E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dede: Luftëtari i realizoi të dy objektivat

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Trajneri kryeqytetas thekson se në superligë duhen donatorë të fuqishëm, investim serioz, grup pune i përkushtuar dhe futbollistë cilësorë e besnikë

Nevil Dede, një fitues i lindur, pas trofeve të fituar në fushë si futbollist, ka fituar të parin trofe si trajner dhe këtë e ka bërë pikërisht në krye të Luftëtarit, që është shpallur kampion i kategorisë së parë. Eshtë një trofe që u shtohet 9 titujve kampion në superligë, 6 Kupave të Shqipërisë dhe 3 Superkupave, që i ka fituar ish-mbrojtësi i Tiranës, Partizanit, Elbasanit, skuadrës kineze Shenjang Ginde, por edhe kombëtares kuqezi. Si trajner ai ka drejtuar Tiranën, Laçin dhe Luftëtarin gjatë fazës së dytë të kampionatit që sapo u mbyll.

Dede ka qenë një ndër figurat emblematike të futbollit tonë si futbollist dhe tani sapo dha edhe provën e parë si trajner i suksesshëm. Ai i shtoi koleksionit të tij të pasur edhe titullin kampion të kategorisë së parë me Luftëtarin, ekip që e drejtoi në 16 ndeshje (15 të fazës së dytë dhe të prapambeturën me Kukësin, që u kthye në epos kreshnikësh). Ja çfarë thotë trajneri i Luftëtarit, pas ngjitjes së këtij ekipi në superligë si kampion i së parës:

Luftëtari sapo është shpallur kampion i kategorisë së parë. Cilët janë faktorët kryesorë të triumfit, sipas jush?

Më e rëndësishmja është se u arritën të dy objektivat. Eshtë sukses i madh. Faktorët janë shumë dhe secili ka vlerën e tij. Merita kryesore është e atyre që kanë investuar, duke filluar që nga kryebashkiaku Flamur Bime, donatori Qazim Muho dhe shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emrat. Faktor tjetër është puna e trajnerëve që ishin para meje, Hysit dhe Cikos.

Normalisht, grupi i futbollistëve meriton falënderime, sepse pa përkushtimin dhe djersën e tyre nuk do të ishim këtu ku jemi. Meritë kanë edhe prapavijat, që kanë treguar gatishmëri në kërkesat tona, si dhe disa miq tanët të afërt.

Cila nga ndeshjet që ju e drejtuat ekipin, nga 16  të tilla, ka qenë më e bukur dhe cila më problematike?

Mendoj që shumë ndeshje, për të mos thënë të gjitha, ishin si të bukura, ashtu edhe problematike.

A do të qëndroni te Luftëtari sezonin tjetër?

Dëshira ime është që të qëndroj te Luftëtari, sepse kam kaluar  dhe kam punuar rehatshëm në Gjirokastër, por, si kudo dhe siç funksionon puna jonë, do të ulem të flas shtruar me drejtuesit e ekipit. Të shohim projektin dhe ambicjet, nëse jemi në të njëjtën linjë të dyja palët, që të kemi sërish bashkëpunim të suksesshëm.

Ju keni një përvojë të gjatë superlige dhe tashmë Luftëtarin e njihni thellë. Çfarë do të rekomandonit për të?

Superliga është e vështirë dhe kërkon mbi të gjitha investim shumë serioz, kërkon një grup pune po aq të përkushtuar dhe një grup futbollistësh besnikë, të cilët e dashurojnë profesionin që kanë zgjedhur. Eshtë e ligjshme që ky ekip do të ketë nevojë edhe për cilësi, që të jetë forcë reale në superligën tonë.

Me çfarë përshtypjesh largoheni, qoftë edhe përkohësisht?

E përmënda pak më lart se është një ambient dhe një qytet me shumë kulturë, më shumë qetësi. Janë faktorë, që ndikuan në suksesin dhe rendimentin tonë maksimal në punë. Por, është edhe një qytet i ftohtë dhe i vështirë, ku gjen vend shprehja: kur vjen të  presin nga kostumi dhe kur ikën të përcjellin nga mendja.

Në lidhje me ekipet e moshave, çfarë do të thoshit. A ka elementë?

Mendoj se në radhë të parë duhet të investohet në infrastrukturë për ekipet e moshave. Nëse kjo do të bëhet, do të ketë prurje dhe prodhim nga ekipet e moshave. Nuk mundem të jap një mendim për punën e bërë deri tani, sepse jam një individ dhe nuk mund të gjykoj për një punë shumëvjeçare, pasi vetëm një fazë kam qenë te Luftëtari. Them se ka elementë, të cilët së afërmi mund të jenë pjesë përbërëse e ekipit të të rriturve, por gjthçka varet nga përkushtimi dhe ndjenjat e tyre për futbollin.

A keni ndonjë mesazh?

Uroj që në superligë qyteti i Gjirokastrës dhe tifozët e Luftëtarit ta ndjekin dhe ta përkrahin më shumë ekipin e tyre. Duhet ta gëzojnë sa më shumë në superiore.

12 fitore

2 barazime dhe 2 humbje ka regjistruar Luftëtari nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, me golaverazhin e përgjithshëm 34-14

20 futbollistë

ka aktivizuar trajneri kryeqytetas gjatë kohës që e ka drejtuar ekipin gjirokastrit

2 javë

para përfundimit të kampionatit ai e ngjiti ekipin në superligë, kurse 1 një javë para e shpalli kampion të kategorisë së parë

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›