Dëbohen paralelcat

Kryetari legjitim i Komunës së Shtërpcës, Branisllav Nikoliq, mëngjesin e së premtes është futur në zyrën, të cilën për dy vite e ka mbajtur në mënyrë të paligjshme radikali Zvonimir Mihailoviq.
Nikoliq ka folur për media nga zyra e tij dhe ka thënë se vendimi për dëbimin e strukturave paralele nga objekti i Komunës së Shtërpcës ishte marrë nga kabineti i strukturave legjitime të dala nga zgjedhjet e 15 nëntorit 2009.
Legjitimët kanë marrë 5 zyra nga 9 sa i kanë mbajtur të uzurpuara ilegalët. Ata janë shprehur të bindur se do t’i marrin edhe 4 zyrat e tjera që janë më pak të rëndësishme. Nikoliq ka thënë se këto struktura paralele nuk do të mund të kthehen më në objektin e Komunës së Shtërpcës. “Ato struktura mund të gjejnë ndonjë lokacion tjetër, por në objektin e Komunës nuk mund të kthehen më”, ka thënë kryetari legjitim, Branisllav Nikoliq, i ardhur nga radhët e SLS-së.
Nikoliq ka pranuar se nga strukturat paralele serbe është akuzuar si njeri i shitur te shqiptarët dhe mbase si bashkëpunëtor i Hashim Thaçit. Ai e ka arsyetuar legjitimitetin e tij edhe me faktin se në zgjedhjet e fundit në Kosovë për të kanë dalë dhe kanë votuar rreth 4 mijë serbë, që bëjnë më shumë se gjysmën e votuesve të komunitetit serb nga kjo komunë.
Megjithatë, strukturat paralele nuk e kanë pranuar lehtë këtë vendim të kryetarit legjitim. Kryetari i Kuvendit të Shtërpcës nga strukturat paralele, radikali Bojan Saviq, ka akuzuar Nikoliqin për dhunë mbi institucionet e Serbisë. Këto zhvillime i ka përcjellë Policia e Kosovës, pjesëtarët e së cilës kanë qëndruar edhe të premten pranë objektit të Komunës së Shtërpcës, ku ende valon flamuri i Serbisë dhe është e vendosur stema e shtetit të Serbisë.
Burime nga policia kanë thënë se ka pasur një konflikt verbal mes strukturave legjitime dhe atyre ilegale, por që në asnjë rast nuk është provuar të përdoret forca.