Dega e PS në Greqi: Do sjellim 70 mijë votues për këto zgjedhje
Dega e Partisë Socialiste në Greqi deklaron se do të sjellë 70 mijë votues për të hedhur votën e tyre për opozitën.
Kryetari i kësaj dege, Artjan Qirici ka treguar në një intervistë për Shqip se motoja e tyre është Emigracioni, pjesë e fitores.
Në bazë të regjistrimeve, parashikohet që fluksi i emigrantëve socialistë të kapë shifrën mbi 50 000 dhe objektivi ynë është rreth 70 mijë, duke arritur kështu moton tonë: Emigracioni, pjesë e fitores.
Motoja në fushatën tonë elektorale ka qenë dhe është: Gjithsecili prej nesh mbron votën e tij, duke e hedhur atë. Pjesëmarrja masive e emigrantëve në këto votime është faktori kryesor që votat tona të mos vidhen, thotë Qirici.
Është hera e parë që emigrantët përfaqësohen me kandidat për deputet në Parlamentin shqiptar. Dhe kjo, si edhe shumë të tjera, u arrit nga Partia Socialiste. Ne kemi përfaqësuesin tonë, zotin Artur Porpollogun në Qarkun e Korçës. Kërkuam që ai të renditet në parashikimin tonë ekstrem në listat e këtij qarku për të vërtetuar me votat tona se ky objektivi ynë, kjo sfidë, është plotësisht e realizueshme. Ne kemi marrë të gjitha masat për këtë, thekson Qirici./ep