E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi i nënkryetarit të KLD, Kreshnik Spahiu komisioni parlamentar i ligjeve nis procedurat

18-01-2012 / Gazeta 55

Ilir Rusmali: Kreshnik Spahiu, harbut dhe i papërgjegjshëm – komisioni hetimor do vërtetojë shkeljet e tij

Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar sot kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të hetuar nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu me qëllim shkarkimin e tij nga ky post. Kërkesa u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja. Nënkryetari i KLD-së u paraqit në komision, ku fillimisht u dëgjua relacioni i deputetit të PD-së, Viktor Gumi, i cili parashtroi kërkesën e mazhorancës që kërkonte shkarkimin e Spahiut. Kërkesa e demokratëve argumenton se “Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur”. Por, që në nisje të mbledhjes seanca u shoqërua me debate e tensione, pasi nënkryetari i KLD, Spahiu akuzoi Kuvendin se po shkel Kushtetutën, pasi për shkarkimin e tij nuk vendos legjislativi. “E gjithë kjo procedurë për shkarkimin tim është “antikushtetuese pasi nuk vendos Kuvendi për largimin e tim nga detyra. Ju nuk më shkarkoni dot”- u shpreh Spahiu. Nga ana e tij, kryetari i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali i kujtoi z.Spahiu se shpërthimin e tij kundër Kuvendit do ketë mundësi ta faktojë kur të ngrihet kommisioni hetimor. “Mos tento ta kthesh këtë seancë në konferencë shtypi, duke dalë kështu tërësisht nga rendi i ditës. Po sillesh me harbutëri. Kur të ngrihet komisioni hetomor do kesh mundësi pa fund për të folur. Këtu në këtë komison vendos unë”- tha Rusmali, ndërsa në këtë moment urdhëron largimin e Kreshnik Spahiut nga mbledhja e komisionit të ligjeve. Opozita, e pranishme në seancë e quajti farsë procesin kundër nënkryetarit të KLD. Sipas Fatmir Xhafajt, opozita nuk pranon të bëhet pjesë e kësaj farse. “Duhet te bëni komision hetimor për gjendjen e drejtësisë. Dje për ju, Spahiu ishte luftëtar i drejtësisë, sot i thoni horr e sharlatan”, tha Xhafaj. Në këtë moment largohen nga mbledhja edhe deputetët e opozitës.
Shkarkimi i Kreshnik Spahiut u deklarua dy ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi Kuvendit me anë të një kërkese, ngritjen e një komisioni hetimor, për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në ushtrimin e detyrës së tij. Sipas PD, Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin të drejtësisë e Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›