E Shtunë, 31 Tetor 2026

Populli se meriton këtë pozitë dhe opozitë

Qytetarët e Kosovës, nuk e meritojnë këtë Qeveri që kemi sot, sidomos ata që nuk kanë votuar për partitë që e bëjnë këtë koalicion qeverisës, por nuk e meritojnë as dhe këtë opozitë që e kemi aktualisht. Dhe se mos uniteti i opozitës, degradon pozitën e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Kështu thanë zyrtarë të Partisë Nacionale Demokratike shqiptare (PNDSH), në një konferencë për media.

Bujar Abdullahu, kryetar i PNDSH-së tha se opozita është duke i humbur disa mundësi shumë të rëndësishme, shfrytëzimi i të cilave do ta forconte pozitën e Kosovës në dialog me Serbinë, ashtu sikundër ky mos unitet i opozitës, vazhdon ta amortizoj çdo lloj veprimtarie opozitare, që mund të bëhet në të mirë të shëndetit demokratik të Kosovës.

“Sikur të kishim një opozitë unike dhe të fortë në Kosovë, gjë që nuk e kemi, përfaqësuesi i opozitës unike në Kosovë, i cili nuk ekziston, do të takohej ndaras edhe me zonjën Clinton, edhe me sekretarin britanik Hague edhe me të gjithë të tjerët që vizituan Kosovën. Sikur të ishte kështu të gjitha brengat, kërkesat dhe vërejtjet e opozitës, çoftë për dialogun me Serbinë, çoftë për këtë Qeveri të cilën askush në Kosovë nuk e meriton, do të merreshin më seriozisht dhe përfitimet për shëndetin demokratik të Kosovës do të ishin larg më të ndjeshme”, tha Abdullahu.

Abdullahu pohoi se në vend se të flitet për bashkërendimet opozitare kundër kësaj Qeverie, më shumë po flitet e përflitet për risitë, që do t’i sjell një anëtar i ri i Parisë Demokratike, që fundja zor se mund të sjell ndonjë gjë produktive sepse është i brumit të njëjtë me këta qeveritar. Ai po ashtu tha se në vend se të flitet për veprimet opozitare unike në Kuvend, e nëse është e nevojshme edhe në rrugë, më shumë po flitet se si aktualisht një parti jo e madhe opozitare, do t’i bashkohet koalicionit aktual edhe pse me këtë, nuk ka kurrfarë gjasa se mund të ndryshonte diçka përmbajtjesore.

PNDSH kërkon që partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, për hir të një jete më të mirë të qytetarëve të Kosovës, të një stabiliteti më të qëndrueshëm të Kosovës, ta tejkalojnë vetveten, duke qenë fleksibile e jo të ngurta me njëra tjetrën, duke u prirë nga një tolerancë vëllazërore e jo refuzim paranojak dhe duke u marrë vesh edhe për metodat e veprimit. Përndryshe kjo Qeveri sipas PNDSH-së, do të vazhdoj edhe gjatë edhe shumë gjatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›