E Shtunë, 31 Tetor 2026

Natyrisht që vjedhin

 
Akuzat për korrupsion dhe mungesë transparence që kanë pushtuar mediat, në fakt janë opera që nuk zbresin nga repertori i neoliberal i demokracisë. Ata nuk duan të gjejnë defekte te politikat e tyre, por duan që defektet t’i gjykojnë si devijime të politikanëve. Korrupsioni është problem politik që duhet të kuptohet politikisht. Korrupsioni nuk është problem moral (gjë që do t’i bënte partitë fetare të vetmen zgjidhje të mundshme).
 
Ky vit nuk do të mbahet mend për atë çfarë ndodhi, por më parë për atë çfarë nuk ndodhi; jo për atë që u bë lajm, por për atë që tashmë s’është lajm. Për tolerimin e strukturave paralele të Serbisë, për mungesën e kontrollit të territorit dhe kufijve, për mungesën e zhvillimit ekonomik, për arsimimin e shëndetësinë e dobët dhe, gjithsesi, për gjallërinë e korrupsionit endemik. Pra, e thënë më saktë, rëndësi kishin pikërisht gjërat që s’do të mbahen në mend, ato që s’e bëjnë të veçantë vitin 2009. 
Mënyra më e mirë e vlerësimit të vitit 2009 nuk më duket se është ajo nëpërmjet thjerrës sukses-dështim. Së pari, një logjikë e tillë është logjikë biznesi. Dhe, së dyti, Kosova nuk lëngon nga dështimet e qeverisë dhe institucioneve të tjera, por para së gjithash, nga mungesa e përpjekjeve të këtyre. I gjithë fokusi ishte në njohjet nga jashtë dhe fare në konsolidimin e brendshëm: nuk u bashkua Mitrovica, nuk u zvogëlua varfëria, nuk u zvogëlua papunësia, nuk u hoqën fuqitë ekzekutive të burokratëve ndërkombëtarë etj. Pra, Kosova nuk u bë me sovranitet dhe me integritet territorial në njërën anë, dhe qytetarët e saj nuk patën kurrfarë zhvillimi ekonomik e mirëqenie në anën tjetër. Me këso politike nuk jemi as të mundur. Me këso politike jemi të humbur. Dhe, nëse vazhdohet kështu, viti 2010 do të na bëjë ta duam vitin 2009. 
  Ka ekzistuar një përshtypje e përgjithshme, që me shpalljen e pavarësisë së Kosovës iu vjen fundi koncesioneve të Kosovës ndaj Serbisë. Se faktorët ndërkombëtarë pas 17 shkurtit 2008 nuk do të kërkojnë prej institucioneve të Kosovës që t’i lëshojnë pe Serbisë, se pavarësia e Kosovës i bën çështjet e Kosovës çështje të brendshme të Kosovës dhe, si të tilla, të padiskutueshme (sidomos karshi Serbisë). Mirëpo jo. Kosova vazhdoi të jetë një vend ende i negociueshëm sa i përket organizimit e rregullimit të brendshëm territorial e institucional. Plani 6-pikësh i Ban Ki Munit dhe Protokollet e EULEX-it me Serbinë ishin e janë platforma e kompromiseve të reja. Zaten, burokratët ndërkombëtarë që vijnë nga shtete të fuqishme, nuk na respektojnë ne vendasve, sepse kolonizatori kurrë nuk e ka respektuar të kolonizuarin. I gjithë sistemi në Kosovë, me mekanizmat dhe rregulloret e tij, është i formuar asisoj që kolonizatori të ndodhet doemos sipër të kolonizuarve. Ata më parë e respektojnë Serbinë sesa ne, për shkak se kolonizatori megjithatë e sado-kudo e respekton kolonizatorin tjetër. Kur s’janë në luftë kolonizatorët ndërmjet veti, atëherë ata janë partnerë të paqes me njëri-tjetrin. Jo me ne të kolonizuarit. 
   Primitivë. Të prapambetur. Të pazhvilluar. Të nënzhvilluar. Në zhvillim. I këtillë është përmirësimi. Kështu ka ndryshuar emërtimi që kolonizatorët kanë përdorur për të kolonizuarit që prej fundit të shekullit XIX e deri më sot. Kosova nuk bën përjashtim. Por këtë trajektore pozitive të fjalëve nuk e ka përcjellë edhe realiteti të cilit ato kanë pretenduar se i referohen. Janë zgjedhur fjalë gjithnjë e më të buta, për të na zbutur natyrisht. Që të jemi vazhdimisht të shfrytëzueshëm dhe gjithnjë e më të shfrytëzueshëm. Ndërkohë, me trajektoren rritëse të fjalëve përherë e më të buta përputhet një tjetër trajektore: ajo e Gini koeficientit që shënon dallimin, po ashtu në rritje midis të pasurve dhe të varfërve. Kosova nuk bën përjashtim.
 
