E Hënë, 2 Nëntor 2026

Debitorëve do t’u ndërpritet energjia, OSHEE në Kukës në terren edhe për lidhjet e paligjshme

Grupet e punës të OSHEE Kukës janë në terren për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike të abonentëve debitore. Drejtori Rajonal i OSHEE Kukës, Elson Brati, tha se krahas debitoreve po verifikohen edhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet.

“Kemi marrë një plan të gjerë masash për ndërprerjen e abonentëve debitorë dhe kemi marrë masa për kontrollin ndaj abuzuesve të energjisë elektrike”, tha Brati.

Drejtori i OSHEE Kukës thotë se është menduar edhe për të pamundurit, të cilët nuk janë lënë dhe nuk do të lihen në errësirë. Procedura për aktmarrëveshjet janë ndryshuar dhe sipas drejtorit të OSHEE, ofrohen më shumë lehtësira që kanë të bëjnë me masën e pagesës me keste, por edhe pagesë të menjëhershme të detyrimeve.

“Jemi munduar që të kemi të gjitha zgjidhjet e mundshme që t’i ofrojmë zgjidhe atij abonenti. Aktmarrëveshja përmban shumë lehtësira për pensionistët, ata me ndihmë ekonomike dhe familjarë. Gjithashtu kemi marrëveshje për falje të kamatave nëse pagesa bëhet njëherësh etj.”, tha ai.

Brati thotë se është rritur edhe shkalla e ndërgjegjësimit për të paguar detyrimet ndaj OSHEE, duke mundësuar edhe rritjen e nivelit të arkëtimeve. Puna për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për debitoret vijon gjatë gjithë periudhës dhe është shtrirë në të gjitha zonat që mbulon drejtoria rajonale e OSHEE Kukës, Has dhe Tropojë.

Gazetar: B. Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›