të mbyllura. Së paku, OSBE e bëri dje të qartë publikisht këtë kusht. Është mënyra e vetme që të frenohet futja e biznesmenëve që blejnë vota duke shtuar fiktivisht numrin e votave të partive të vogla dhe mbi të gjitha është mënyra e vetme që të gjithë të investohemi te demokracia brenda partive dhe jo te rekrutimi apo blerja e pushtetit. Sali Berisha dhe Edi Rama natyrisht janë të fituarit e mëdhenj të këtij sistemi, por në finale ata nuk mund të punojnë kundër vetes. Ata janë të dënuar të fusin në lista gjithë faktorët që kanë brenda partisë, ndryshe humbja ndëshkohet me ikje nga politika. Mirë do të jetë që këto norma demokracie të përsosin dhe partitë e vogla, të cilat deri më sot kanë hyrë në zgjedhje, duke garantuar vendin e kryetarit dhe duke shtuar poshtë tij emra personash në kërkim që të mbledhin vota për ta, duke njollosur në disa raste dhe profilin e koalicionit. Nëse ka apo s’ka demokraci brenda PD dhe PS në mënyrën sesi do të bëhen listat e mbyllura, ky është një debat i brendshëm i këtyre dy partive dhe jo i Ndokës dhe Mediut. Ata nuk mund ta trajtojnë Sali Berishën si Beqir Balluku Enver Hoxhën, i cili, dhe kur ishte duke u pushkatuar, kishte idenë që “shoku Enver” nuk dinte gjë. Problemi se kë mandaton PD për të negociuar për sistemin elektoral është problem i PD dhe jo i PR apo PDK. Ata janë thjesht pjesë e PD dhe kontributet e tyre në PD i vlerëson elektorati i PD. Dikush është themelues i PD, si Rusmali, dikush i ardhur më ’96, si Topalli, dikush i ardhur më 2005, si Oketa, por të gjithë pjesë e PD. Problemi i aleatëve të shqetësuar është si të sigurojnë ndonjë vend në Kuvend pa pasur elektorat. Për këtë duhet të bisedojnë me atë që kanë biseduar gjithmonë dhe që i ka futur gjithmonë në parlament. Ai quhet Sali Berisha. Nëse duan luftë me të, t’i dalin përballë, s’ka nevojë t’i bëjnë diversion brenda PD. Pasi, po nisi ky i fundit t’iu bëjë të njëjtën gjë, ata do të harrojnë dhe emrat e partive të tyre.