E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani me shtëpi të re, me 500 mijë $ nis ankandi i shitjes

Ministria e Mbrojtjes e ka bërë gati transformimin e të kuqve, të cilët do të kenë strehë dhe logo të re. Pritet përshpejtimi i procedurave për daljen në ankand

Partizani ka hedhur një hap të rëndësishëm për ringritjen e tij në elitën e futbollit shqiptar. Fillimi i sezonit 2011-2012 e gjeti ekipin pa shtëpi e katandi, por me kalimin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, të kuqve të kryeqytetit u erdhi gjaku dhe tani janë gati për tu kthyer në piedestalin e tyre. Prej kohësh dikasteri i mbrojtjes i ka plotësuar procedurat për regjistrimin e shoqërisë së re aksionare.

Shoqëria e re aksionare e të kuqve është përgatitur me një logo të re të ekipit, por nga burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes bëjnë me dije se Partizanit po i bëhet gati edhe streha e re. Mësohet se Partizani i ri do ta ketë shtëpinë e re në Kashar, ku ministria ka përpiluar vendin, ku do të ndërtohet kompleksi i ri i demave të kuq. Sigurisht, që ky terren bën pjesë në pronat e shumta që ka Ministria e Mbrojtjes, e cila ia kalon Partizanit si një vlerë të tij.

Nga përllogaritjet e bëra, mësohet se ankandi që do të hapë Ministria e Ekonomisë për shitjen e Partizanit nuk do të jetë poshtë shifrës 500 mijë dollarë. Nga vlerësimet që janë bërë, thuhet se vetëm vlera e stemës së Partizanit kushton minimalisht 130 milionë lekë (të vjetra).

Ndërsa pjesa tjetër e çmimit dysheme të vënë për ankandin ka të bëjë me truallin dhe ndërtesat ku do të akomodohet Partizani.Ndonëse gjërat nuk janë bërë publike, thuhet se gjithçka është gati që Partizani të dalë në shitje dhe të interesuarit të nisin investimet për ringritjen e legjendës së kuqe.

Në përfundim të ndeshjes me Këlcyrën, ku Partizani doli fitues i Grupit B, sekretari i FSHF-së, Eduart Prodani, u bëri apel institucioneve shtetërore që po merren me Partizanin, që ti përshpejtojnë proceduat, pasi të kuqtë janë prapa me plotësimin e kritereve të licensimit për sezonin e ri.Shpresohet që burokracia shtetërore të marrë fund dhe Partizani të mësojë se kush do të jetë pronari i ri, nga i cili pritet rikthimi i legjendës së kuqe në vendin që i takon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›