Portieri bëhet sulmues

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në futbollin kosovar. Portieri i tretë i Rahovecit, Arben Danuza, në dy ndeshjet e fundit është shndërruar në sulmues.
Kjo ka ndodhur pasi që skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit ka mbetur pa lojtarë, për arsye të ndryshme, mbi të gjitha për mungesë të pagave, kështu që Danuza luajti në fazën ofanzive ndaj Deçanit, ku ekipi i tij humbi 6:0 dhe ndaj 2 Korrikut, e cila u ndërpre, por që ai arriti ta nxjerrë një penallti për Rahovecin.
25-vjeçari ndihet mirë në të dyja pozitat, por thotë se për të mirën e ekipit, është i gatshëm të sakrifikohet.
“Për mua, më me rëndësi është fitorja e Rahovecit. Ndihem mirë edhe si portier, edhe si lojtar. Këtë sezon i kam zhvilluar 2-3 ndeshje si sulmues, ndërsa në të tjerat kam mbrojtur. Të shtunën u ndërpre loja me 2 Korrikun derisa rezultati ishte 1:1. Unë e nxora penalltinë, e cila më pas u shndërrua në gol”, u shpreh futbollisti rahovecas.
- “Në dy ndeshjet e fundit, gjaku po më vlon më shumë që të luaj. Më duhet të bëj më shumë stërvitje dhe besoj se mund të kontribuoj edhe më shumë për ekipin tim, duke e pasur parasysh se nuk kemi lojtarë të mjaftueshëm”, shtoi ai.
Danuza është pjesë e Rahovecit qe 12 vjet. Shumicën e kohës ai ka mbrojtur, por pati raste edhe kur luajti. Përpos këtij sezoni, ai tregon se edhe edicionin e kaluar ka pasur raste kur është paraqitur si futbollist.
Trajneri Fadil Vuçitërna ka mbetur i kënaqur me paraqitjet që shfaqi Danuza. Madje, ky fundit mendon se në ndeshjet e mbetura të sezonit, prapë do t’i jepet rasti të luajë në fazën ofanzive.
“Më duhet të punoj më shumë në stërvitje dhe besoj se në katër duelet e fundit do të paraqitem në fushë si sulmues. Trajneri ka mbetur i kënaqur me atë që e dhashë në fushë unë”, përfundoi ai.
Natyrisht, Danuza nuk e harron dhe nuk e lë anash assesi rolin me të cilin u rrit në fushë, atë të portierit, të cilit planifikon t’i kthehet, pasi të stabilizohen gjërat te klubi i futbollit Rahoveci. Ky ekip nuk arriti të mbijetojë në Ligën e Parë të Kosovës, kështu që sezonin e ardhshëm do të garojë në një kategori më të ulët garash.