E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora mbi 20 cm, kalim me zinxhirë

13/01/2010  Në Dardhë, Voskopojë dhe Vithkuq
Dita e martë ka shënuar dhe përballjen e parë serioze të drejtorive të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rurale, si dhe të firmave kontraktuese që kanë marrë përsipër pastrimin e rrugëve. Duket se së fundi, dimri ka trokitur seriozisht në portat e këtij rajoni, pasi sipas të dhënave më të fundit të shërbimit sinoptik, moti i keq me reshje shiu dhe dëborë do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa temperaturat do të jenë edhe më të ulëta. Ndërkaq lumi i Devollit mëngjesin e së martës, ka sjellë prurje shumë më të mëdha krahasuar me prurjet e deritanishme, (me përjashtim të prurjeve që solli gati një muaj më parë, të cilat kishin qenë të paparashikueshme). Duket se situata e një muaji më parë do të përsëritet sërish. Dëbora e filluar gjatë mesnatës gjeti të mbuluar gjithë rajonin e Korçës. Lartësitë mbi 900 metra u mbuluan nga një borë, trashësia e së cilës shkoi në mbi 20 cm. Temperaturat minimale zbritën në zero gradë celsius, ndërsa erërat po bëhen më të fuqishme në shpejtësinë e lëvizjes së tyre. Burime pranë Drejtorisë së Rrugëve Nacionale, pohuan se nga bora u mbuluan akset rrugore, Korçë – Qafë-Thanë, Korçë – Qafa e Qarit, Korçë – Kapshticë dhe Korçë – Liqenas. Megjithatë, dëbora prej 20 cm lartësi u evidentua në tre fshatra turistik të këtij qarku: në rrugën e Dardhës, në rrugën e Voskopojës dhe në rrugën e Vithkuqit.
V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›