E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse po zbehet shoqëria civile

Shoqëria civile, një realitet me vlera
 
 
Nuk mund të mos shqetësohesh për faktin që në shoqërinë tonë, gjithnjë e më pak po flitet për shoqërinë civile. Më shpesh këtë term e përdorin politikanët, ose për të zbukuruar rrugën e tyre të intervenimit në politikë, dhe sidomos ca organizata joqeveritare që tashmë kanë filluar të rrudhen, në mos po fosilizohen. Për mendimin tim, ky fakt duhet të përbëjë shqetësim serioz, sepse politikisht dhe qytetarisht nuk mund të mbyllim sytë përballë të vërtetës evidente, që në vendin tonë ka filluar të bjerë entuziazmi politik i fillimit të viteve ‘90-të, për vlerën, dobinë dhe funksionet e pazëvendësueshme të shoqërisë civile.
Unë kam shkruar shumë për të, madje kam botuar edhe librin integral “Shoqëria civile”, dhe ky interesim sociologjik dhe qytetar më ka detyruar që të ndjekë me shumë vëmendje dialektikën ngjitëse dhe zbritëse të shoqërisë civile, “kurbën” e “lavdisë” dhe “rënies” së saj. Në të vërtetë, duhet pranuar se që në fillimet e konceptimit të shoqërisë civile në Shqipëri, për shumë shkaqe historike si mungesa e përvojës, e traditës së trashëguar etj., që në fillim u dukën koncepte thjeshtëzuese dhe përfytyrime konceptuale të gabuara, rezultat i së cilës është situata që ajo po përjeton sot. Sepse për fat të keq, ngritja e shoqërisë civile në vendin tonë, pa pasur traditë historike dhe pa njohur bazamentin e saj konceptual, u reduktua në një imitim të gatshëm të përvojës së të tjerëve, por pa njohur rrugën e tyre, mënyrën sesi u konceptua, u modelua dhe u ndërtua shoqëria civile në Perëndim. Në vendin tonë ajo u konceptua në mënyrë sempliste, me dimension fare të ngushtë që në fillim. Kjo krijoi një traditë negative dhe vetë koncepti i shoqërisë civile humbi shpejt vlerat, madje në sytë e shumë njerëzve mori formën e një “biznesi paralel”. Kjo bëri që ajo të vlerësohet me konotacion negativ, aq sa kur flitet për shoqërisë civile, koncepti është i reduktuar deri te veprimtaria jo e tëra e suksesshme e disa OJF-ve. Por kjo nuk ka shumë rëndësi. Ajo që dua të them, është fakti që duhet të mendojmë seriozisht për të ardhmen e shoqërisë civile dhe rolin e saj alternativ përballë qeverisë dhe qytetarit.
 
 
Role dhe detyra të pazëvendësueshme…
Një nga tiparet e kohës moderne, që në shoqërinë tonë ende nuk është formatuar plotësisht sipas standardit, është domosdoshmëria e vlerësimit të ekuilibruar të rolit dhe vlerës së institucioneve të ndryshme, duke shmangur vlerësimet dhe mbivlerësimet e gabuara subjektiviste dhe metafizike të tyre. Në të gjithë shoqëritë tona të së kaluarës, mbivlerësimi i politikës dhe shtetit ka qenë tipar sundues. Madje edhe sot ky privilegj social institucional i tyre është përsëri evident.
Ndryshe nga shoqëritë e vjetra që e kanë mbivlerësuar më shumë se nevojat sociale rolin e shtetit dhe të politikës, shoqëria moderne ka tendencë që të vendosë një ekuilibër institucional, i cili pa mohuar rolin dhe domosdoshmërinë e shtetit dhe të politikës, vendos në vendin dhe i jep rolin që u takon organizimeve të lira të qytetarëve në organizata dhe shoqata të shoqërisë civile. Vlera e shoqërisë civile tashmë është e pranuar nga të gjithë, si tipar dhe esencë e qytetërimit, i cili ka dallime të rëndësishme sociale dhe konceptuale nga politika dhe shteti. Për të bërë këtë dallim në rolin, misionin, organizimin dhe funksionimin e tyre, do të mjaftonte përcaktimi i shkëlqyer sintetik i filozofit hungarez të kohës sonë, Tomash, i cili ka thënë se: “Institucionet e shoqërisë civile, ndryshe nga institucionet politike, janë bashkime vullnetare. Bashkimet vullnetare janë kontraktuale dhe të paqëndrueshme; mund të bashkohesh me to e të ikësh prej tyre sipas dëshirës. Mundësia për të dalë nga një institucion dhe për të ndjekur fluksin “tekanjoz” të jetës tënde është një botë e vjetër dhe e fuqishme e Kohës së Artë Parashoqërore. G. M.  Tomash, “Filozofia dhe tranzicioni”, fq. 47
Ato janë shoqata që kanë në themel të organizimit dhe veprimit të tyre, parimin e bashkimit dhe të organizimit vullnetar, për të qenë alternativa konkurruese në vlera, ide dhe mendime. Ato janë bashkime të lira njerëzish që kanë ide sociale, përfytyrime morale, kulturore, fetare e profesionale të ngjashme, që bashkohen midis tyre të lirë dhe të paimponuar nga askush. Vlera e madhe e shoqërisë civile, është se ajo i krijon mundësi dhe alternativa të shumta dhe të larmishme të grupimit dhe organizimit qytetar të gjithë njerëzve që kanë dëshira dhe aspirata shoqërore, qytetare, kulturore e profesionale. Por ndërkaq, kjo shoqëri civile, e cila brenda vetes së saj është e organizuar në formën e një organizate që krijon lidhje kontraktuale dhe statutore me njerëzit që interferojnë në të, është në të njëjtën kohë e lirë dhe jodetyruese për këdo që ka dëshirë ta organizojë jetën e vet personale, ndryshe nga të tjerët.
 
