E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSHDK shënon 22 vjetorin e themelimit

Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK) ka dhënë kontributin e saj të jashtëzakonshëm në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Kështu u tha të dielën në një akademi solemne, e cila u mbajt me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës dhe në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i PSHDK-së Ukë Berisha tha se gjatë 22 viteve ata kanë marrë pjesë në të gjitha proceset e ecjes së Kosovës përpara dhe se kjo parti ka fokusuar fushëveprimtarinë politike brenda dhe jashtë vendit në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai tha se koalicioni shumëvjeçar LDK-PSHDK ishte i mbështetur në vlera njerëzore, i bazuar në filozofinë politike dhe kombëtare të njeriut dhe arkitektit të shtetit sovran dhe modern të Kosovës presidentit Ibrahim Rugova dhe njeriut më besnik të tij, akademik Mark Krasniqi.

“Koalicioni shumëvjeçar LDK-PSHDK ishte i mbështetur në vlera njerëzore, i bazuar në filozofinë politike dhe kombëtare të njeriut dhe arkitektit të shtetit sovran dhe modern të Kosovës presidentit Ibrahim Rugova dhe njeriut më besnik të tij, akademik Mark Krasniqit. Ky koalicion arriti të bëhet partnere e partive simotra në Evropë CFP në Zvicër CDU-së dhe partive të tjera demokristiane dhe popullore dhe të ndikojë fuqishëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet më të larta të diplomacisë së Evropës perëndimore. Ky koalicion arriti që të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës në gjithë botën dhe të sigurojë mbështetjen e vendeve më të fuqishme të demokracisë botërore, para së gjithash të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian”, pohoi Berisha.

Ndërsa, profesor Prend Buzhala, i cili kishte një kumtesë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, tha se me demokristianët kanë një bashkëpunim që 22 vite dhe se në rrugëtimin e përbashkët i ka shoqëruar një parim i shëndoshë i demokristianëve ai i afrimit, jo i ndarjes. Ai tha se ky është shekulli i pavarësisë së Shqipërisë, gjë që dëshmon se nëpër çfarë vështirësish të panumërta ka kaluar, jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha trojet e tjera etnike.

“Shekulli i pavarësisë së Shqipërisë që po shënohet kudo nëpër trojet etnike shqiptare vjen me frymë të re historike. Kjo festë iu përket gjithë shqiptarëve sepse edhe flamuri është i të gjithë atyre që e ndjejnë vetën shqiptarë”, tha ai.

Ndërsa Ismet Beqiri, nënkryetar i LDK-së tha se PSHDK ka dhënë kontribut në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ai tha se LDK dhe PSHDK i kanë lidhjet e tyre të fuqishme tani e 22 vite më parë dhe se arsye për këtë mbetet ideali i përbashkët si dhe fakti që këto dy parti janë udhëhequr nga dy figura të shquara që i kanë bërë nder dhe i bëjnë nder Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili ka qenë dhe mbetet ikonë e shtetit të Kosovës dhe akademik Mark Krasniqit.

Beqiri tha se beson që ka përkrahjen e PSHDK-së dhe qytetarëve në mënyrë që të ngadhënjejë e mira karshi të keqes, drita karshi errësirës dhe perspektiva karshi e kësaj që po i përngjan të kaluarës së hidhur dhe një shteti policor.

“Kontributi i PSHDK-së është i jashtëzakonshëm dhe se ne këtë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë edhe në të ardhmen, ashtu siç e meriton. Sepse ky vend e meriton që të qeveriset ndryshe. Ky vend nuk e meriton kështu siç qeveriset aktualisht, dhe për këtë arsye, realisht, se partner të përhershëm që kemi qenë gjatë këtij rrugëtimi dhe unë besoj thellë se kjo do të ndodh dhe në zgjedhjet e ardhshme. LDK i ka bërë një ofertë, kemi pasur nderin të takohemi me kryetarin Berisha dhe me të gjithë ata të cilët janë të qendrës së djathtë, ose së paku anojnë kah e djathta. Këta të majtit dihet ku duhet me i qu, ku e meritojnë me i qu, në shtëpi e disa edhe në burg. Por atë duhet ta bëjnë institucionet”, tha Beqiri. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›