E Diel, 1 Nëntor 2026

Largimi i opozitës, PD miraton tre ligje në Kuvend

Debate të ashpra për ligjin "e faljes". PS: Po i hiqni Presidentit kompetencat kushtetuese dhe po ia jepni ministrit të Drejtësisë


TIRANË - Mazhoranca miratoi në seancën e djeshme plenare tre ligje të kontestuara nga opozita, pasi kjo e fundit u largua nga Kuvendi. Gjatë shqyrtimit të projektligjeve, deputetët e opozitës kundërshtuan miratimin e tyre.


Ndër ligjet më të debatuara ishte ligji për Inspektimin financiar dhe ligji "Për faljen" e Presidentit. Një tjetër ligj që u miratua dje në seancë ishte edhe ligji "Për përcaktimin e poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".


Pas miratimit vetëm me votat e së djathtës, socialistët do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për "ligjin e faljes". Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, paralajmëroi djathtët se në rast të miratimit të ligjit, atëherë opozita do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.


Deputetët e opozitës, duke e cilësuar si antikushtetues këtë ligj, i kërkuan shumicës që të mos e miratojë në mënyrë që t'i bashkëngjiten amendamentet përkatëse që rregullojnë marrëdhëniet midis ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës.


"Po të ishte se Kushtetuta pranon propozimin e ministrit të Drejtësisë, duhet të ishte në Kushtetutë që të thuhej 'presidenti me propozim të ministrit të Drejtësisë ushtron faljen', kjo gjë nuk është bërë, ndaj kjo është antikushtetuese.


Për faktin që cenohet institucioni i presidentit, cenohet Kushtetuta, ne shprehim votën kundër këtij ligji dhe uroj që ju të reagoni që ky ligj të mos shkojë në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht për këtë pjesë që unë sapo thashë", - theksoi deputetja Hysi para votimit të projektligjit.


Edhe deputeti tjetër socialist, Sajmir Tahiri, e cilësoi antikushtetues ligjin e ri. Socialistët kërkuan më shumë transparencë për vetë rëndësinë që ka ky ligj, pasi, sipas tyre, ligji rregullon një institut që është abuzuar me të duke u bërë pazare politike. Partia Socialiste kundërshton kompetencën që i jep ligji i ri Ministrisë së Drejtësisë në faljen e personave të dënuar. "Kushtetuta thotë që Presidenti ushtron faljen sipas ligjit dhe jo sipas ministrit.


Ajo që keni bërë me këtë praktikisht, keni cenuar institutin e faljes duke shkelur Kushtetutën dhe duke e kthyer kompetencën ekskluzive të Presidentit të Republikës për të dekretuar falje, duke e kthyer në një kompetencë ekskluzive të ministrit të Drejtësisë dhe të ekzekutivit", - theksoi Tahiri. Deputeti socialist hodhi dyshime mbi shpërdorimin që mund të bëhet nga hapësirat ligjore që lejon ligji i ri, që siç e cilësoi Tahiri, rrezikon të krijojë korrupsion politik.


"Po krijohet një monopol që potencialisht mund të krijojë korrupsionin politik, financiar dhe elektoral me institutin e faljes në dorë të ministrit të Drejtësisë. Kush na e heq neve dyshimin që ministri i Drejtësisë me këtë institut nuk do të abuzojë duke rekomanduar disa, apo duke mos rekomanduar disa të tjerë për Presidentin e Republikës", - denoncoi nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë.


Gjatë diskutimit të projektligjit "Për faljen" ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se ky projektligj vjen si nevojë e rinovimit të ligjit aktual, i cili është tashmë i vjetërsuar dhe i papërshtatshëm për rrethanat dhe kërkesat e kohës. Institucioni i vetëm që mund të ofrojë informacionin e saktë për personat e dënuar është Ministria e Drejtësisë dhe pikërisht për këtë arsye është institucioni pranë të cilit duhet të depozitohen kërkesat për falje, vuri në dukje zoti Nishani.


"Në asnjë rast, në asnjë nen, në asnjë paragraf në dispozitat e këtij projektligji nuk parashikohet cenimi apo heqja e kompetencave të Presidentit të Republikës. Në asnjë rast, në asnjë nen të dispozitave të këtij projektligji nuk parashikohet futja apo dhënia e kompetencave të ministrit të Drejtësisë apo institucioneve të tjera ekzekutive për të ndikuar, për të orientuar të drejtat ekskluzive kushtetuese të presidentit për dhënien e faljes", - deklaroi ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani.


Bode: Inspektimin Financiar, ligj i kërkuar nga BE

Opozita kërkoi rikthimin e projektligjit për shqyrtim në komisione, gjë që u kundërshtua nga mazhorancë, përfaqësuesit e të cilës vunë në dukje se tashmë opozita e ka votuar projektligjin në Komision. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, u shpreh se nëpërmjet ligjit të ri cenohet rëndë edhe puna e organeve të pavarura.


"Antikushtetutshmëria e këtij ligji është një element i mjaftueshëm për të votuar kundër tij, në mbrojtje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të pushtetit vendor, si dhe institucioneve të rëndësishme kushtetuese, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Shërbimi Informativ i Shtetit apo dhe shoqërisë civile", - u shpreh Kodheli.


Nga ana tjetër, ministri i Financave, Ridvan Bode, nënvizoi se krahas rritjes së përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike, ky projektligj është një hap i rëndësishëm në reformat e qeverisë kundër korrupsionit dhe njëkohësisht plotëson detyrimet që rrjedhin nga dokumentet strategjike të proceseve integruese.


Ministri vuri në dukje se projektligji bën një ndarje të qartë mes inspektimit dhe auditimit, garanton konstatimin në kohë të rasteve të abuzimit me fondet publike dhe është në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe veçanërisht me ligjet organike në fuqi, si dhe me direktivat e Bashkimit Europian.


Debatet midis Tahirit dhe Bregut:

Tahiri: Zonja ministre të lutem. Unë po flas këtu, pse ndërhyn. Mirë që vjen edhe 5 minuta, por flet edhe në telefon.
Bregu flet në telefon...
Tahiri: Më lër të flas pra, se jam i ndjeshëm nga zhurmat
Bregu: I paedukatë.
Tahiri: Zonja kryetare
Bregu: E shikon këtë... (shuplakën)
Tahiri: Ma merr mendja që edhe ti nga mbrapa je e ndjeshme.
Topalli: Zoti Tahiri, ju lutem
Thirrje nga Kuvendi: Rrugaç
Bregu: Edhe rrugaç e ka pak ky

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›