Dëborë në qarkun e Korçës, Jole: Qarkullim normal, çdo aks po mbahet në monitorim

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Në qarkun e Korçës pas mesnate reshjet kanë qenë në formën e dëborës, ndërsa situata është normale.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole bën të ditur se “grupet e punës të kontraktorëve me mjetet borëpastruese ishin në terren gjatë natës dhe vijojnë të punojnë për pastrimin e dëborës dhe kriposjen në akset rrugore Qafë-Thanë-Lin, Korçë-Ersekë (aksi i vjetër), Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Maliq-Lozhan-Moglicë”.
“Qarkullimi vijon normalisht dhe çdo aks po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti Rrugor Qendër Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor”, tha Jole.
Jole i bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisen me goma dimërore kur udhëtojnë për në zonat me prezencë dëbore.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të ndikimit të një qendre me presion të ulët me origjinë veriore, shoqëruar me masa ajrore të lagështa dhe të ftohta.
Në relievet malore në lindje në lartësitë mbi 600-700 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët dhe mesatar. Në zonën e veriperëndimit reshjet e dëborës zbresin deri në lartësitë kodrinore.
/k.s/j.p/