E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja nis shqyrtimin e ligjit "antimafia"

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ligji është bërë për të marrë pronat. Ai është në shkelje të hapur të Kushtetutës


Ligji i hartuar nga qeveria sekuestron pasuritë e personave bazuar në indicie e jo në prova


TIRANË - Gjykata Kushtetuese filloi dje shqyrtimin e kërkesës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut të ligjit "Për parandalimin e krimit të organizuar", ose siç njihet ndryshe, ligji antimafia. Dje u zhvillua seanca e parë ku u prezantuan palët, në të cilën edhe KSHH dha pretendimet e saj mbi të cilat bazohet kërkesa për shfuqizimin e ligjit.


Sipas përfaqësuesit të KSHH-së, aplikimi i ligjit në formën se si ai është hartuar sjell pasoja të rënda e të pariparueshme për interesat e shtetasve, cenon të drejtën e pronës, të drejtën për kompensim, trajtim të barabartë si edhe prezumimin e pafajësisë.


"Ligji deformon institutin juridik të dyshimit të arsyeshëm, duke e shndërruar atë në dyshim të arsyeshëm të bazuar në indicie. Nuk mund të ketë një dyshim të arsyeshëm të mbështetur në indicie, pasi i mbështetur në indicie ai nuk mund të jetë i arsyeshëm.


Mungesa e garancisë ligjore për një proces të rregullt ligjor cenon të drejtat e lirisë, veprimtarisë ekonomike, dhe të drejtën e pronës të parashikuar në nenin 41 të Kushtetutës dhe në nenin 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut", - u shpreh përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.


Kërkesën për rrëzimin e ligjit antimafia, KSHH e arsyeton edhe me faktin se në pikën 1 të nenit 12, shkelen hapur parimet kushtetuese që kanë të bëjmë me procesin e rregullt ligjor dhe të drejtën e pronës.


Në këtë nen, parashikohet se kërkesa për vendosjen e sekuestros shqyrtohet nga gjykata në praninë e prokurorit. Ajo që bie në sy, thekson KSHH, është fakti se ligji nuk e konsideron të arsyeshme praninë e personit, ndaj pasurisë të së cilit do të aplikohet masa e sekuestros, duke i mohuar atij të drejtën për proces të rregullt ligjor dhe parimin e eksesit efektiv. "Ky parim shmanget vetëm në raste të veçanta", - vijon ai.


Arsyetimi i kërkesës ka vazhduar duke iu referuar përmbajtjes së neneve të tjera të ligjit, të miratuar disa muaj më parë vetëm me votat e mazhorancës. "Objekt i këtij ligji në mënyrë të drejtpërdrejtë bëhet e drejta e pronës", - theksoi përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Më pas, seanca ka vijuar me fjalën e gjyqtarit, i cili i ka pyetur përfaqësuesin e KSHH-së se nëse gjatë hartimit të kërkesës kanë marrë parasysh faktin se në nenin 17 të Kushtetutës, i cili lejon kufizimet e të drejtave të individëve kur në mes është një interes publik.


Ligji antimafia u miratua në fund të vitit të shkuar duke shkaktuar debate të shumta në lidhje me procedurat që ai parashikonte në rastet kur bëhej fjalë për sekuestrim të pronës. Sipas dispozitave të parashikuara në ligj, kushdo që ka një pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht vlerës apo periudhës në të cilën është krijuar, është i detyruar që të vërtetojë prejardhjen e saj.


Nëse kjo nuk ndodh, organet hetimore gëzojnë të drejtën që duke u bazuar mbi indicie të kërkojnë sekuestrimin e saj. Objekt i ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", janë personat që kanë një standard jetese, të cilin nuk e justifikojnë të ardhurat që ai ka deklaruar.


Ky është treguesi i parë që i bën organet përgjegjëse të nisin hetimin duke parashikuar edhe sekuestrimin e pasurisë nëse ka të dhëna që personi e ka përfituar atë në rrugë të jashtëligjshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›