E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e Pejës zgjedh kryesuesin dhe drejtorët

Kuvendi Komunal i Pejës zgjodhi sot, me shumicë votash, Haxhi Lajqin për kryesues. Gjithashtu janë emëruar drejtorët e nëntë drejtorive, si dhe u formuan dy komitet të reja.

Lajqi, i cili vjen nga radhët e AAK-së mori 35 vota pro, ndërsa 5 vota rezultuan të pavlefshme.

Në mbledhjen e parë të rregullt të KK të Pejës, të dalë nga zgjedhjet e 15 nëntorit, u zgjodh edhe zëvendëskryesuesi nga radhët e komuniteteve - Fahrudin Mexhudoviq, si dhe u themeluan Komiteti për Politikë dhe Financa, i përbërë prej 9 anëtarësh dhe Komiteti për Komunitete, i përbërë nga shtatë anëtarë, raporton KosovaPress.

Kurse kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, ka emëruar nëntë drejtorët e drejtorive komunale.

Në krye të Drejtorisë së Administratës dhe Personelit është emëruar Reshat Nurboja; Drejtoria e Financave, e Ekonomisë dhe e Zhvillimit do të udhëhiqet nga Afërdita Grapci; Drejtoria e Urbanizmit, e Kadastrës dhe e Mbrojtjes së Ambientit - Zana Radoniqi, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim - Avdyl Lajqi; Drejtoria për Punë Komunale dhe Shërbime Publike - Xhevdet Avdiu, Drejtoria e Arsimit, e Kulturës dhe e Sportit - Ilir Kelmendi; Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale - Xhafer Dema; Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi - Tahir Cuka dhe Drejtoria për Punë Inspektuese do të udhëhiqet nga Ahmet Mahmutaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›