Nano: Vizat, meritë e 20 viteve politikë
Rishfaqet ish-kryeministri Fatos Nano: Vizat nuk janë një çështje që mund të privatizohen në mënyrë të paligjshme
GJIROKASTËR - Ish-kryeministri Fatos Nano është rishfaqur dje në skenën publike për të marrë në dorëzim titullin "Nderi i Lunxhërisë", që iu akordua babait të tij, Thanas Nano, pas vdekjes, nga komuna e me të njëjtin emër.
Por, këtë dalje, Nano e ka shfrytëzuar për të treguar se vendimi për vizat nuk është meritë e Berishës apo e PD-së, por e 20 viteve politikë shqiptare. "Në vorbullën e konfliktit shterpë të politikës, kërkoj dhe nxis përfaqësuesit të ngrihen mbi palët konfliktuale të së kaluarës dhe ta ndërtojnë politikën e palës europiane në Shqipëri dhe në të mirë të Shqipërisë.
Vizat nuk janë çështje e asnjërës palë, nuk janë një çështje nuk mund të privatizohet në mënyrë të paligjshme. Jemi tashmë në një proces të pakthyeshëm që e ka bekuar Shqipëria dhe Perëndia dhe askush nuk mund t'i vërë stërkëmbëshin", - u shpreh Nano.
Duke komentuar politikën aktuale Nano tha se tashmë janë tre aktorë, mazhoranca, opozita dhe ndërkombëtarët.
Sipas tij, qeveria është në pozita komike, ndërkombëtarët në pozita dramatike, ndërsa opozita në pozita tragjike. Por Nano nuk mund të linte rastin pa iu kundërvënë Partisë Socialiste, ashtu siç ka bërë gjithmonë edhe në të shkuarën. "Po pres që PS të bëhet partnere dhe ta bëjnë këtë vend, më në fund, jo vetëm anëtarë të NATO-s, por edhe të BE. Pushteti vendor po bën opozitë me pushtetin qendror", - tha Nano.