E Shtunë, 31 Tetor 2026

DENONCIMI/ Me listat zgjedhore në Shkodër është bërë një batërdi

listatListat zgjedhore në rrethin e Shkodrës janë një masakër e vërtetë. Këtë denoncim e bën për gazetën Dita ish- punonjësi i Policisë së Shtetit, Rexhep Çokaj, që ka sjellë edhe dokumentet që faktojnë këtë batërdi.

Çokaj thotë se manipulimi është i jashtëzakonshëm dhe drejton gishtin tek Ferdinand Pone, Arben Ristani dhe Flamur Noka.

Ja po flasim me fakte. Shiko listat e zgjedhësve në qendrat e votimit. Unë po ju faktoj listat në qendrat 0318, 0274 dhe 0275. Në qendrën e votimit 0318 në fakt ka vetëm 54 votues. Në listat zgjedhore të 23 qershorit janë regjistruar 829 votues, nga këta 695 votues janë pa adresë. Pra në një dhomë e një kuzhinë i bie të banojnë 40 votues! Absurde ta mendosh, thotë Çokaj.

Ai shton se në lista ka emra të vdekurish.

Natyrisht që ka. Dhe ky është një abuzim dhe fyerje e madhe me të vdekurit. Po të shikojmë listat e vitit 2011 kanë qenë përfshirë edhe votues 136 vjeçarë, 118 vjeç, 111, 106, 104 e të tjerë që përbëjnë një rekord Gines. Në listat e vitit 2013 vetëm në këto dy qendra votimi që përmenda më sipër, janë katër votues nga 99 vjeç dhe 26 votues mbi 90 vjeç. Unë po ju paraqes dy certifikata vdekjeje të marra nga zyrat e gjendjes civile të njësisë bashkiake nr 4 Tiranë, të cilët kanë vdekur në vitet 1994 dhe 1997 dhe që figurojnë votues në qendrën e votimit 0274 në Shkodër. Këta kanë qenë votues edhe në listat e mëparshme zgjedhore. Duke u nisur nga këto fakte, ska asnjë dyshim se raste të tilla të ngjashme mund të ketë edhe në qendrat e tjera.

Çokaj thotë se PD kërkon të fitojë mandate në tavolinë dhe se Shkodra është qyteti më i mashtruar në republikë.

Sepse Shkodra është përmbytur 9 herë gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe më një papunësi nga më të lartat në shkallë vendi. Si mund të pranojmë se Shkodra dhe shkodranët mund të votojnë këtë parti? Madje me shifra të pabesueshme në krahasim me Partinë Socialiste. Unë e njoh Shkodrën dhe shkodranët. Ky është një abuzim i jashtëzakonshëm dhe një fyerje për qytetarinë shkodrane që ta pranojnë këtë manipulim. Kjo nuk përputhet me realitetin, thotë Çokaj./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›