Degdisja e Dytë

Adem Salihaj ka njoftuar të dielën se është vetëdorëhequr nga postet udhëheqëse në Degën e LDK’së në Ferizaj.
Kjo është bërë e ditur pas një Kuvendi të Punës të organizuar nga Kryesia e LDK’së në Ferizaj.
Pas largimit të Salihajt, postin e Kryetarit të LDK’së në këtë qytet e ka marrë Muharrem Svarça.
Pas përfundimit të Kuvendit të Punës, një pjesë e të pakënaqurve që nuk kanë mbetur në Kryesinë e LDK’së në Ferizaj kanë akuzuar ish-kryetarin e Degës se në Kuvendin e Punës ka bërë eliminime të njerëzve që kanë punuar për partinë. Ata kanë paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të dalim me qëndrime sa u përket zgjedhjeve brendapartiake.
Salihaj ka njoftuar se në Kryesinë e re nuk do të ketë më 38 anëtarë, por vetëm gjysmën prej tyre.
“Kryesia prej 38 anëtarëve është shndërruar në një Kryesi prej 19 anëtarësh. 19 të mëparshmit nuk janë më në Kryesinë e re. Ky është një proces i riorganizimit, një proces i një plani që unë e kam propozuar”, ka thënë Salihaj, pas Kuvendit.
Ndërkohë, Kryetarin e ri të LDK’së e kanë votuar 75 delegatët e këtij kuvendi me aklamacion.
Salihaj pas votimit ka thënë se po largohet nga udhëheqja e partisë për t’iu hapur rrugë gjeneratave të reja.
"Në këtë kontekst unë kam ofruar gatishmërinë time që të hapi rrugë në këto procese dhe në krye të degës të vjen një person që është vlerësuar nga kryetari dhe kryesia se mund të jap një kontribut të ri, shtesë për të arritur një fitore të re të degës së LDK’së" ka thënë Salihaj.
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa e ka mirëpritur largimin e Adem Salihajt nga udhëheqja e Degës.
"Po mundohemi të bëjmë ndryshime, duke ruajtur njerëzit tanë, duke shprehur respektin për punën që kanë bërë. Duhet të krijojmë një hapësirë të kohëekzistencës së gjeneratave, veprimtarëve të LDK’së, në mënyrë që bashkërisht të bëhemi më të fortë dhe në mënyrë që t'i fitojmë zgjedhjet e ardhshme, sepse ky është motivi dhe synimi themelor", ka thënë Mustafa.
Edhe Adem Salihaj ka thënë se është marrë vesh me udhëheqjen e LDK’së për hapin që ka bërë.
“Ne e kemi organizuar një Kuvend pune me disa aspekte zgjedhore. Ishte një Kuvendi i marrëveshjes së plotë dhe i koordinimit mes meje dhe Kryetarit Isa Mustafa, Kryesisë në Prishtinë dhe Kryesisë në Ferizaj”, ka thënë ai.
Adem Salihaj ka qenë fillimisht në LDK deri në vitin 2006, kur i është bashkuar Partisë së Nexhat Dacit.
Mirëpo, më vonë Salihaj ishte larguar edhe nga LDD’ja pasi aty nuk kishte arritur të jetë në strukturat udhëheqëse të kësaj partie.
Ai ishte rikthyer në LDK dhe kishte marrë udhëheqjen e Degës së Ferizajt.
Këtë vit, Salihaj ka kandiduar për Kryetar të Ferizajt, por e ka humbur garën, pasi atje ka fituar Agim Aliu i PDK’së.