Meta: Sistemi spanjoll, antikushtetues
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha në mbledhjen e djeshme të Komitetit Drejtues Kombëtar, se kryetari i PS po shfaq arrogancën e lidershipit politik të mëparshëm që drejtonte këtë parti. Mbledhja e djeshme e KDK sanksionoi vendimin për krijimin e koalicionit “E majta për integrim”. Duke folur në këtë mbledhje, Meta tha se para dy vitesh, LSI u fut e fundit në koalicionin e majtë, pasi u vendos që do kishte një reformë korrekte dhe të gjithëpranuar zgjedhore. “Ne shprehim keqardhjen sot që dyshimet tona të dy viteve më parë u provuan. Ne shprehim keqardhjen sot që lidershipi i PS nuk ka mësuar asnjë gjë nga dështimet e lidershipit të mëparshëm të PS. Na vjen keq që koalicioni i vjetër opozitar nuk e kreu misionin e tij dhe as objektivat politike që ai caktoi. Ai pushoi së ekzistuari realisht pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Në këndvështrimin e lidershipit të PS, qëllimi i tij ishte afatshkurtër, fitorja jo e zgjedhjeve nga e majta, por fitorja e Bashkisë së Tiranës”, - tha Meta.
Dështimet e koalicionit
“Koalicioni për fat të keq nuk realizoi objektivat e tij themelore: Dështoi në arritjen e një qëndrimi të përbashkët në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku lidershipi i PS shfaqi një pavendosmëri dhe mungesë qartësie, duke paraqitur një listë të pafund kandidatësh, gjë që bëri të humbej një mundësi e madhe e opozitës për t'i thënë ndal revanshit uzurpues të Berishës ndaj gjithë institucioneve të vendit. Ju e mbani mend fort mirë që LSI nuk paraqiti ndonjë kandidat të saj për këtë çështje, sepse në plan të parë vuri interesin e bashkimit të opozitës me një kandidat të vetëm që ishte ai i ish-presidentit Moisiu.
Koalicioni gjithashtu dështoi në arritjen e një niveli të tillë të bashkëpunimit, ku do të realizohej edhe paraqitja e alternativave të përbashkëta opozitare ndaj keqqeverisjes pa precedent të kësaj mazhorance.
Por, në mënyrë të veçantë, koalicioni dështoi në realizimin e një qëndrimi të përbashkët për çështjen themelore të reformës zgjedhore. Lidershipi i PS nuk i është përgjigjur shqetësimit të vazhdueshëm të LSI për realizimin e kësaj reforme. Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005 unë i kërkova takim kryetarit të PS për këtë qëllim, gjë që u refuzua prej tij.”
Akuzat për sistemin zgjedhor
“Modeli aq i dëgjuar edhe kohët e fundit, ai spanjoll, që lidershipi PS-PD gatuan në mënyrë të fshehtë dhe ku synonin ta paraqisnin në një seancë blic në parlament, është një komplot i vërtetë për demokracinë shqiptare.
Sipas konceptit të lidershipit PD-PS, nuk ka rëndësi se dëmtohet rëndë demokracia, nuk ka rëndësi që sistemi që po përgatitet prej tyre cenon frymën e Kushtetutës, (e konkretisht nenin 64 të saj), por e rëndësishme, sipas tyre, është që lidershipi i këtyre dy partive të uzurpojë përfaqësimin e shqiptarëve në parlament në mënyrë të pandershme, njëkohësisht këta dy liderë të kontrollojnë gjithçka që ndodh brenda partive të tyre.
Ky sistem atje është realizuar për të favorizuar dy partitë kryesore, me qëllim dekurajimin e përfaqësimit në nivelet më të larta të lëvizjeve separatiste.”
Koalicioni i ri
“Ky koalicion do të sjellë konsolidimin e identidetit të së majtës progresiste në Shqipëri, të vlerave atdhetare që ajo duhet të mbartë dhe jemi të bindur që në këtë drejtim LSI ofron të gjitha siguritë e domosdoshme.
Ky koalicion do të vazhdojë të sjellë një frymë të re në politikë dhe transparente për shqiptarët dhe jo politikën e mbyllur që mbijeton mbi monopolet e reja politike, ekonomike e mediatike. Ky koalicion do të sjellë një frymë të re, me njerëz të rinj e jo me nomenklaturë të vjetër. Do të vazhdojë të prodhojë alternativë qeverisëse për shqiptarët, me besimin e patundur që në zgjedhjet e ardhshme fitorja do të jetë e gjithë të majtës dhe jo e ca liderëve që e kanë për turp të quhen të majtë, por që votat e të majtëve i duan me aq zell, vetëm për të ndërtuar pushtete të pakontrolluara nga askush, veç vetes së tyre dhe grupeve të interesave që përfaqësojnë. Ne do të vazhdojmë të japim alternativa e modele të reja zhvillimi, duke respektuar kontributet e gjithsecilit dhe jo duke bërë plagjiatura apo fotokopje të veprimit politik të partive të tjera që variojnë nga konceptet politike e deri te ngjyrat e simboleve të partisë.”
Rama nuk zbatoi marrëveshjen para zgjedhjeve lokale
Kryetari i LSI, Ilir Meta, hodhi dje akuza mbi kryetarin e PS, se ai nuk ka zbatuar marrëveshjet për zgjedhjet vendore. “Sot, dëgjojmë se LSI po e prish gjoja koalicionin për shkak të interesave të ngushta partiake. Nëse do të ishte kështu, zotërinj drejtues të Partisë Socialiste, na duhet të kujtojmë se atë marrëveshje po të ishte për interesa partiake të LSI, do duhet ta kishim prishur me qindra herë që nga koha që ajo u nënshkrua. Madje, do duhej ta kishim prishur që më 19 shkurt, ditën pas fitores së Bashkisë së Tiranës, kur me paturpësi u mohua premtimi që LSI të kishte një nga nënkryetarët e bashkisë.
Premtim ky i dhënë me aq optimizëm dhe dashuri para fushatës elektorale. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Durrësin, edhe për shumë qytete të tjera, ashtu sikurse kjo nuk qëndron për qytete të tjera, ku kryetarët e bashkive edhe pse të PS u treguan luajalë dhe seriozë. Nuk është kjo arsyeja kryesore e dëmtimit të këtij koalicioni”, - tha Meta.