E Diel, 1 Nëntor 2026

Decentralizimi, Berisha: Njësitë vendore të administrojnë vetë taksat si dhe të mbrojnë pasuritë natyrore

18-01-2012 / Gazeta 55

Shefi i qeverisë, Sali Berisha kërkoi sot nga kryetarët e komunave zbatim të drejtë të ligjit, mbledhje të taksave, marrjen e përgjegjësive në garantimin e shërbimit më të mirë për komunitetin si dhe administrimin konform ligjit të pasurive natyrore, vecanërisht pyjeve, në kuadër të privatizimit të pyjeve në të gjithë Shqipërinë. Gjatë fjalimit të mbajtur në Asamblenë Kombëtare të Komunave, kreu i qeverisë i ka kritikuar ata se nuk kanë regjistruar në kadastër pyjet, të cilat janë tranferuar nga qeveria drejt njësive vendore, si dhe nuk kanë vjelur taksat sic parashikon ligji. “Edhe pse ju kemi transferuar të gjitha pyjet ka një problem. Pyjet që kemi tranferuar nuk i rregjistroni në hipotekë. Kërkuat të heqim tarifat dhe ne ia hoqëm, ju nuk mund ta nënvlerësoni pasi kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Projektin me arrorët po e spotojmë drejt jush dhe ju duhet të zotëroni me dokumentacionin më të saktë të gjithë territorin e komunës. Unë ju ftoj të bëheni pjesë e privatizimeve të pyjeve”- u shpreh Berisha. Kryeministri ka theksuar se është miratuar ligji që ju jep komunave ato kompetenca që më parë i ka pasur parlamenti, në mënyrë që politikat zhvillimore të jenë të drejtpërdrejta nga komuna. “Ju më shumë se kushdo tjetër mund të ndërmerrni politika zhvillimore në komunat tuaja, ju më mirë se kushdo tjetër duhet të ruani dhe mbroni territorin dhe mjedisin. Qeveria nuk dëshiron të proporcionojë gjërat me performancën fiskale, por kjo është kohë e vështirë dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se performanca fiskale për shtetin ligjor, lirinë e tregut. Nuk ka asnjë rrugë tjetër përvec decentralizimit të mëtejshëm fiskal. Nëse ju doni të ushtroni pushtetin që meritoni në komunën tuaj, ju duhet të keni vëmendje absolute në performancën fiskale, realizimin e të ardhurave dhe kontrollin e shpenzimeve”- tha Berisha. Një tjetër shqetësim, kryeministri Berisha ngriti ndotjen e mjedisit. Ai theksoi se edhe pse janë bërë përpjekje për ta mbajtur pastër mjedisin ende kërkohet shumë punë nga drejtuesit e komunave. “Është në detryrën tuaj të bëni gjithçka për një mjedis të pastër në territorin tuaj. Të jeni të sigurtë që do t’ju mbështesim. Ne mund të bëjmë çdo gjë por nuk mund të garantojmë mbrojtjen e mjedisit të komunave tuaja nga plehrat, pasi kjo është puna juaj. Duhet të bëhet gjithçka për mjedisin pasi kjo na ndëmton në mënyrë të jashtëzakoshme”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›