 
Pse na duhet të forcojmë shoqërinë civile
Ka të paktën gjashtë arsye madhore, esenciale, për të mos harruar utilitetin e shoqërinë civile në Shqipëri.
Së pari, nëse do të lejojmë që të dobësohet shoqëria civile, kjo do të thotë që do të marrë përfundimisht fund vullnetarizmi i pakufizuar, që është parimi themelor i organizmit dhe funksionimit të shoqërisë civile dhe një nga të metat e dukshme të qytetërimit tonë. Së dyti, kujdesi ynë për shoqërinë civile nuk duhet zbehur, sepse ajo ka aftësi dhe kapacitete të ndërtojë marrëdhënie qytetare simetrike midis anëtarëve të saj. Pa një shoqëri civile të konsoliduar ka shumë mundësi që të imitohen modelet e shoqërive të vjetra, të bazuar në privilegje politike apo civile të trashëguara, që në të vërtetë asnjëherë nuk kanë qenë shoqëri civile. Ato kanë qenë nga kjo pikëpamje “shoqëri asimetrike” të formatuara mbi kritere politike, klasore dhe pronësore të diferencuara. Në një shoqëri që ka në parim trajtimin institucionalisht të pabarabartë të subjekteve dhe qytetarëve, është e pamundur të ketë staturën e shoqërisë civile.
Qëkur u ideua, shoqëria civile u mendua se do të ishte shoqëria më e mirë e mundshme, e cila natyrisht që nuk do të sillte barazi egalitariste, por do të ishte një “shoqëri simetrike” për të gjithë qytetarët e saj. Vendosja e simetrisë, midis pjesëtarëve të shoqërisë si qytetare me “status të barabartë”, është një nga vlerat e mëdha dhe impaktet më të dukshme të shoqërisë civile, e cila ka mundësi që ta ndihmojë politikën dhe shoqërinë shqiptare që të shmangë “deformimin social” dhe të zbutë pabarazitë asimetrike të trashëguar si tipologji nga shoqëria jonë e vjetër, e ndërtuar sipas koncepteve dhe praktikave social-politike e klasore që kanë diferencuar dhunshëm njeriun dhe e deformuan deri në fund statusin e tij si qytetar. Koncepti i marrëdhënieve simetrike të çdo qytetari me “tjetrin” dhe shoqërinë është produkti më i rëndësishëm dhe më i pritshëm si kontribut sui generis i shoqërisë civile në Shqipëri. Natyrisht “marrëdhënie simetrike” nuk do të thotë marrëdhënie dhe përfitime sociale të njëjta. “Simetria sociale” është një kusht që mbron qytetarin nga margjinalizimi dhe izolimi, që frenon tendencat e trajtimit të diferencuar, diskriminues, të pabarabartë ndaj aksesit të përbashkët qytetar.
Së treti, shoqëria civile në Shqipëri ka të gjitha mundësitë që të jetë instrument social, i cili ndryshe nga shteti, ka mundësi dhe kapacitete që të tërheqë në radhët e saj, qytetarë që për shkak të mungesave materiale dhe të luftës për mbijetesë, nuk kanë mundësi të marrin pjesë në struktura shtetërore të organizimit. Në këtë kontekst, shoqëria civile shqiptare me organizimin e vet e lehtëson një pjesë të barrës sociale të shtetit, por nga ana tjetër edhe e shkarkon indirekt një pjesë të kësaj barre mbi shpatullat e tij, nëpërmjet natyrës dhe forcës së saj si instrument presioni.
Së katërti, në tërësinë e vlerave sociale që ka shoqëria civile, shumë autorë bashkëkohorë, entuziastë për rolin e saj, janë të mendimit se duhet theksuar veçanërisht roli i saj si “ide rregullatore”, e cila mund të kontribuojë, duke e ngushtuar vazhdimisht pushtetin e shtetit, të traditës dhe të nevojës ekonomike. Këto tre faktorë, siç janë shteti, tradita e vjetër dhe varfëria, janë faktorë regresivë që ndikojnë në zbehjen e rolit të shoqërisë civile.
