Deda: “Kryeministri Berisha të reagojë ndaj korrupsionit të qeverisë së tij”
Deputeti i Partisë Socialiste, Eltar Deda, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të reagojë ndaj aferave korruptive të qeverisë së tij. Pas 3 javësh PS-ja i është rikthyer rastit “Prifti”, i cili së bashku me denoncimin e fundit të rastit “Vokshi”, kanë rënë në vesh të shurdhër të qeverisë. Sipas gjasave të socialistëve, heshtja e kryeministrit Sali Berisha duhet të ketë lidhje me përfshirjen e tij në aferat korruptive të pasurimit të familjes Berisha dhe ministrave e deputetëve të tij.
Rasti “Prifti”
Partia Socialiste ka ripërsëritur akuzat në drejtim të ministrit Prifti. Pas daljeve të shpeshta të socialistëve përgjatë 3 javëve në deklarata për shtyp për dy denoncimet e fundit, Kryeministria hesht. Ndërsa vetë Prifti nuk i ka pranuar akuzat për korrupsion të PS-së dhe është shprehur se ato vijnë për shkak të trishtimit të humbjes së kreut të PS-së, Edi Rama. “Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, vetëm në tre muajt e parë të tij në qeverinë ‘Berisha’ e rriti pasurinë me më shumë se një milion e gjysmë euro. Ministri i Ekonomisë u pasurua duke shitur një kompani të sektorit ku ai drejton mbikëqyrjen, pa investuar as edhe një qindarkë të tij. Njeriu, i cili pagoi ministrin e Ekonomisë, jo rastësisht është kushëriri i një tjetër ministri, atij të Shëndetësisë. Ai pagoi 1 milion e gjysmë euro për një kompani që nuk kishte prodhuar as edhe një ditë, për një kompani që kishte veç 1 milion lekë të vjetër kapital. Dritan Prifti u pagua 1000-fish për konfliktin e tij të interesit me kompaninë që kishte, e sigurisht për zotimin se ish-partnerëve të tij do t'u jepeshin shumëfisha të shumës së paguar nga fondet publike”, - u shpreh Deda.
Rasti “Vokshi”
Deputeti Deda është ndalur edhe te denoncimi i fundit, rasti “Vokshi”. Sipas tij,
Albana Vokshi, ish-këshilltare për ekonominë e Sali Berishës, tani deputete e Partisë Demokratike, ka përfituar në emrin e burrit të saj dhjetëra miliona euro koncesione. “Sali Berisha i ka dhënë mëse 4 miliardë dollarë naftë e gaz natyror burrit të Vokshit me vendim të drejtpërdrejtë të tij. Katër miliardët e burimeve natyrore shqiptare i janë falur këshilltares së zellshme për 25 vjet”, - tha Deda. Në këto kushte, deputeti socialist e akuzoi kryeministrin, i cili, sipas tij, ka anashkaluar gjithë procedurat zyrtare për t’i dhënë këshilltares së tij edhe dy hidrocentrale pa tender. “Të dyja këto janë raste të pastra të konfliktit të interesit me postin publik. Të dyja janë raste të pastra korrupsioni, kur pushtetarë përfitojnë miliona si pasojë e shpërdorimit të detyrës. Të dyja janë raste që në vazhdën e luftës kundër korrupsionit, kërkesë themelore e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave e zotim publik të Sali Berishës për tri fushata elektorale, duheshin hetuar e vënë përpara Drejtësisë. Ne nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga kryeministri, megjithëse këto afera kanë ndodhur pak hapa larg zyrës së tij, e me vetë firmën e tij”, - u shpreh Deda.
Partia Socialiste, dy ditë më parë i zgjeroi akuzat për korrupsion ndaj deputetes demokrate Vokshi. Selia rozë deklaroi se në vorbullën e korrupsionit është përfshirë edhe motra e deputetes, Mimoza Vokshi, e cila mban postin e drejtoreshës në Ministrinë e Ekonomisë. Sipas PS-së, motra e deputetes i jepte koncesionet pa tender kompanisë së kunatit, bashkëshortit së Albana Vokshit. Në këto kushte, PS-ja i kërkoi kryeministrit Sali Berisha të zbardhë firmën e tij mbi katër koncesionet me propozim të ish-këshilltares së tij ekonomike, Albana Vokshi. Ndërsa deputetja Vokshi, në një reagim të sajin, i ka cilësuar shpifje akuzat e selisë rozë. Ajo bëri me dije se do t’i drejtohet gjykatës për të çuar në vend dinjitetin e saj. Më tej Vokshi u shpreh se është e gatshme t’i nënshtrohet çdo hetimi parlamentar dhe joparlamentar.
