E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defetishizimi i zgjedhjeve

 
Qytetari nuk ndjehet i përfaqësuar me pakënaqësinë e atyre që u janë vjedhur votat. Ai konsideron që votat u janë vjedhur politikanëve (që i morën ato), e jo qytetarëve (që i dhanë ato)
 
 
Janë ca gjëra në politikë, që bëhen me ngadalë dhe me punë sistematike, me përkushtim dhe durim. Por janë edhe ca punë të tjera që s’bëhen pa prerje, pa vendim të qartë e të pastër politik. P.sh., TMK-ja punonte shumë, plotësonte standarde, kritere e norma pambarimisht, por në fund u shua, meqë s’pati një vendim politik paraprak që do ta shpallte ushtri të Kosovës për ta bërë të tillë. Krijimi i ushtrisë pra, është një aso shembulli, që tregon se ka gjëra që s’bëhen me punë, sado e palodhshme të jetë ajo, por para së gjithash, me vendim të prerë politik. Puna që nuk është vetëm politike, vjen pas vendimit, që gjithsesi është politik. Jo vetëm në aspektin e mbrojtjes e të sigurisë, por edhe në aspektin ekonomik e social, drejtimet themelore të një shteti janë po ashtu vendime politike.
Njësoj si para pavarësisë, në Kosovë ka shumë kërkesa për mirëqenie minimale sociale (punësim dosido, zbutje të skamjes etj., që i kërkojnë të varfrit) dhe nuk ka aq kërkesa për rritje ekonomike (të cilat do të duhej t’i shtronin të pasurit, sepse në Kosovë s’ka prodhim). Qëndrueshmëria e demokracisë gjithmonë është proporcionale me të ardhurat e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre e që, më tutje, varen nga garancia dhe aftësia për ta mbrojtur territorin dhe pasuritë natyrore. Pra, demokracinë e bëjnë të mundshme socio-ekonomia dhe mbrojtja, zhvillimi shoqëror e ekonomik dhe sovraniteti. Ndërkaq, kusht për demokracinë është llogaridhënia e institucioneve të zgjedhura dhe mospasja e instancave supreme arbitrare mbi to.
 
