Debati per KLD-në, Topi kundër Topallit
Përpos pretendimit të mazhorancës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, lë qartë të kuptohet se mbledhja e Konferencës Gjyqësore për anëtarët e rinj të KLD-së duhet të bëhet me ligj.
TIRANË- Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, deklaroi dje se, ngërçi që ka lindur për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nuk e lejon atë të dalë mbi Kushtetutën dhe nuk mund të punojë në terrene ekstra-ligjore. Në një intervistë për emisionin"Ora e Debatit", Presidenti Topi, i pyetur mbi debatin e fundit në KLD, u shpreh se, ai nuk mund të bëjë rolin e mbikëqyrësit apo interferuesit në këtë proces. "Unë si President, nuk do të doja të isha interferues, nuk dëshiroj të marr ndonjë mënyrë të qartë, anën e njërit apo tjetrit. Nuk mund të jem mbikëqyrës mbi çdo deklaratë. Është Kushtetuta dhe janë ligjet. Presidenti nuk punon në terrene ekstra-ligjore,"- tha dje Topi.
Lidhur me deklaratën e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu se gjyqtarët nuk mund të vetëmblidhen pa kaluar projektligji në Parlament, Topi tha se, të gjithë kanë të drejtë të shprehen në mënyrën e tyre, por vetë ai si referencën kryesore ka Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke lënë qartë të kuptohet se zgjedhja e anëtarëve të rinj në KLD, duhet të bëhet në bazë të ligjit, dhe jo përmes ndonjë strukture vetëmbledhëse. "Të gjithë kanë të drejtë të prononcohen. Unë i qëndroj parimeve kushtetuese, mos e kërkoni thjesht nga Presidenti, ka Gjykatë të Lartë, ka ligj. Secili duhet të ketë përgjegjësitë e veta. Unë kam një referencë, që është Kushtetuta dhe ligjet e këtij shteti", - u shpreh ai.
Lidhur me mundësinë e mbledhjes së Konferencës Gjyqësore dhe marrjes së vendimeve në të, për zgjedhjen e katër anëtarëve të KLD-së, Topi nënvizoi se çdo aktor institucional e njeh ligjin dhe për këtë nuk mund të paragjykohet se çfarë do të ndodhë realisht. "Unë kam bindjen që çdo aktor institucional e njeh ligjin. Sot nuk kemi pse të paragjykojmë se çfarë do të ndodhë, mund të ketë apelime në Gjykatën Kushtetuese,"- theksoi Topi. Presidenti, theksoi më tej se, shpreson që të arrihet një dialog institucional me qëllim që të mos kontestohet ligjërisht procesi i zgjedhjes së anëtarëve në KLD. "Unë nuk kam klimë paragjykuese për askënd. Shpresoj për zënien e këtyre boshllëqeve. Unë inkurajoj konsulta dhe dialogun institucional që të mos ketë nevojë të kontestohet ligjërisht. Ne jemi të prirur të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese,"- pohoi Presidenti i vendit.
Bojkoti
Presidenti, Bamir Topi deklaroi se, ai nuk mund të ndërhyjë në vullnetin e partive politike për të zgjidhur krizën politike në vend midis mazhorancës dhe opozitës. Topi vuri në dukje se ai nuk e mbështet bojkotin e opozitës, por ai u shpreh se nuk mund të ndërhyjë në vullnetin e forcave politike. Sipas tij, këto qëndrime të mazhorancës dhe opozitës, tregojnë për një siptomë të krizës politike. "Ndërmjetësimi është i rëndësishëm dhe duhet të gjenden njerëzit që të bëjnë ndërmjetësimin brenda partive", - tha Topi. Bamir Topi shtoi se, nuk mund të dalë nga roli i Presidentit, dhe se u takon partive politike, që të fillojnë dialogun. Sipas tij, partitë duhet së pari që të shprehin vullnetin e tyre për dialog për të arritur tek ndërmjetësimi, që mund të kryejë Presidenti.
"U takon partive të marrin një vendim për të filluar dialogun. Nuk fillon në një terren të thatë. Gjatë tranzicionit, janë krijuar ngrica, dhe më pas janë shmangur. Skena politike shqiptare, përveç krizave nuk ka se si të mos ketë edhe rrugëdalje nga kriza. Unë nuk kam ndërhyrë për të ndërmjetësuar, por duhet që partitë ta shprehin vullnetin për të arritur tek ndërmjetësimi im", - u shpreh Topi. Kreu i Presidencës, theksoi gjithashtu se ai nuk ka bërë ndonjë tentativë të drejtpërdrejtë, dhe sipas tij, partitë politike shqiptare mund të gjejnë mediatorë përtej presidentit.
Marrëveshja e ujërave me Greqinë
Presidenti Topi, foli dje, edhe mbi marrëveshjen e ujërave detarë me Greqinë, që është kthyer sërish për t'u shqyrtuar në Komisionin e Ligjeve. Sipas tij, kjo marrëveshje ka nevojë për një transparencë. Topi shtoi se kjo është çështje e aktorëve institucionalë dhe se ndërmarrja e kësaj iniciative është institucionale dhe jo e një aktori të vetëm. "Ka qenë nevoja për një proces transparent. Kjo është një çështje e seriozitetit të aktorëve institucionalë. Janë të respektuar të gjithë të japin ekspertizën e tyre në institucione. Njerëzit, që janë në institucione, duhet të jenë të përgjegjshëm për momente të tilla. Çështja nuk është se vjen si vendimmarrje e një aktori"- u shpreh Topi. Sipas kreut të shtetit, kjo vendimmarrje kërkon një diskutim të gjerë, të të gjitha strukturave të shtetit, dhe se duhet të jetë pjesë e debatit e të gjithë spektrit politik. I pyetur nëse do ta dekretonte ligjin për marrëveshjen me Greqinë, Topi tha se të flasësh në këto momente për dekretim është paragjykim.