Heshtja
Përballë heshtjes së kryeministrit Berisha ndaj aferave të korrupsionit, PS-së i mbetet të aludojë mbi këtë qëndrim. “Dy janë arsyet e mundshme të kësaj heshtjeje që pranon fajin; përfshirjen e Sali Berishës në aferat e njerëzve të tij, ose kryeministri është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasurimin korruptiv të pushtetarëve e fëmijëve të tij në kurriz të qytetarëve, ose ai vetë është aq i kapur nga korrupsioni në familje, sa nuk guxon të hapë kutinë e Pandorës të korrupsionit në qeverinë që ka zgjedhur vetë e sot drejton. Paratë e Argitës, 1 milionë e gjysmë eurot e Priftit e 4 miliardë dollarët e Vokshit flasin për kapje të shtetit. Në të dyja rastet, heshtja e tij është një goditje kundër shtetit ligjor e interesave të shqiptarëve. Në të dyja rastet, faji i tij përpara të gjithë opinionit publik është i qartë, Sali Berisha, sot më tepër se kurrë është pjesë e korrupsionit që ka kapur shtetin”, - u shpreh deputeti Deda.
Akuzat
Biberaj: “Berisha ka uzurpuar PD-në, drejton dhe qeveris me metoda diktatoriale”
Anëtari i Kryesisë së PDSH-së dhe ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, duke analizuar situatën brenda PD-së, theksoi se që nga prilli i vitit 2009, veç institucionit të kryetarit të Partisë, në të nuk ekziston asnjë institucion tjetër legjitim dhe funksional. “Kryesia e Partisë, nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e saj janë pa mandate. Edhe anëtarët e emëruar të Këshillit Kombëtar, të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të të ashtuquajturit Kuvend Kombëtar i dhjetorit 2009, janë pa mandate, pasi këto mandate të manipuluara nuk janë konstituuar akoma, edhe pse kanë kaluar tetë muaj që nga mbajtja e Kuvendit”, - tha Biberaj në një prononcim për mediat. Suprimimi i të gjitha institucioneve dhe forumeve të Partisë nga kryetari i saj, sipas ish-deputetit demokrat, përbën puç institucional dhe uzurpim të partisë, shkelje flagrante dhe dhunim ekstrem të statutit të partisë, duke sjellë edhe fundin e demokracisë së brendshme në parti. “Edhe në vitin e vështirë 1997, kohë kur PD-ja dhe demokratët u përballën me goditje tepër të ashpra, kohë kur u vu në pikëpyetje vetë ekzistenca e PD-së dhe demokracisë, institucionet dhe forumet e PD-së jo vetëm që nuk u suprimuan për asnjë moment, por përkundrazi, funksionuan (qoftë edhe me përbërje jo të plotë), me qëllim mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave të saj, si dhe interesave kombëtare. Menjëherë pas zgjedhjeve të 29 qershorit ‘97, forumet e Partisë nisën punën intensive dhe përgatitën partinë për Kuvendin e Jashtëzakonshëm të tetorit ‘97, që zgjodhi edhe forumet legjitime të Partisë”, - bëri të ditur Biberaj, ndërsa e cilësoi situatën aktuale në PD mjaft të rëndë. “Kjo është situata më e rëndë që ka përjetuar PD-ja dhe demokracia brenda saj që nga themelimi deri më sot, situatë e krijuar nga kryetari i Partisë, me qëllim kthimin e saj në parti-pronë, në parti-vegël në duart e tij, për kënaqjen e etjes së pakufishme për pushtet personal, si dhe për pasurim marramendës të tij dhe të një shpurë oborrtaresh, servilësh, të paaftësh, klientësh dhe të korruptuar rrotull tij. Fatkeqësisht, sot në PD gjithçka varet vetëm prej diktatit të kryetarit dhe sipas filozofisë që ai po aplikon, veç tij nuk ekziston askush tjetër, pasi të tjerët përfaqësojnë thjesht numra pa vlerë, ushtarë të bindur rreshti, klonime apo kopje të deformuara të tij. Kjo situatë e krijuar brenda PD-së përbën një zhvillim tepër regresiv jo vetëm për PD-në, por edhe për demokracinë e brishtë shqiptare, pasi fryma e diktatit dhe mungesa e demokracisë në parti shfaqen në forma tepër arrogante edhe në qeverisjen e vendit. Kjo situatë kërkon nga demokratët e vërtetë, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e PD-së, nga të djathtët e vërtetë të ringrihen edhe një herë, ashtu si njëzet vjet më parë për parimet dhe vlerat e demokracisë, me qëllim reformimin tërësor dhe të thellë të një partie tashme të atrofizuar dhe inekzistente”, - u shpreh Biberaj. Ai theksoi se “reformimi i thellë i PD-së bëhet edhe më i domosdoshëm përballë një opozite jofunksionale dhe pa alternative politike. Shqipëria më shumë se kurrë ka nevoje për politika dhe politikanë, bartës të vlerave më të mira demokratike dhe qytetare të demokracive perëndimore, mbrojtës të interesave të qytetarëve shqiptare dhe mbi të gjitha të atyre kombëtare”, - tha Biberaj.
13 Gusht 2010