Në situatën kur në Kosovë nuk ekzistojnë as mundësitë dhe as kushtet për një demokraci të vërtetë, pikërisht në këtë situatë pra, është fetishizuar demokracia formale e zgjedhjeve periodike, e votimeve për kuvende të komunave e të Kosovës. është sajuar përshtypja se vetëm duke organizuar zgjedhje të rregullta ne bëhemi e konfirmohemi si demokraci. Mirëpo, gjendja politike, socio-ekonomike dhe ajo e mbrojtjes e sigurisë tregojnë që zgjedhjet në Kosovë janë farsë. Ato po zhvillohen jashtë vendimmarrjes për marrëdhëniet ekonomike, jashtë vendimmarrjes për çështjet si sovraniteti e tërësia territoriale. Madje edhe skeptikët e sovranitetit thonë se ai eventualisht po transformohet, por askush nuk thotë se sovraniteti po zhduket. Zgjedhjet në Kosovë janë sikur kulmi i shtëpisë që s’ka themel të duhur.
Prandaj, me votime të qytetarëve ndërrohen pushtetarët, por jo edhe gjendja e qytetarëve. Zëvendësohen politikanët në sistem që të mos zëvendësohet politika e sistemit. Me zgjedhje qytetari ka mundur ta zgjedhë fytyrën që do ta zbatojë politikën e njëjtë. Për pasojë, votimet e kanë rritur numrin e keqpërdoruesve dhe keqpërdorimin e politikanëve, por jo edhe mirëqenien e qytetarëve. Sistemi gjyqësor është marrë ose me raste banale, ose me aso të disiplinimit politik, ose me të dyja këto. Kush i përmend më gjeneratorin, syzet dhe dhëmbët e ngjitur me para publike të ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, për të cilat ai akuzohej para dy a tre vjetësh? Qëllimi ishte të zbutej ca Nexhat Daci. Mbase edhe u arrit kjo, duke e lënë në post të reduktuar. Në përgjithësi, që prej përfundimit të luftës e këtej, vjedhja në institucione vetëm sa e ka institucionalizuar vjedhjen.
 Në këtë kontekst, opozita parlamentare është e pashpresë për qytetarin. Ajo përpiqet të vijë në pushtet duke e zbritur pazarin për Kosovën edhe më poshtë se qeveria. Secila opozitë e pasluftës dëshiron të vijë në pushtet dhe ajo e ka arritur këtë pikërisht duke e zbritur pazarin. Në mungesë të sovranitetit vjen në shprehje gara negative se kush është më i butë. Nuk ishte e rastësishme tash së fundi që Haki Shatri nga AAK-ja ka kërkuar prej Agjensionit Kosovar të Privatizimit që ta shpejtojë privatizimin. Me decentralizim etnik Kosovës i merret territor dhe pasuri natyrore. Në pjesën e padecentralizuar, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, po kujdeset që edhe aty t’i japim tutje pasuritë tona dhe kapacitetet zhvillimore. Me deklaratën e tij, ish-ministri Haki Shatri ia bëri me sy PCN-së, Pieter Feithit dhe ambasadorit amerikan, Christopher Dell, se ai është i gatshëm të shkojë edhe më larg se ministri Shala. 
Politikani nuk është qytetar dhe qytetari nuk e përjeton atë përveçse si politikan. Për qytetarin politikani nuk është më shumë se politikan. Prandaj, për qytetarin politikani është biznesmen i cili kalkulon. Prandaj, qytetari nuk ndjehet i përfaqësuar me pakënaqësinë e atyre që u janë vjedhur votat. Ai konsideron që votat u janë vjedhur politikanëve (që i morën ato), e jo qytetarëve (që i dhanë ato).
Në fushatën që i ka paraprirë zgjedhjeve, vazhdimisht është dëgjuar shprehja nga krerët e shtetit, Sejdiu e Thaçi, por edhe prej të tjerëve, se si zgjedhjet e nëntorit dhe dhjetorit 2009 në Kosovë janë test, janë provim për shtetin, shoqërinë, demokracinë etj. Kjo, në fakt, do të thotë se neve s’ka nevojë të na kontestojë askush, sepse ne vetëkontestohemi, se ne nuk jemi me tamam shtet, shoqëri, demokraci etj., dhe për këto duhet të dëshmohemi. Po ashtu, ky deklarim kaq i përhapur e i shpeshtë dëshmon bindjen që me këto zgjedhje, më parë sesa të zgjedhim, ne dëshmohemi, legjitimohemi në sytë e Tjetrit të Madh.
   Megjithatë, nuk ka dyshim se paralelisht me investimin e madh ndërkombëtar e vendor për fetishizimin e zgjedhjeve, ka ngjarë pikërisht defetishizimi i këtij aspekti formal të demokracisë. Defetishizimi i “zgjedhjeve të lira e demokratike” është shfaqur si një rrënim nga brenda e jo nga jashtë, si një zhbërje përbrenda procesit zgjedhor e jo sulm i tij nga aspektet që paraqesin kushtin apo mundësitë për demokracinë. Qytetarët e Kosovës u bindën se mund të votojnë nga ora 7 në mëngjes e deri në orën 7 të mbrëmjes, porse njerëzit më të rëndësishëm janë ata që shkojnë në vendvotime në orën 7 të mbrëmjes dhe qëndrojnë fare shkurtimisht aty, aq sa iu nevojitet për futjen masive të fletëvotimeve të parapërgatitura nëpër kutitë zgjedhore. Përderisa qytetarët këtë e bëjnë një nga një, sipas modelit “Një qytetar, një votë”, këta që vijnë në 7 të mbrëmjes veprojnë sipas modelit “Një antiqytetar, shumë vota”. Natyrisht, për ta mbajtur gjallë modelin madhor: shumë qytetarë të varfër që votojnë - pak pushtetarë të pasur që përfaqësojnë.
 
 
29 dhjetor 2009
Albin Kurti  
 
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›