E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmi në Zubin Potok, Basha: Përpjekje për tensione dhe destabilizim në rajon

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi sot pas shpërthimit në Zubin Potok, duke e cilësuar atë një akt terrorist dhe duke kërkuar që të hetohet dhe zbardhet sa më shpejt ngjarja.

“Dënoj me forcë aktin e terrorit në Zubin Potok dhe mbështes e inkurajoj institucionet e Kosovës që të hetojnë dhe zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë kriminale”, shkruan Basha.

Basha thekson se sulmet ndaj infrastrukturës jetike që penalizojnë qytetarët janë vepra të frymëzuara nga ata që duan tensione dhe destabilizim, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të destabilizuar rajonin.

“Ky sulm, që pason dy të tjerët në stacionin policor të Zveçanit dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit, tregon se pas tyre qëndron një skenar i përgatitur për destabilizim”, shkruan Basha.

Basha gjithashtu kritikon dështimin e autoriteteve për të sjellë para përgjegjësisë ata që qëndruan pas sulmit terrorist të armatosur në Banjskë, duke theksuar se pasojat janë shumë të rënda.

“Mosvënia para përgjegjësisë së autorëve dhe ideatorëve të sulmit të armatosur terrorist në Banjskë është një dështim, pasojat e të cilit i vuan jo vetëm Kosova, por e gjithë arkitektura e sigurisë euroatlantike”, shkruan Basha.

“Prandaj, sot nevojitet një vëmendje e shtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për sulme të mundshme me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”, e përmbyll Basha reagimin. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›