Krerët e shtetit na thanë se duhet t’i gëzohemi inkuadrimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Anëtarësimi në FMN dhe në BB nuk do ta zhvillojë Kosovën dhe sidomos nuk do ta bëjë këtë për hir të Kosovës. Këto dy institucione financiare paraqesin mekanizmat kryesorë globalë të neoliberalizmit. Kosova hyri formalisht si anëtare në këto dy institucione, mirëpo ato tashmë kanë hyrë në Kosovë përmbajtësisht dhe po ia përcaktojnë asaj drejtimin ekonomik: prej privatizimeve të pasurive natyrore strategjike, e deri te niveli i lejueshëm i pagave në sektorin publik.
  Sistemi që e mirëmban tërë këtë realitet ua merr Kosovën qytetarëve të saj. Ua merr Kosovën si pasuri natyrore nëpërmjet privatizimit neoliberal, ua merr Kosovën si territor përmes decentralizimit etnik, ua merr Kosovën si trashëgimi kulturore përmes eksterritorialitetit të kishave e manastireve ortodokse, dhe ua merr Kosovën si demokraci e vetëqeverisje përmes instancave supreme ndërkombëtare. Ky sistem është i korruptuar. Me korrupsionin në sistem mund të çuditen qytetarët, porse jo vetë sistemi. Sistemi dëshiron të stabilizohet. Stabiliteti është stabilitet i sistemit, jo i qytetarëve. Më tutje është stabilitet i decentralizimit dhe privatizimit.
Stabiliteti i sistemit të korruptuar është edhe stabilizim i korrupsionit. Korrupsioni i një zyrtari të veçantë nuk është as devijim i sistemit e as devijim në sistem. Jemi dëshmitarë sesi korrupsioni çdo herë kur shfaqet konkretisht shpejt normalizohet e rikuperohet, madje duke përfunduar në një lloj tjetërsie konstituive të sistemit.
   Po vjedhin politikanët kosovarë? Por ama kështu sistemi mbahet stabël. Nëse nuk vjedhin, do ta trazojnë atë. Mbase mund të mendohet që do të mund të vidhej më pak. Ndoshta. Porse ky mendim sajon terren të rrëshqitshëm: si të caktohet pragu i vjedhjes së tolerueshme? Lëre më që edhe këtë gjë e përcakton sistemi me rregullat e veta të brendshme.
   Deputetët duan t’ia rrisin rrogat vetes? Po çfarë kemi mundur të presim nga të tillët? Ata që e shesin Kosovën, këtë e bëjnë për veten e tyre, apo jo? Politikanët e Kosovës nuk ishin qenie të korruptuara që hynë në sistem dhe nisën të vjedhin e pasurohen. Ata hynë në procese të korruptuara, produkt i së cilave është jo vetëm Kosova e varfëruar dhe e gjymtuar, por edhe vetë këta politikanë të pasuruar.
 
Nga reagimi qytetar ndaj këtyre hajnive nuk mund të mësohet diçka e re për hajnat, por eventualisht vetëm për qytetarët. Edhe më herët kanë vjedhur, dhe reagimi i sotëm del se ka të bëjë vetëm me teprinë në vjedhje. Dikur ishte tepria e dhunës që lëvizi njerëzit, e sot dalëngadalë po bëhet tepria e hajnisë. Hajninë e tepërt shumë qytetarë, analistë e organizata të ndryshme e denjuan me nga një a dy reagime. Porse, njëkohësisht u tregua që nuk do të bëhet më shumë se kaq. Se, paradoksalisht, hajnia është bërë njëkohësisht e padurueshme, porse megjithatë do ta durojmë (edhe kësaj radhe).
Akuzat për korrupsion dhe mungesë transparence që i kanë pushtuar mediat, në fakt janë opera që nuk zbresin nga repertori i neoliberal i demokracisë. Ata nuk duan të gjejnë defekte te politikat e tyre, por duan që defektet t’i gjykojnë si devijime të politikanëve. Korrupsioni është problem politik që duhet të kuptohet politikisht. Korrupsioni nuk është problem moral (gjë që do t’i bënte partitë fetare të vetmen zgjidhje të mundshme).
28 dhjetor 2009
Albin Kurti
 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›