Së pesti, vlera e veçantë e shoqërisë civile është e lidhur me faktin që ajo thelbësisht, në princip, në organizimin dhe menaxhimin e vet është me natyrë “johierarkike”. Kjo do të thotë se organizimet e shoqërisë civile janë të lira, të paqëndrueshme, vullnetare, qytetare. Natyrisht, organizimet e shoqatave dhe grupeve të interesit nuk janë organizime anarkike, pa drejtim dhe rregull. Por hierarkia e tyre është simbolike, shoqërore, konsensuale dhe rotative. Shoqatat janë organizime të qytetarëve të barabartë, që bashkohen midis tyre vullnetarisht për të dhënë kontribut për vete dhe për shoqërinë. Në shoqërinë civile është kulmi i organizimit dhe drejtimit demokratik të punëve, midis pjesëtarëve të tyre, pa qenë nevoja për të pasur piramida të rënda të drejtimit autoritarist, burokratik dhe hierarkik.
Shoqëria civile nuk e ka në natyrën e saj përcaktimin me çdo kusht të “atij që udhëheq dhe të atij që udhëhiqet”, sepse konsiderohet si organizim i zhdërvjellët, pa luftë për poste. Ato janë në natyrën e politikës dhe të shtetit, në të cilat pjesëmarrja në mënyrë të natyrshme është e lidhur me karrierën, funksionin dhe pozicionin në piramidën e hierarkisë.
Së gjashti, shoqëria civile si organizim i qytetarëve të lirë dhe të barabartë nuk është vetëm vullnetar dhe i lirë, por edhe voluntarist, i mbështetur në parimin e zgjedhjes sipas parapëlqimit personal. Bashkimi i vullnetshëm i njerëzve në organizatat e shoqërisë civile është shprehje pëlqimi. Njerëzit nuk janë të detyruar të shkojnë në shoqata dhe organizimet e shumta joqeveritare. Madje, “togat e vogla” të shoqërisë civile janë aq të shumta, të larmishme dhe të interferuara, saqë nuk përbën problem që i njëjti njeri të jetë njëherësh dhe njëkohësisht anëtar në disa organizime sipas parapëlqimeve të veçanta të tij, pa shkelur asnjë rregull, princip apo statut. Ajo është shumë e vlerësuar, sepse krijon diapazon të gjerë të mendimit, organizimit dhe parapëlqimit të lirë të qytetarit. Ndryshe nga formacionet dhe organizimet e tjera të shoqërisë politike, në të cilat liria e qytetarit është relativisht e kufizuar dhe e determinuar nga përkatësitë e ndryshme politike, shoqëria civile është një formacion qytetar që garanton liri të gjerë “për të “zgjedhur”, për të qenë “i ndryshëm”, “i diversifikuar”, jo i ngurtë, dogmatik, i fosilizuar në parafabrikatet e doktrinarizmit politik. Parimet e saj janë liria e bindjes, mendimit, sjelljes, organizimit, e ndryshimit, përshtatjes, adoptimit. Shoqëria civile është shprehje e mundësisë që ka shoqëria shqiptare, që nuk e ka pasur kurrë më parë për të organizuar një shoqëri që është e lirë dhe pragmatiste për këdo. Sepse “njeriu për nga kuintesenca është qenie antiinstitucionale. Qenia si natyrë e njeriut edhe kështu, edhe ashtu është një parakusht i shoqërisë civile”. G. M. Tomash “Filozofia dhe tranzicioni”, fq. 50. Për të gjitha këto duhet t’i kthehemi shoqërisë civile, të mos e harrojmë atë se pa të është e pamundur të krijohet kultura demokratike qytetare dhe ca më pak të ndërtohet demokracia liberale në Shqipëri…
Gëzim  TUSHI
 
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›