E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati në Kuvend, Berisha, opozitës: Jo bojkot për inatin tim

Ruçi: Plotësoni kushtin për transparencën e votave

Mazhoranca dhe opozita debatojnë për disa orë me radhë në seancën plenare. Debatet për projektligjet për miratim, por dhe çështje politike si ajo e zgjedhjeve kanë rikthyer debatet. Replikat e para janë shkëmbyer mes kreut të qeverisë, Sali Berisha, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Berisha e konsideroi si të padrejtë vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në votimin e ligjeve në Kuvend. Sipas tij, nuk mund të merret një vendim i tillë vetëm për inat të tij. Por kreu i deputetëve socialistë e konsideroi Berishën si përgjegjës të kësaj situate, ndërsa ritheksoi vendimin e socialistëve për të mos qenë pjesë e votimit të projektligjeve. Vendimin e marrë dy ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar, PS e vuri në zbatim duke mos qenë pjesë e votimit për disa projektligje të rëndësishme të miratuara dje. Edhe pse diskutuan për disa orë me radhë së bashku me mazhorancën, deputetët opozitarë u larguan nga salla në momentin e votimit.

Replikat Berisha-Ruçi

Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës për bashkëpunim në Kuvend duke lënë mënjanë armiqësitë. Berisha theksoi sot se në asnjë vend të botës, asnjë opozitë nuk braktis votimin e ligjeve, por bashkëpunon në Parlament, mbi të gjitha sepse është ligjvënës. Kurrë nuk mund të ndodhë që një opozitë të mos votojë ligjet, kjo s'ka ndodhur kurrë në historinë e Parlamentit, sepse jeni ligjvënës, ju garantoj se çdo ligj do diskutohet këtu në frymën e kompromisit, ju garantoj se në çdo rrugë tjetër propozimet tuaja do vlerësohen që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, - tha ai. Më tej Berisha kujtoi se dhe në kohë më të vështira, ish-ministra e ish-kryeministra nga opozita kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me pozitën për të mirë të vendit. Unë gjykoj këtu që të flasim këtu për korrupsionin, probleme ekonomike, dhe sociale, dhe normale, dhe akoma më normale është të propozosh ligje dhe amendime, por jo të mos votoni asnjë ligj në këtë Parlament, në një kohë kur këtu me ish-ministra, ish-kryeministra, me të cilët edhe në situata më të vështira nuk kemi refuzuar kurrë të mos bëjmë ligjet bashkë. Unë nuk dua të përfitoj, - theksoi Kryeministri ndërsa ftoi opozitën të mos veprojë e të udhëhiqet nga ndjenja e armiqësisë kundrejt personit të tij. Mos kujtoni se ka në botë opozitë që nuk voton ligjet për inat të kryeministrit, se unë e di që nuk e keni me mazhorancën, por e keni hallin me mua. Ju ftoj të mos udhëhiqeni nga fryma e armiqësisë, por nga ajo e bashkëpunimit. Kjo ishte thirrja ime shumë e sinqertë ndaj jush, - tha ai. Pas fjalës së kreut të qeverisë, ka reaguar kreut të grupit parlament të PS, Gramoz Ruçi, që i kërkoi Berishës që ti japë fund krizës politike, duke zgjidhur çështjen e zbardhjes së votave në kutitë e votimit. Zoti Kryeministër, opozitën do e keni gati për çdo ligj e nismë, nëse plotësoni kushtet tona, transparencën e votave duke i dhënë fund kësaj krize politike, - pohoi Ruçi. Por, kreu i qeverisë reagoi sërish dhe mes të qeshurave e duartrokitjeve në sallën e Parlamentit tha se ai është një lider i rrallë në botë që përzihet me dhunë dhe fiton pushtetin me votë. Unë u përkas atyre politikanëve të paktë në Evropë e botë që ma morën pushtetin me dhunë dhe ua mora me votë. Por problemi i vërtetë është se ju e morët pushtetin me dhunë dhe ne ju përzumë me votë, - tha Berisha duke lënë pas kësaj fjale edhe sallën e Parlamentit. Pavarësisht kësaj ftese të Kryeministri, opozita i qëndroi vendimit të saj dhe në momentin e votimit të projektligjeve ka braktisur punimet e seancës plenare.

Dokle: Kur marr fjalën, mund të flas edhe për seksin e engjëjve

Replikat në seancën plenare nuk kanë munguar dje as mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topali, dhe nënkryetarit Namik Dokle. Deputeti i PS-së këmbënguli për të marrë fjalën lidhur me debate për inspektimin financiar. Topalli i tha atij se mund të diskutonte të parim për draftin. Mund të urdhëroni pjesën tjetër si të flasë, mua jo, - tha ai. Por kryeparlamentarja i kujtoi rregulloren. Kur marr fjalën, mund të flas edhe për seksin e engjëjve dhe ju nuk më ndaloni dot. Pa hë more Namik, - iu përgjigj Topalli atij.

Replikat në seancë

Sali Berisha : Mos kujtoni se ka në botë opozitë që nuk voton ligjet për inat të kryeministrit, se unë e di që nuk e keni me mazhorancën, por e keni hallin me mua. Ju ftoj të mos udhëhiqeni nga fryma e armiqësisë, por nga ajo e bashkëpunimit. Kjo ishte thirrja ime shumë e sinqertë ndaj jush.

Gramor Ruçi: Ajo që duhet tu thuash sot njerëzve është e ke marrë apo se ke marrë pushtetin me votë dhe po e mban apo nuk po e mban me dhunë. Kjo është përgjigjja që duhet të japësh. Ndaj zoti Kryeministër opozitën do e keni opozitën gati për çdo ligj e nismë, nëse plotësoni kushtet tona, transparencën e votave, duke i dhënë fund kësaj krize politike

Sali Berisha : Zoti Ruçi, a ishit ju kur thatë para dy javësh o nxirr vizat ose vizë Shqipërisë, e turpshme ishte kjo ndjellakeqëse ishte kjo, po ja që dolën vizat dhe jo vizë Shqipërisë. Unë ju bëj thirrje që kritikat ti vazhdoni pa ndërprerje, pas çdo vendimi që do merrni në mënyrë absolute do keni respektin e Sali Berishës.

Për sa i përket rregullores, duhet të ishte opozita që ta propozonte rregulloren. Në ligjet kur unë isha President, nuk kisha në dorë të propozoja më shumë se 1/3 e gjyqtarëve të lartë të vendit. Ju e bëtë vetë me Kushtetutën që miratuat vetëm. Më gjeni një vend ku presidenti të propozojë të gjithë gjyqtarët dhe parlamenti ti votojë fshehtas. A imagjinoni sikur pas tri vitesh tju bëhet Sali Berisha President ju, që nuk do bëhet kurrë, po ju do kapnit kokën me dorë. Unë nuk do bëhesha kurrë më President, po e mora si shembull, se ju merreni vetëm me mua.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›