E Diel, 1 Nëntor 2026

Jashtë kontrollit

“Kafshët kanë dalë jashtë kontrollit”, - ishte njëra prej frazave të thëna nga 22-vjeçari i AEY-së, Efraim Diveroli, në bisedën që më pas, i ndjeri Kosta Trebicka, ia kishte përcjellë drejtësisë shqiptare, duke denoncuar Gërdecin.

Diveroli ishte vërtet një aventurier i ri që kishte fituar kontrata me 298 milionë dollarë amerikanë nga Pentagoni. Falë jetëshkrimit tregtar, gati 80-vjeçar të familjes së tij, kishte trashëguar edhe nuhatjen për të gjetur të ndoturit në qeveritë që do të bashkëpunonin në trafikun e municioneve të vjetra kineze. Por, edhe pa e thënë aventurieri partner i qeveritarëve shqiptarë, qeveritarët aktualë, pak herë e kanë patur veten nën kontroll, jo për faktin se nuk u janë përmbajtur premtimeve elektorale dhe programit politik, por sepse nuk kanë dashur të kontrollohen.

Në më se tre vite të mbajtjes së pushtetit, nuk kanë qenë të pakta rastet kur kemi parë kryeministrin dhe ministrat e tij jashtë kontrollit, kur ndaj tyre është kërkuar kontrolli.

Kryeministri i para dy ditëve, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ishte po ai i kundërsulmeve personale, kur i kërkohet llogaridhënia politike si shef i Ekzekutivit. Fjalori dhe leksiku i përdorur prej tij në Kuvend, ishte “jashtë kontrollit”, pikërisht në kundërpërgjigje të së drejtës së vetme që kemi për të kërkuar llogari për punët (e pista) që bën qeveria.

Në historinë më se trevjeçare të Kuvendit, ku PD-ja ka një shumicë të brishtë, kryeministri ka qenë jashtë kontrollit, sa herë kur ndaj bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në qeveri, është kërkuar kontroll. Nëse ish-kryeprokuri u bë hero i mbrojtjes së organit të Akuzës, kjo ishte edhe meritë e “qëndrestarit” kryeministër për të mos dorëzuar para drejtësisë bashkëpunëtorët e tij në qeveri, që kishin abuzuar me projektet infrastrukturore.

Sa herë që prokurorët merrnin guximin për të kryer detyrën, për të marrë projektin e munguar të një rruge që kushton sa çereku i buxhetit të 2009-ës, për të marrë në cilësinë e personit që ka dijeninë për ngjarjen, stafin e ngushtë të ministrit të akuzuar, apo kur një vit më parë, ish-prokurori, vendosi të vijojë procedimin për dosjen e rrugës Rrëshen-Kalimash, kryeministri doli sërish jashtë kontrollit dhe urdhëroi deputetët e tij të përsërisnin komisionin hetimor parlamentar dhe ta shkarkonin.

Kjo që po përsëritet është e njëjta skemë e daljes jashtë kontrollit, sepse organi i Akuzës vendos të bëjë detyrën. Si në rastin e kërkesës për heqjen e imunitetit parlamentar, ish-ministrit të Mbrojtjes, të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, rrengjeve me dosjen herë të vogël e herë të ekzagjeruar, kërkesës për të hetuar, se si kishte mundësi që një biznes kriminal të ishte ngritur nën dijeninë e plotë të kupolës së qeverisë, ushtrisë dhe të ministrive të linjës.

Avokatia qeveritare ndaj Fazlliçit, sulmi total ndaj organit të Akuzës, vetëm pse kërkoi të hetonte pasuri të dyshimta, ngjan e çuditshme për shumë shqiptarë, por kjo është e njëjtë në thelb me atë që kanë parë këto vitet e fundit: mbrojtja më e mirë është kundërsulmi dhe kështu mbrohen punët e pista. Por me një kosto të madhe politike dhe cënim imazhi për Shqipërinë, kur sërish kambanave të alarmit, duhet t’u bien ambasadorët e huaj, për të kuptuar nëse dëgjojnë nga ai vesh qeveritarët shqiptarë, ndërsa këta të fundit përbetohen se e bëjnë për të luftuar korrupsionin dhe për të përfunduar kursin e reformave.

A është kjo vetëm një patologji e radhës e kryeministrit jashtë kontrolli? Një ish-këshilltar i tij i verës 1997, thotë se jo. Kujton kryeministrin aktual, atëherë president në përfundim të mandatit 5-mujor të marrë me shumicë kartonësh në mars, kur digjej vendi: Meraku i vetëm i presidentit ishte të ndikonte sa më shumë në zgjedhjen e kryeministrit të ri, që do të përzgjidhej nga partia fituese.

Këshilltari i thoshte që të mendonte më mirë për partinë e dalë në opozitë dhe t’ua linte këtë punë në dorë të majtëve. “Jo ore, nuk iki pa e mbyllur dhe këtë”, - kishte këmbëngulur presidenti në largim. Dhe, prej asaj kohe, nuk ka lënë gjë pa ngatërruar dhe pa dalë jashtë kontrollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›